“Sekret i hapur”: Shtohet ndjeshëm shfrytëzimi i punëtorëve në Ballkanin Perëndimor

Nga Sasa Djordjevic

Ballkani Perëndimor përballet me një çështje shqetësuese, por shpesh të anashkaluar: shfrytëzimin e punëtorëve. I përcaktuar si abuzim në vendin e punës për qëllime fitimi, rezulton që punëdhënësit të përfitojnë nga trajtimi joetik ose i paligjshëm i punëtorëve. Në këtë rajon, shfrytëzimi i punëtorëve përfshin mospagesë ose nënpagesë të pagave, orëve shtesë të punës dhe kushte të pasigurta.

Ballkani Perëndimor është një rajon origjine, tranziti dhe destinacioni për viktimat dhe pavarësisht progresit ekonomik, ai mbetet i pambrojtur ndaj këtij fenomeni. Përpjekjet për ta luftuar atë kanë dështuar, siç zbulohet në një raport të ri nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, GI-TOC, me bazë në Gjenevë.

Akuzat e fundit për shfrytëzimin të punëtorëve nënvizojnë një shqetësim në rritje. Në mars 2024, media zbuloi se një kompani kineze solli punëtorë të huaj në Serbi me kontrata shfrytëzuese; në shtator 2023, autoritetet malazeze arrestuan gjashtë individë, duke përfshirë një zyrtar qeveritar, për shfrytëzimin e punëtorëve turq të ndërtimit; dhe shtetas tajvanezë u detyruan të kryenin mashtrime online në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Parlamenti Evropian dhe Kombet e Bashkuara e panë të arsyeshme të reagonin në 2021 dhe 2022 ndaj shfrytëzimit të pretenduar të punëtorëve vietnamezë në Serbi.

Problem në rritje, por pak i raportuar

Midis 2018 dhe 2023, autoritetet në Ballkanin Perëndimor identifikuan 767 viktima të konfirmuara ose të mundshme të shfrytëzimit për punë, duke përfshirë lypjen e detyruar. Numri vjetor i viktimave varionte nga 83 në 173, me një rritje të dukshme në vitin 2021.

Numri i rasteve u ul ndjeshëm në vitin 2022, për t’u rritur sërish në vitin 2023. Shqipëria raportoi numrin më të madh të viktimave, më pak Kosova. Për këto pesë vite, shfrytëzimi për punë përbën 46 për qind të trafikimit të qenieve njerëzore në rajon, bazuar në të dhënat nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e personave.

Shfrytëzimi në punë prek si punëtorët vendas ashtu edhe ata emigrantë. Megjithatë, ai shpesh mbetet i fshehur nga shqyrtimi publik dhe nuk adresohet në mënyrë adekuate nga institucionet. Siç tha një punëtor nga Kosova për GI-TOC: “Ne, në një farë mënyre, e legjitimuam pa dashje shfrytëzimin në punë.”

Të dhënat zyrtare varen ndjeshëm nga kapaciteti i institucioneve për të identifikuar viktimat e shfrytëzimit. Në fakt, grupet e shoqërisë civile vlerësojnë se numri i vërtetë i rasteve mund të jetë 10 deri në 20 herë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare.

Ky nën-raportim domethënës është pjesërisht për shkak të frikës së viktimave nga hakmarrja ose dëbimi dhe i mungesës së ndërgjegjësimit ose besimit tek autoritetet.

Sektori i ndërtimit më i cenueshmi

Sektorët më të cenueshëm në Ballkanin Perëndimor janë ndërtimi, hoteleria dhe tekstili.

Punëtorët në këto industri përballen me orë të gjata pune, paga të ulëta dhe kushte të rrezikshme. Marrëveshjet joformale të punës janë të përhapura, duke çuar në kompensim joadekuat, shpesh nën pagën minimale ligjore, orë të tepërta pune, jashtë orarit, të papaguara dhe refuzim të pushimit vjetor.

Një punëtor ndërtimi nga Bosnja dhe Hercegovina tha se ai dhe 85 kolegët e tij punojnë me materiale toksike në kushte të vështira 10 orë në ditë, duke përfshirë fundjavat, për 350 euro në muaj.

Rasti famëkeq Linglong në Serbi nxjerr në pah se sa i rëndë është ky problem. Qindra punëtorëve vietnamezë në një fabrikë në pronësi kineze në Serbi dyshohet se u janë konfiskuar pasaportat, kanë jetuar në kushte të vështira, kanë vuajtur nga abuzimi fizik dhe u janë mbajtur pagat.

