Skandali, drejtuesit e PAMECA thirren në Prokurori

Pas publikimit të raportit të misionit PAMECA, i cili doli kundër Prokurorisë dhe gjykatave për disa çështje hetimore mjaft sensitive, drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj, ka thirrur në një takim drejtues të këtij misioni.
Hajdarmataj ka ngritur shqetësimin se ky raport ka dëmtuar hetimin për disa çështje konkrete.
Në raport, PAMECA kritikonte Prokurorinë dhe gjykatat për vendimin e dhënë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako për pezullim nga detyra pa u bazuar në prova, për arrestimin e Emiljano Shullazit, për të cilin thuhej se s’kishte patur hetime të thelluara dhe për arrestimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.
Për Krimet e Rënda, ky raport konsiderohet si ndërhyrje në dosjet konkrete. Kreu i Krimeve të Rënda mësohet t’u ketë thënë përfaqësuesve të PAMECA se ky mision ka dalë jashtë objektit të punës së tij.
Ai ka theksuar se, drejtuesit e misionit dhe personat që e kanë përpiluar raportin nuk kanë asnjë të dhënë mbi veprimet hetimore dhe provat që ka Prokuroria për këto dosje. Për këtë arsye, Hajdarmataj ka kërkuar të dijë se mbi ç’baza është hartuar ky raport.
Ai ka thënë gjithashtu se raporti i PAMECA ka dëmtuar imazhin e Prokurorisë.
Zyrtarët e misionit PAMECA mësohet të jenë shprehur se, raporti ishte përpiluar mbi lajmet e mediave të ndryshme.

Exit mobile version