Sari Salltëku historia e një shenjtori në ditën e Ashures

Ylli XHAFERRI

Lart mbi Krujë është Shpella e Sari Salltëkut. Diku nga vitet ‘80, miku im, Enver Kushi, drejtues i Gjimnazit të Rrogozhinës, kishte bërë një ekskursion me nxënësit, nga ku kishte marrë një stalaktid të rrallë. Vite më vonë, u nisa për të shijuar çka Enveri më kishte treguar atëherë. Kështu ky reportazh, botuar te “Rilindja Demokratike”.
Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë
Rruga fërfëllonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejt vendit të shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: “Ju ndihmohtë”! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për t’u ngjitur në vendin e shenjtëruar.
Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe religjioz. Me siguri këtyre anëve kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: “Pa miq, bota është e shkretë”. Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që vërshonte në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formë ndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshin si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kryekështjellarit legjendar, Vrana Konti.
Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të egër të natyrës, shpërthimet tronditëse të dinamitit, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit parajsor krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku “Atleti i Krishtërimit”, Skënderbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit të krahinës. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet.
Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harmonizohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla. Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot, kronikanët turq e kishin quajtur “Qyteti i bardhë”. Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t’i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqendruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin me spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para nesh një album të rrallë.
Kruja, vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, i grish në dilema dhe mrekulli. Cilën rrugë të marrin, cilën relike të përzgjedhin, cilën monumet historik apo kulturor të vizitojnë? Ku më së pari të shkrepin foton e rrallë! Ç’objekt etnografik, folklorik, gdhendje në dru a alabastër, bakër të rrahur apo veshje të endur në vegjë, qëndisur me gjergjef e larë në ar, të blejnë. Me një shtrirje intime, epike, familjare, lirike dhe origjinale, frymëmerr e gjallë, ku shenjtëria me historinë bashkëjetojnë në paqe përjetësisht. Vargu i njerëzve dhe makinave që vijnë për peligrinazh zgjatet si gjerdan mirësie, derdhet si lum i kthjellët në dy drejtime, drejt Muzeut “Gjergj Kastriot Skënderbeut”, dhe Sari Salltëkut, vendit të bekuar. Kruja e bardhë i mirëpret njëlloj zemërhapur, si ato që vijnë për hall e nevojë, për të përfituar shërbesat e shenjtit Sari Salltëk, ashtu dhe ata që vijnë për kërshëri, kulturë turistike apo njohje të vlerave historike qytetare.
Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashiane, për të cilin mendohet të ketë qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe tolerancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre. Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej të cilëve gjendej një pjesë e trupit të martirit. Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiuesi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që çonte nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: “Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat përreth vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për t’u ngjitur nga vizitorët”…,”…disa vendas me të dhjetat…janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet”…
Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e perëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Lumtori, më tregoi se aty, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për t’u çuditur! Ishte një antitezë e mahnitshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit.
Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t’i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit paqëtues. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për t’u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën.
Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përcëllimtare e Kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu Kuçedrës shtatë kokët që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj dite në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës…
Edhe Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe printe Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: “Eline, diline, beline sahip ol”, që do të thotë “…të mos vjedhësh, të mos gënjesh, të mos flasësh kot dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore…”.
Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili, pasi u turturua dhe gjymtua nga zelli ateist, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946. Ky martir i kohës sonë, se ç’më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, që në veprën “Fletore e Bektashinjët”, shprehet: “Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s’mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë”…
Vendi ishte si një ballkon gjigant. Ballkoni i Krujës, ballkoni i shenjtërisë dhe historisë. Ballkoni i bukurisë. Prej aty, syri shkonte larg në horizonte, hynte thellë në histori. Shpella edhe pse zbriste në zemër të shkëmbit, ngjitej për në lartësim shpirtëror, pastrim moral, qetësi të amëshuar. Shkallët edhe pse uleshinin, krijonin imazhin e fluturimit. Qetësi. Harmoni divine midis shpirtit dhe trupit. Natyrës dhe hyjnores.
Gurgullimë uji. Freski. Qirinj të ndezur. Stalaktide dhe stalakmide, dëshmi e lotëve të mpiksur të pelegrinëve halleshumtë që nuk mungonin të vinin për të qetësuar dhimbjet e trupit, zemrës dhe shpirtit. Nëpër mure emra, dëshira, iniciale, gdhendje, skicime, foto të zbardhura nga koha. Vetëm dashuri. Dashuri dhe aspak urrejtje. Varret, mbuluar me pelerinën e gjelbërt, dëshmonin gjethimin, ringjalljen, pavdeksinë e këtij shenjti që nuk mungonte të shëronte plagët e njerëzve modern, për të cilin qe sakrifikuar në antikitetin e largët… Dolëm nga shpella dhe ndjeheshim të lehtësuar. Në trup e shpirt sikur më pëshpëriste një lajm i mirë…
Pllaja në majë ishte e bukur. Ujdhesë. Kullotë alpine. Bredh. Ah. Pishë. Panjë. Lerat e ujit për bagëtitë. Stane. Disa lokale. Tufa bagëtish. Makina të shumta që pushonin nën hijen e shenjtërisë. Nëpër livadhe gëzoheshin lulet e stinës, lulebleta, çaji, luledelet, luleakulli, manushaqet, luleshtrydhet… Pelegrinë dhe turistë. Ta kishte ënda të pushoje. Njerëzit ishin përhapur nëpër punët e ditës. Tek i shihja me merakun e punës në sy, në mend më erdhi një thënie e artë e Mit’hat Frashërit, “Shpresa është bijë e punës!”…
Këta njerëz patjetër që besonin në të ardhmen. Ato shpresonin nga puna e tyre, djersa e ndershme, përpjekjet e duarve, natyra e mrekullueshme. Ato kishin pasur dhe do të kishin të ardhme. Jetonin nën hijen e shenjtërisë, historisë së lavdishme, bukurisë së natyrës, madhështisë së vendit dhe institucionit të punës dhe meritës. Me mund e sakrifica kishin ngritur tempullin e përjetësisë, Krujën e tyre.

Exit mobile version