Selami shpall kandidaturën për postin e Kryetarit të PD

Eduard Selami shpalli dje kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike në zgjedhjet që vijnë. Ai e shpalli kandidaturën në një konferencë për shtyp nga selia e PD. “Unë mendoj që këto janë periudha sa të vështira, pak të mbarsura me oportunitet, për një reformim dhe rinovim të vonuar të Partisë Demokratike, për ta ngritur Partinë Demokratike, aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore. Është për të ardhur keq, që megjithëse forca e parë politike ku unë kam patur kënaqësinë të jem një nga themeluesit e saj, koha e ka lënë mbrapa dhe këto zgjedhje pikërisht këtë treguan. Prandaj, Partia Demokratike dhe demokratët duhet që të ecin me hapin e kohës dhe duhet t’i paraprijnë e unë jam shumë i sigurtë që kjo do të vijë dhe ky do të jetë kontributi im në këto zgjedhje, për Kryetar të Partisë Demokratike. Ajo ç’ka është kryesorja është një analizë e sinqertë, e hapur, e drejtpërdrejtë, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjëra që na bashkojnë, sesa gjërat që na ndajnë. Garat politike brenda partive, nuk janë të lehta dhe me demokraci që janë shumë herë më të formuara se Shqipëria. Po unë jam shumë i sigurtë, që ne kemi eksperiencën dhe unë do të jap kontributin tim, që kjo garë të jetë një garë model, që jo vetëm ta nxjerri Partinë Demokratike me nje lidership më të fortë, më pranë demokratëve, por t’i ngjalli dhe një herë shpresën shqiptarëve dhe të jetë një forcë politike që ta ngrejë Shqipërinë aty ku ne synojmë të gjithë, një nga historitë më të mëdha të suksesit të shekullit 21”, u shpreh Selami.
-Zoti Selami, ju keni qenë një nga kritikët e zotit Basha. A mendoni se përgjegjësia e humbjes i takon vetëm zotit Basha?
Jo, është e padrejtë dhe unë asnjëherë nuk e kam thënë dhe nuk është kështu. Por kuptohet ashtu siç merr pjesën më të madhe të kredive kur fiton, do të marrësh dhe pjesën më të madhe dhe kur … Kjo është natyrë e politikës. Patjetër që kjo humbje nuk është vetëm e zotit Basha. Do të jetë e padrejtë që të bëhet kështu dhe asnjëherë nuk e kam parë kështu, por unë mendoj që ka qenë ajo që unë e kam thënë dhe para dy vjetesh, në qoftë se e mbani mend, mungesa e shpresës, mungesë e besimit, e cila na solli këtu ishte një kritikë miqësore brenda shtëpise, nuk u morëm vesh drejtpërdrejtë, fatkeqësisht nuk u dëgjuam, tani është bërë publike. Përsëri unë këtë nuk e mbaj  personalisht kundër Bashës, thjesht është një mundësi që t’i japim një oportunitet demokratëve të zgjedhin lidershipin më të mirë dhe unë kam besim që me eksperiencën time të vjetër, me eksperiencën time në Perëndim, jam gati ta ofroj një lidership bashkëkohor që të kthehet në shpresë për demokratët dhe për Shqipërinë.
– Zoti Selami, ju gjatë kësaj kohe a keni bërë fushatë dhe nëse po, ku keni punuar në fushatën e Partisë Demokratike?
Po kam bërë. Unë kam qenë në Njësinë nr. 2, në degën nr. 2 të Partisë Demokratike. Aty kam qenë pavarësisht se kam qenë i zgjedhur deputet në Elbasan. Do kemi kohë t’i zgjidhim këto hollësira. Jam caktuar më përpara në zonën 2 për shkak të një vendimi të marrë nga Kryesia e Partisë Demokratike. Aty kam bërë fushatë bashkë me demokratët. Unë jam në kontakt përditë me ta dhe shpreh shqetësimet e tyre se si ta përmirësojmë. Këto janë shqetësimet tona të përbashkëta, shqetësime që na sjellin këtu dhe unë jam shumë i bindur, që ne do t’i kalojmë këto dhe PD do të dalë shumë më e fortë. Do të jetë një opozitë shumë e fortë për një mazhorancë, e cila ka numra që janë lehtësisht abuzivë. Ne kemi parë një nga qeverisjet më të këqia në këto 4 vite. Fatkeqësisht ne nuk arritëm të bëhemi shpresë, dhe shqiptarëve edhe njëherë iu desh të zgjedhin të keqen më të vogël. Unë dua që ky trend në Shqipëri të ndërrojë. Të mos zgjidhet e keqja më e vogël, por të zgjidhet e mira më e madhe. Dhe kjo fillon me ne. Kur ne të gjejmë lidershipin e duhur siç kemi qenë, unë mendoj se shqiptarët do të na afrohen, demokratët do të na ofrohen, Shqipëria do të ecë shumë herë më përpara dhe më mirë.
-Zoti Selami, a keni një koment mbi listën e nënshkruesve që kërkojnë dorëheqjen e zotit Basha, por edhe që mendojnë se ngrirja e funksionit të kryetarit nuk është sipas statutit të partisë për fushatën e brendshme?
Gjithkush ka të drejtën e tij ta shprehë. Këto nuk janë kohë të lehta për ne. Janë edhe emocionet. Unë nuk dua të vë në dyshim dëshirën dhe rrugën që duhet për Partinë Demokratike. Askujt nuk ia vë në dyshim. Pavarësisht se çfarë veprimi merr. Unë kam zgjedhur këtë rrugë, sepse mendoj se është rruga më institucionale dhe nuk kam qenë atje, sepse duke qenë këtu e quaj të pa nevojshme. A do të ishte një garë ku zoti Basha të jepte dorëheqjen e plotë dhe kjo të ishte më e barabartë?! Unë po të isha në vend të zotit Basha këtë do të bëja, sepse unë mendoj që nëse duhet një garë e drejtë dhe nëse do të duhej një garë e pastër dhe e pakontestuar, mendoj që çdokush dhe të gjithë duhet të jemi në një fushatë të barabartë. Kjo është zgjedhja e tij. Unë nuk dua ta paragjykoj. T’ia lëmë kohës ta shikojmë. Kjo është një garë brenda familjes dhe ta shikojmë me kujdes. Është një grup pune i mbledhur. Unë do të jem bashkëpunues, me kandidatët e tjerë, me zotin Basha, me grupin e punës që ne të dalim sa më të fortë nga kjo. Unë nuk jam këtu me qëllim për të penguar njëri-tjetrin. Unë jam këtu me qëllim se si të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe demokratët të vendosin kush është më i miri. Edhe unë mendoj se këtë vizion e kam. Ju faleminderit dhe suksese.

Exit mobile version