Raste si ky e kanë vendosur Serbinë në listën e vëzhgimit të trafikimit të qenieve njerëzore për tre vjet radhazi, nga 2022 deri në 2024. Për më tepër, heshtja e qeverisë serbe për rastet e trafikimit të pretenduar të punëtorëve të huaj është një tendencë shqetësuese, siç theksohet nga speciali i OKB-së relator për format bashkëkohore të skllavërisë.

Papunësi, varfëri dhe informalitet

Papunësia e konsiderueshme e të rinjve, shkalla e lartë e varfërisë dhe një ekonomi informale rrisin rreziqet e shfrytëzimit të punëtorëve në Ballkanin Perëndimor.

Megjithëse papunësia në rajon ra në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, ajo mbetet më e lartë se në Bashkimin Evropian. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2023 Ballkani Perëndimor, me një popullsi prej 17.6 milionë banorësh, kishte 824,500 të papunë, përfshirë 154,900 të rinj.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë ishte 5.5 pikë përqindjeje më e lartë se në BE, me papunësinë e të rinjve në 25.1 për qind, krahasuar me 14.7 për qind në BE. Për më tepër, shkalla e varfërisë në Ballkanin Perëndimor ishte 3.99 për qind më e lartë se në BE.

Ekonomia informale gjithashtu nxit praktikat shfrytëzuese. Punësimi i fshehur mbeti i përhapur nga viti 2016 deri në vitin 2021, duke filluar nga 36 për qind në Mal të Zi në 76 për qind në Kosovë, sipas Sistemit të Monitorimit të Ekonomisë së Fshehur SELDI.

Ndërsa ka pasur përmirësim në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi që nga viti 2019, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë parë përkeqësim të dukshëm. Gati 80 për qind e të punësuarve kosovarë ishin të angazhuar në punësim joformal në vitin 2021.

Në thelb, një mjedis me papunësi dhe informalitet të lartë dhe pak mundësi të reja pune krijon më shumë mundësi për shfrytëzim në vendin e punës.

Rruga që duhet ndjekur

Në vitin 2024, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë kategorizuar si Niveli 2 në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. Kjo do të thotë se ndërkohë që qeveritë në rajon nuk janë ende në përputhje të plotë me standardet minimale për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, duke përfshirë shfrytëzimin e punëtorëve, ato po bëjnë në mënyrë aktive përpjekje të konsiderueshme për të përmbushur këto standarde.

Megjithatë, Serbia u vendos në listën vëzhguese në vitin 2022 dhe ka mbetur nën një kontroll të shtuar në 2023 dhe 2024. Ky përcaktim tregon se numri i viktimave që i nënshtrohen formave të rënda të trafikimit po rritet ose se nuk ka prova të mjaftueshme për përpjekje të shtuara për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore krahasuar me një vit më parë.

Sigurisht, shfrytëzimi i punës gjeneron sfida ekonomike dhe të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, krijimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis shfrytëzimit të punëtorëve dhe krimit të organizuar është sfidues. Kjo për shkak se shumë raste mbeten të pazbuluara dhe të paraportuara nga autoritetet dhe viktimat.

Megjithatë, natyra e organizuar e shfrytëzimit të punëtorëve është e dukshme përmes pranisë së saj të rrënjosur, e cila është ndjeshëm në dobi të punëdhënësve të paskrupujt. Shfrytëzimi i punëtorëve shpesh mundësohet dhe lehtësohet nga praktikat korruptive dhe njihet në mënyrë zhgënjyese si një “sekret i hapur” në të gjithë Ballkanin Perëndimor, megjithatë mbetet kryesisht i pakundërshtueshëm, pjesërisht për shkak të mbrojtjes së dobët për sinjalizuesit.

Trajtimi i shfrytëzimit të punëtorëve në Ballkanin Perëndimor kërkon një qasje të shumëanshme. Politikëbërësit duhet t’i japin përparësi trajtimit të shfrytëzimit të punëtorëve. Përmirësimi i inspektimeve në vendet e punës, zbatimi dhe mbikëqyrja e ligjit, bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe adresimi i korrupsionit janë thelbësore.

Mbështetja për viktimat duhet të jetë prioritet. Diversifikimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë, janë jetik. Formalizimi i ekonomisë informale dhe reformimi i programeve të mbrojtjes sociale për të ofruar mbështetje të synuar për familjet më të rrezikuara mund të bëjë gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm.

Sasa Djordjevic është analist në Nismën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnaacional.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

 

Exit mobile version