BERISHA- Silvinjo do të jetë i detyruar që të bëjë ndryshime për shkak dëmtimesh të lojtarëve. Nëse po pret ende përgjigje për Rei Manajn i cili është jashtë fushave të lojës duke tentuar rikuperimin në kohë, Armando Broja nuk do të jetë as në këto dy ndeshje. Për Manajn pritet të shihet nëse do të jetë i gatshëm këtë fundjavë për Sivasporin dhe më pas do të vendoset nëse do të thirret apo jo. Silvinjo do të ketë një tjetër mungesë të sigurt për këtë grumbullim. Mesfushori Medon Berisha, i ftuar në Europian dhe i aktivizuar edhe në ndeshjen ndaj Ukrainës, nuk do të jetë në dispozicion të teknikut. Djaloshi është dëmtuar në stërvitje disa javë më parë dhe dje, drejtori sportiv i Leçes, Stefano Trinkera, ka konfirmuar për mediat italiane se kthimi i tij në fushë do të jetë pas pauzës për Kombëtaret. “Pauza do të na mundësojë që të rikuperojmë Medon Berishën”, ka thënë ai, duke iu referuar mesfushorit, i cili kishte luajtur si titullar në Serinë A ndaj Torinos, duke dhuruar një paraqitje shumë të mirë menjëherë sapo ishte kthyer nga grumbullimi me Kombëtaren kuqezi. Por më pas ai dëmtim bëri që Berisha të mbetej jashtë fushave të lojës e tashmë të humbasë edhe grumbullimin e tetorit.
PAJAZITI- Një emër i cili mund të jetë surprizë në listën e Silvinjos është edhe Adrion Pajaziti. Mesfushori me tipare sulmuesi, i cili ka një kontroll shumë të mirë të topit, është në radarin e trajnerit të Kombëtares A dhe pritet që në grumbullimin e radhës ai të përfshihet. Diçka të tillë e ka përmendur edhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi, në një intervistë të fundit. Pajaziti u stërvit me ekipin përfaqësues në përgatitjet që këta të fundit bënë në Tiranë në muajin shtator dhe duke parë hapësirat që mund të krijohen nga të dëmtuarit si Berisha dhe Bare, mund të jetë momenti i duhur për të kaluar në Kombëtaren A.