“S’është shenjë e mirë që zëri im të duket si sirenë policie Rame”, Basha i përgjigjet Ramës nga Korça: Kandidatët tanë janë zëri i qytetarëve, s’kanë lidhje me 313-ën

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka prezantuar kandidatët për deputetë të qarkut të Korçës para strukturave. Emrat që do të garojnë në listën e hapur janë Shpëtim Agolli, Laureta Alidinaj, Elvin Bregu, Rodolf Cenolli, Sara Çaçi, Besnik Ibi, Ilir Koro, Andi Prifti, Dhimitri Sino dhe Marinela Ziu.

Në fjalën e tij, Basha u përgjigj kryeministrit Edi Rama që në videon e fundit ka thënë se “i qenka bërë thirrja O Rame si sirenë policie”. Ai ironizoi Ramën se kjo është shenjë e mirë, pasido vij një ditë që nuk do jetë zëri i tij, por do jetë me të vërtetë sirena e policisë.

Basha më tej nënvizoi rëndësinë e programit të koalicionit, i cili fokusohet te rinia, sipërmarrësit, fermerët dhe të përndjekurit, dhe theksoi se lista e hapur do t’i lejojë qytetarëve të zgjedhin deputetët që i shërbejnë atyre, në kundërshtim me praktikën e “listave të mbyllura” të Ramës dhe Berishës.

Pjesë nga fjala e Bashës:

E dini mirë ku i ka shokët, i ka tek 313-ta, aty i ka. Edhe në Durrës se po mbushen qelitë me shokët e tij. I ka atje dhe e shikoni, kishte dalë edhe sonte dhe më thoshte mua pse më tregon me gisht shokët. Po më fal, a janë shokët e tu apo janë shokët e mi. Kush i solli ata? A i solla unë? Shoku i kujt është Ilir Beqja? I Ramës. Pse më thërret o Rame, o Rame – thotë, si makinë policie. Prit mo Rame prit, se të qenka bo zëri im si sirenë policie, s’është shenjë e mirë kjo Rame. Megjithatë meqë e nisa, po ta them, unë besoj tek pavarësia e drejtësisë kështu që kur të vij koha, nuk do jetë zëri im por do jetë me të vërtetë sirena e policisë. Kush e solli Lali Erin? E solli ndonjëri prej kandidatëve tanë këtu? Ti e solle me Ram. Kush e solli Sajmir Tahirin? Edi Rama. Po Ter Kokën e inceneratorëve, që bënte sellfi që atëherë dhe thërriste këta të tjerët të Ilir Metës, i donte këta atëhere, edhe Ilirin e donte, kemi harru dhe Ilirin. Se dhe Ilirin një far shoku e ka, njësoj si atë tjetrin që i thotë “bufi, bufi” po si ndahet zemra nga bufi. Se vetëm ai e mban në pushtet. Kur do të lirojë të korruptuarit që i ka dënuar SPAK-u, bufit i thotë hajde të bashkojmë votat që të lirojmë të korruptuarit. Kjo pra është kryesorja që na ndan ne.

E para shikojeni, shikojeni këtë panel, shikojini kandidatët tanë anembanë Shqipërisë, janë njerëzit tuaj, janë përfaqësuesit e komunitetit, janë zëdhënësit e grupeve të interesit, të programit të parë në 35 vite. Siç e ka thënë CDU-ja gjermane në qershor kur e shpalosëm, programi i parë i vërtetë i qendrës së djathtë, që ka në qendër familjen e shqiptare, që ka në qendër sipërmarrjen shqiptare, fermerin shqiptar, pronarët dhe të përndjekurit e haruar dhe të nëpërkëmbur në 35 vite. Dhe mbi të gjitha ka në qendër, atë pa të cilën nuk mund të ketë as të sotme, e pa le të nesërme, ka në qendër rininë shqiptare, shpresën, dritën e syve të shqiptarëve. Me këtë program dhe me këtë ekip kemi dalë para shqiptarëve. Në listë të hapur, të gjithë jemi në listë të hapur. Ndaj do të jetë në dorën e votuesve të Korçës dhe të Pogradecit, të Maliqit dhe të Devollit, të Ersekës e të Kolonjës e të Leskovikut, se cilin dhe cilët do të çojnë në parlament me listën e hapur. Dhe kjo na ndan me gardën e vjetër, me Edi Ramën që bashkoi votat me Sali Berishën për të mbyllur listat. Gjykata Kushtetuese i hapi, këta i mbyllën. Pse? Sepse këta nuk duan në Parlament deputetë që i shërbëjnë njerëzve. Duan në parlament një kazermë personale që t’i shërbejë kryetarëve. Pasurohen në kurriz të qytetarëve që të vjedhin dhe të vazhdojnë të vjedhin taksat e shqiptarëve pa dhënë përgjegjësi para drejtësisë. Që t’i kundërvihen me të gjitha mjetet dhe mënyrat SPAK-ut siç e bënë para një viti kur liruan të korruptuarit që kishte dënuar SPAK-u. Prandaj u duhen listat e mbyllura.

Exit mobile version