Shaqiri: Asnjëherë nuk më ftuan të luaj për Shqipërinë

Xherdan Shaqiri ka insistuar se asnjëherë nuk i është bërë një ftesë për të luajtur me kombëtaren shqiptare.
Xherdan Shaqiri është kthyer të flasë për një temë shumë të nxehtë, e cila prej vitesh e ka bërë që ai të etiketohet si tradhtar.
Duke folur për karrierën e tij, ai ndër të tjerë ka treguar se Federata shqiptare e Futbollit nuk u interesua asnjëherë për të, deri në moshën 18-vjeçare. Në një intervistë për gazetën më të madhe zvicerane “Blick”, ylli i Zvicrës që aktivizohet në Premier League me Stoke City, ka thënë ndër të tjera se nuk e dëshironte Shqipërinë në grup gjatë Euro 2016.
Për herë të parë, ai ka ftuar gazetarët e “Blick” në shtëpinë e tij që ndodhet në rrethinat e Manchesterit. Shaqiri fiton 9.5 milionë franga në vit te Stoke, duke theksuar se kjo është kontrata më e mirë që ka firmosur ndonjëherë një sportist zviceran sipas “Blick”.
Fillimisht, i pyetur se përse nuk e dëshironte Shqipërinë në grup, Shaqiri u shpreh: “Sigurisht që nuk e doja, por kryesisht sepse do të kishte qenë më emocionuese, nëse do të luanim me një kundërshtar të ri. Me Shqipërinë e dimë se çfarë na pret. Natyrisht, në atë ndeshje, familja do më mbështesë mua. Por, do të jetë një ndeshje speciale për të gjithë. Gjithsesi, unë distancohem pak nga kjo temë”, është shprehur mesfushori zvicerano-shqiptar.
I pyetur nëse do të luante për Kosovën, pasi u njoh nga FIFA, ai shprehet: “Jo, nuk do të merrem me këtë. Ndihem shumë mirë në kombëtaren zvicerane”. Shaqiri eviton të përgjigjet kur ngacmohet për deklaratën e trajnerit të kombëtares zvicerane, Petkoviç, se vetëm Lorik Cana do të kishte vend te helvetët nga lojtarët shqiptarë.
“Nuk është e rëndësishme kjo”, nënvizon Shaqiri. Ai zbulon se FSHF nuk i ka kërkuar kurrë të luajë për kombëtaren e Shqipërisë. “Mua Shqipëria nuk më ka thirrur një herë, ndoshta ngaqë atëherë nuk më njihte. Kur isha me Zvicrën U-18, ata nuk më njihnin. Më pas, kur isha pjesë e Zvicrës, atëherë kjo u bë temë diskutimi në Shqipëri”.

Exit mobile version