Mauricio Sarri është një nga trajnerët më të çuditshëm në qarkullim. Edhe pse tekniku i Napolit gjendet para sfidës më të rëndësishme të karrierës së tij, në objektivin e të gjitha mediave botërore, pasi luan përballë Real Madrid në Ligën e Kampioneve, ai përsëri vazhdon e flet ashtu siç bën çdo javë në Serinë A, duke mos harruar ironinë apo edhe fjalorin e rrugës, që e kanë kthyer në një nga teknikët më të dashur në Serinë A.
Konferencën e djeshme, ai e ka filluar sot duke folur për takimin që kishte me presidentin Aurelio De Laurentis. Por kush mendonte se do të flitej për futboll, është zhgënjyer shpejt, ose më saktësisht është argëtuar me përgjigjen që ka dhënë trajneri. “Për takimin me presidentin, as nuk ia vlen të flasësh. Në gjysmë ore folëm 28 minuta për kinemanë. Kam dy-tre ide në mendje, kam bërë gati disa skenarë filmi dhe shpresoj që të më lejojë të bëj një film. Shpresoj që të mos mërzitet me futbollin se përndryshe do të më mbetet filmi pa u bërë. Për futbollin kemi folur vetëm 30 sekonda dhe vetëm për gjëra në përgjithësi”, tha ai, mes çudisë të të pranishmëve në sallë”, u shpreh Sarri.
Sigurisht, më pas Sarri foli për ndeshjen dhe për rrezikun numër një të skuadrës së tij, Kristiano Ronaldon. “Shpresoj të mos kem përdorur të gjithë gjenialitetin tim për filmat (qesh). Ronaldo ka cilësi teknike, por edhe fizike të jashtëzakonshme. Në botë ka shënuar më shumë se të gjithë edhe me kokë, ndaj aspekti më i rëndësishëm për ne është faza mbrojtëse. Duhet sakrificë dhe aplikim. Por edhe nëse ne paraqitemi mirë, cilësitë e tij dalin në pah gjithsesi. Nëse kemi edhe 3% mundësi për të kaluar, do të thotë se janë dhe do ta provojmë. Është e kotë të flasim për mbulim një kundër një, përndryshe Maradona nuk do të ishte Maradona. Fatmirësisht, nuk ekziston asnjë lloj taktike mbrojtëse që mund të ndalojë talentin”, vijoi trajneri.
I pyetur nëse Napoli ndjente trysni para kësaj ndeshje, Sarri dha përsëri një nga përgjigjet e tij tipike. “Trysnia është e gjitha mbi ata, janë kampionët dhe më të pasurit. Ata janë kampionët e botës, ndërsa ne kemi tifozerinë kampione bote dhe nesër do ta shohin të gjithë. Është një ndeshje thuajse e pamundur, ata shënojnë prej 46 ndeshjesh radhazi, por mund të bëhet gjithçka e vështirë dhe ndoshta mund t’ia çajmë paksa t… Ata janë mësuar me ndeshjet e mëdha dhe ambiente jo të thjeshta. Ambienti duhet të na shërbejë neve, por jo për të ndikuar ata se janë të mësuar me situata të tilla. Ajo që ka rëndësi është çfarë transmetojmë në fushë, me shpirt. Ata nuk i frikëson kurrë rrëmuja, e vetmja gjë që mund t’i frikësojë është të shohin në sytë e kundërshtarëve ndjesinë se kanë përballë dikë që do të japë gjithçka në fushë”, deklaroi trajneri i Napolit.
Trajneri i Real Madridit, Zinedien Zidane, ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e kthimit ndaj Napolit, në Ligën e Kampionëve, e cila luhet sot. Në mesin e të ftuarve janë edhe Cristiano Ronaldo, Gareth Bale e Alvaro Morata, të cilët munguan në fitore e Real Madridit ndaj Eibarti (1:4). Ronaldo ishte i lënduar, derisa Morata e Bale munguan shkaku i kartonëve.