UEFA: Hysaj mes yjeve të rinj të Europianit

Elseid Hysaj është një prej yjeve të rinj, që pritet të shkëlqejnë në Euro 2016. Ky është përfundimi i faqes zyrtare të UEFA-s, që ka përzgjedhur nga secila prej 24 skuadrave pjesëmarrëse në turneun në Francë lojtarët më të talentuar deri në moshën 22 vjeç, që pritet të luajnë role protagonistësh. Në listën e publikuar nga UEFA, mbrojtësi i Napolit është përfaqësuesi i vetëm i Kombëtares shqiptare, në një listë ku jo të gjitha skuadrat janë të përfaqësuara, siç është rasti i Republikës Çeke apo edhe i Republikës së Irlandës.
Me nga një lojtar përfaqësohen edhe gjigandë si Italia me Federico Bernardeschi, Portugalia me Renato Sanches, Rusia me Aleksandr Golovin apo edhe Spanja ku pritet shpërthimi i Hector Bellerin. Në listën e UEFA-s për talentët që pritet të shpërthejnë është edhe një tjetër shqiptar, sulmuesi Shani Tarashaj, që përfaqëson Zvicrën. Yjet e rinj të Kampionatit Europian do të ndiqen në çdo ndeshje nga grupi i Vëzhguesve Teknikë të UEFA-s, pjesë e të cilit janë edhe Sir Alex Ferguson dhe Alain Giresse.
Performanca e lojtarëve do të vlerësohet në bazë të paraqitjes individuale, por edhe për rolin në skuadër, ku do të përzgjidhen lojtarët që japin kontributin më të madh në Kombëtaret e tyre.

Exit mobile version