Sfidon Zvicrën!

Frederik Veseli është një nga surprizat e listës përfundimtare të Gianni De Biasit. 23-vjeçari që në të shkuarën është shpallur kampion bote me 17-vjeçarët e Zvicrës ka mundësinë e artë për të treguar klasin e tij dhe Euro 2016 ia jep këtë mundësi. Mbrojtësi i Luganos u shfaq në konferencën e shtypit i emocionuar, pasi angazhimi në Kombëtaren Shqiptare është fryt i një pune të lodhshme dhe i një rruge të gjatë për mbrojtësin që shpreson ta mbajë mend gjatë këtë moment.
“Jam i lumtur që jam pjesë e skuadrës. E kam pritur pak me stres momentin e përzgjedhjes, pasi jam grumbulluar me vonesë. Me Zvicrën besoj se do të kem shumë emocione, pasi është shteti ku kam lindur dhe do takohem me disa lojtarë, me të cilët kemi luajtur bashkë. Unë jam shqiptar dhe do të luaj për Shqipërinë si shqiptar, sepse i tillë ndihem”, u shpreh Veseli.
Veseli ndihet kuqezi në zemër dhe këtë shpreson ta vërtetojë edhe me fakte në fushën e lojës. Ai shton se kërkon të përqendrohet sa më shumë te futbolli dhe stërvitja, duke theksuar se ato çfarë thuhen në media nuk i interesojnë. Gjithsesi, 23-vjeçari e pranon se konkurrenca është e madhe në skuadër, ku do ta ketë shumë të vështirë për të gjetur një vend në formacionin titullar.
“Konkurrenca është shumë e mirë për skuadrën. Kemi lojtarë me eksperiencë si Hysaj dhe Mavraj e Cana. Kam mundësi për të mësuar prej tyre, por edhe unë kam cilësitë e mia dhe jam gati të jap maksimumin”, tha ai.
I pyetur nëse është takuar apo ka kontaktuar me lojtarët e Zvicrës, ai mohon gjithçka, duke nënvizuar se ndeshja e parë e grupit do të jetë një mundësi mjaft e mirë për t’u takuar me disa prej tyre. Mbrojtësi kuqezi u ndal gjithashtu te problemet që ka pasur në të shkuarën, duke e pranuar se dëmtimet kanë ndikuar jo pak në karrierën e tij.
Kam kaluar një periudhë shumë të keqe më shumë dëmtime edhe pse kam punuar me disa nga trajnerët më të mirë të botës. Gjithsesi tashmë gjithçka është e shkuar dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Shqipërisë”, përfundoi Veseli.

Exit mobile version