Senati voton për gjyqtaren e Supremes, Amy Coney Barrett

Senati i Shteteve të Bashkuara voton sot për konfirmimin e gjyqtares së Gjykatës Supreme, Amy Coney Barrett, e nominuar nga presidenti Donald Trump.

Senati, i dominuar nga republikanët, pritet ta konfirmojë Barrettin.

Trump e ka nominuar atë për të zëvendësuar gjyqtaren liberale, Ruth Bader Ginsburg, e cila ka vdekur në muajin shtator.

Demokratët e kanë kundërshtuar nominimin, i cili, sipas tyre, është bërë shumë pranë zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Ata kanë thënë se nominimi duhet të bëhet nga fituesi i zgjedhjeve.

Demokratët po ashtu e kanë kundërshtuar Barrettin, katolike romake, e cila favorizohet nga të krishterët konservatorë, mbi baza ideologjike.

Nëse konfirmohet në pozicionin e përjetshëm, Barrett do të ndryshojë ekuilibrin e gjykatës – 6 konservatorë, 3 liberalë – duke e ndryshuar potencialisht edhe drejtimin e saj ideologjik për dekadat që do të vijnë.

“Senati po bën gjënë e duhur”, ka thënë javën e kaluar udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan, Mitch McConnell.

Exit mobile version