Sebino Plaku fiton 200 mijë euro

Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatën e Futbollit të Polonisë i ka dhënë të drejtë sulmuesit Sebino Plaku për prishjen e kontratës me klubin Slask Vroklav dy vite më parë. Sipas asaj që raportojnë mediat polake, klubi i Slaskut është i detyruar t’i paguajë 200 mijë euro dëmshpërblim shqiptarit për mosrespektim të kontratës. Mirëpo, federata polake nuk është mjaftuar me kaq, pasi për rastin e Plakut ka gjobitur Slaskun edhe me 150 mijë euro.
Tashmë sulmuesi i Skënderbeut ka hapur një tjetër gjyq ndaj ish-klubit dhe ditët e fundit ka munguar në stërvitje me korçarët. Arsyeja që Plaku ka bërë një tjetër padi është për shkak të denigrimit të figurës së tij. Për këtë arsye atij i është dashur të udhëtojë disa ditë më parë drejt Polonisë pasi duhet të ishte patjetër i pranishëm në federatën vendase bashkë me avokatin e tij.
Plaku konfirmon ato që shkruajnë mediat polake, ndërsa nga ana tjetër zbulon se federata polake po kërkon që Slask të paguajë edhe një shumë tjetër të madhe për dëmin që i ka shkaktuar karrierës së tij futbollistike.
“Po, këto ditë kam qenë në Poloni, pasi kam edhe një gjyq tjetër me klubin e Slaskut, për ndikimin që ka pasur në karrierën time në vitet kur isha pjesë e tij. Për këtë arsye duhet të isha patjetër i pranishëm në federatën polake. E konfirmoj faktin që do të marr një dëmshpërblim nga Slasku për prishjen e kontratës, por jam në rrugë e sipër të një gjyqi tjetër për të marrë dëmshpërblim për dëmin në karrierë që më ka shkaktuar trajtimi i bërë nga klubi i Slaskut.
Do të jetë një gjyq në Federatën polake, që do të vendosë se sa do të jetë dëmshpërblimi në përputhje me ndikimin që ka pasur sjellja e Slaskut në karrierën time. Pritet që procesi të hapet në fund të muajit mars ose në fillim të prillit”, sqaroi sulmuesi tiranas i kampionëve.
Në ndeshjen ndaj Vllaznisë, gjasat janë që lojtari të mungojë, nisur edhe nga fakti se nuk u stërvit rregullisht me skuadrën në javën e fundit. Këtë e konfirmoi në konferencën e djeshme për shtyp edhe vetë trajneri Ilir Daja, kështu që Plaku nuk pritet të grumbullohet. Pas rikthimit në Shqipëri nga aventura e trishtueshme në Poloni, fillimisht Plaku luajti për Partizanin, ndërsa më pas u rikthye te Skënderbeu.

Exit mobile version