SHBA bllokon “puçin” Rama-Berisha kundër SPAK, monitorim të rreptë Komisionit Anti-Korrupsion nga përfaqësuesit e…

Nga Rigels Seliman

Tentativa e kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berishë të shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për të shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe kapur Prokurorinë e Posaçme (SPAK), përmes Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, duket se ka marrë fund. Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Parlamenti i Shqipërisë miratoi në maj të këtij viti një rezolutë për krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, ndërsa disa ditë më pas kjo nismë e socialistëve u bë realitet.

Por kritikët pretendojnë se komisioni ka të bëjë më shumë me krijimin e një strukture propagande sesa me goditjen e korrupsionit dhe se në finale synohet shkatërrimi i reformës në drejtësi, e madje kapja e SPAK. Mirëpo në kulmin e këtyre debateve, ka ardhur një reagim nga ambasada e SHBA në Tiranë, e cila është një ndër mbështetëset më të mëdhaja të Reformës në Drejtësi dhe instalimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, selia diplomatike zbuloi se do të jetë pjesë e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, teksa ka dhënë disa detaje për pritshmëritë dhe vendosur disa “vija të kuqe” (kushte).

Kjo lëvizje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një sinjal i mirë dhe tregon se ato si partner strategjik nuk do të lejojnë që reforma në drejtësi dhe organet e reja të dala prej saj të “hidhen në erë” (shkatërrohen). “Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Anti-Korrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me Kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan ambasada e SHBA në rrjetet sociale.

Monitorim i Komisionit

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës, të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin, duke dhënë kështu garanci se do të jenë gardianë të Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të reja të dala prej saj, në mënyrë që të mos cenohen. Mësohet se në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate.

Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian, A2 mëson nga burime, se do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë. Po ashtu, bëhet e ditur se krahas këtyre dy misioneve, janë përcaktuar dhe pritet të mbërrijnë në Tiranë ekspertët e caktuar nga Këshilli i Europës dhe OSBE-së. Ekspertët ndërkombëtar pritet që javën e ardhshme të bëhen pjesë e procesit duke ju bashkuar Grupit të ekspertëve shqiptar të nivelit të lartë, ku marrin pjesë ekspertë të shoqërisë civile, pedagogë të njohur të universitetit, ekspertë të institucioneve të pavarura dhe të organizatave të komunitetit të biznesit.

Grupet e ekspertëve kanë filluar punën gjatë muajit gusht dhe janë në fazën e hartimit të analizës, skanimit të situatës aktuale bazuar ne gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të BE-së. Sakaq, edhe ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, konfirmoi dy ditë më parë angazhimin e delegacionit. “…BE-ja do të angazhohet me komisionet e posaçme parlamentare – për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, si dhe për luftimin e dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik – me synimin për të siguruar koherencë të plotë me angazhimet e Shqipërisë për anëtarësim në BE…”, nënvizonte ndër të tjera Gonzato.

Çfarë ka ndodhur?

Në maj të këtij viti Kuvendi miratoi një rezolutë e cila synonte krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe reformimin e administratës. Në krye të komisionit u vendos ish-drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni u shoqërua me një sërë kritikash në media ku zëra të ndryshëm pretenduan se po tentohej ndërhyrja në punën e institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithëse, përbërja e komisionit të ri kërkon gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, deri më tani këta të fundit kanë refuzuar t’i bashkohen.

 

Exit mobile version