Sekuestro pasurisë, Prokuroria: Peza nuk justifikon 840 milionë

Gjykata e Krimeve të Rënda i sekuestroi deputetit të PS, Alfred Peza 840 milionë lekë, pasi këto para nuk i justifikon me burime financiare të njohura. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve, në masën 1%, me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja, të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini, bashkëshorte e deputetit Alfred Peza, në Bankën “Credins” sh.a, në kuadër të hetimit të nisur ndaj tyre nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale “Fshehje e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal; “Pastrimi të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, parashikuar nga 257/a të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, procedimi penal për këto vepra penale ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka si objekt hetimin e pasurive të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza, bashkëshortja e të cilit, shtetësja Mirela Ndini, ka blerë vlerën e aksioneve në masën 1%, pranë Bankës “Credins” sh.a, në vlerën e 113.000.000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekë, më datë 17/03/2015.
Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se shtetasi Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likuiditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të Bankës “Credins” sha.
Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve. Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja.
Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.
Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës “Credins” sha, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka “Credins” apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve.
Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit ligjor, ka përcjellë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda referimin për hetim pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.
Në bazë të këtij referimi, si struktura kompetente për këto raste, Prokuroria për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal për hetim pasuror, në bazë të Ligjit Nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (Antimafia).
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi vendosjen e sekuestros ndaj aksioneve të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini në “Credins” sh.a, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.

Rama pas denoncimit të skandalit të Alfred Pezës

Ish-Kryeministri Berisha shprehet se, deputetit të PS, Alfred Peza ia kanë bërë të vetët. Në një postim në rrjetin social, Facebook, Berisha i referohet deklaratës së vetë deputetit i cili tha se, “po hetohet si gazetar dhe jo si deputet” dhe shton se edhe këtij ia paskan bërë të vetët”.
“Një deklaratë nga fronti i Banditokracisë! Deputeti Peza thotë se, “po hetohem si gazetar dhe jo si politikan”, pra: Si politikan jam i pastër!! Si gazetar…..
Edhe këtij ia paskan bërë të vetët! Kjo është banditokraci jo orwalliane, por edviniane!”, shkruan Berisha në Facebook.
Pas sekuestrimit të 840 milionë lekëve pasuri nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Alfred Peza reagoi menjëherë dje, duke deklaruar se, hetimi ndaj tij është i paprecedentë, pasi mund të kishte nisur që në vitin 2012, kur nuk ishte deputet. Peza tha se, pasuria që po i hetohet, dhe një pjesë e saj, e cila është konfiskuar, nuk ka lidhje me kohën, pasi ai është bërë deputet në vitin 2013 e në vijim.
Deputeti socialist shtoi se ky hetim i Prokurorisë do të mund të prekte edhe shumë gazetarë të tjerë, pasi mediat punojnë me dy bordero. Pjesa më e madhe e rrogave në media jepet në të zezë.

Exit mobile version