SHBA: Kriminelë në institucionet shtetërore

Ambasadori amerikan Donald Lu shpreh shetësimin mbi lidhjet e forta dhe aktive të krimit të organizuar me politikën dhe të gjithë sektorët publikë në vend, përfshirë institucionet shtetërore. Në një intervistë për median shqiptare, ambasadori amerikan shprehet se, qytetarëve shqiptarë u ka ardhur në majë të hundës me kriminelët që janë në postet shtetërore. “Mendoj se është padyshim e vërtetë se, në Shqipëri dhe në shumë vende ekziston një lidhje midis kriminelëve dhe krimit të organizuar dhe interesave të fuqishëm tregtarë. Mendoj se nuk mund ta vëmë në dyshim se në Shqipëri, pothuajse çdo sektor i ekonomisë ka lidhje me krimin e organizuar, në ndërtim, në farmaceutikë, në transport, në çdo gjë që mund të imagjinoni ka elementë kriminalë që punojnë në mënyrë aktive. Mendoj se kjo është e vërtetë edhe në politikë, fatkeqësisht, dhe se në çdo parti ka lidhje midis kriminelëve dhe politikanëve. Unë nuk jam i kënaqur që e them këtë, por mendoj se është e vërtetë. Prandaj dhe mendoj se është e rëndësishme, që Shqipëria ka ecur përgjatë rrugës së dekriminalizimit. Pjesë e kësaj rruge ishte ligji për dekriminalizimin, por mendoj se ai ishte vetëm një pjesë e historisë. Mendoj se publikut i ka ardhur në majë të hundës me këta kriminelë, sidomos kriminelë që janë në poste shtetërore”, tha Lu. Ai citoi disa deputetë e zyrtarë të rëndësishëm që u prekën nga ligji për dekriminalizimin ashtu si edhe për të tjerë që ende nuk janë prekur nga ky ligj. “Dhe jam i befasuar nga disa ndryshime që kanë ndodhur brenda një viti e gjysmë. Më lejoni të rendis disa prej tyre. Shukri Xhelili, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Elvis Roshi janë të gjithë duke u ndjekur penalisht. Arben Ndoka dha dorëheqjen nga Parlamenti, ndërsa Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Ilir Petraj dhe Gentian Muhameti u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje. Këto janë gjëra shumë të jashtëzakonshme dhe kanë ndodhur brenda një viti të vetëm. Dhe kjo nuk mendoj se ndodhi, sepse partitë politike vendosën se nuk i donin më këta njerëz, por sepse shqiptarët u ngritën dhe thanë ‘mjaft me këtë’, dhe media u përqendrua te disa aktivitete kriminale të politikanëve. Dhe gazetarë të guximshëm kanë bërë kërkime për të gjetur të vërtetën e të kaluarës, e të kaluarës skandaloze, të disa prej këtyre politikanëve. Një tjetër paradoks, zoti Prenga që ju përmendët votoi në favor të kësaj reforme. Por ju thatë që ka lidhje dhe të tilla janë gjërat…” thekson ambasadori amerikan. Ndër të tjera ai tha: “Unë mendoj se procesi i dekriminalizimit, jo vetëm ligji, por procesi i largimit të shumë njerëzve nga sistemi politik shqiptar, ka krijuar biseda të vështira midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe shumë udhëheqësve të ndryshëm politikë. Këto diskutime të vështira nuk janë bërë vetëm me z. Basha. I kemi bërë me z. Rama dhe me politikanë të tjerë të lartë. Kjo është normale. Ne jemi mik dhe aleat i madh i Shqipërisë. Ne mundohemi të themi të vërtetën në publik, por mundohemi të themi të vërtetën edhe privatisht. Dhe kur shohim se ka probleme, se këto probleme mund të ndreqen nga udhëheqja, ne nxisim fort që ata udhëheqës të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe t’i zgjidhin ato probleme. Dhe jam i lumtur kur pohoj sot se, Shqipëria është në një situatë më të mirë në lidhje me dekriminalizimin dhe Reformën në Drejtësi nga sa ishte disa muaj më parë. Dhe mendoj se, kjo prirje do të vazhdojë”, tha Lu.  Ambasadori amerikan uroi që në zgjedhjet e ardhshme, ligji për dekriminalizimin të funksionojë e njerëz me precedent e të kaluar kriminale të mos ofrohen si alternativa për t’i votuar qytetarët. “Unë kam qenë këtu vetëm për një vit e gjysmë dhe të vetmet zgjedhje që kam përjetuar kanë qenë zgjedhjet lokale. Po ju them se kam shpenzuar pjesën më të madhe të kohës sime personale dhe kohën e ambasadës sonë, duke bërë kërkime për të kaluarën e kandidatëve për kryetarë dhe duke u përpjekur që të bindnim udhëheqësit politikë që të mos kandidonin njerëz me të kaluar kriminale. Unë mendoj se, zgjedhjet e ardhshme do jenë ndryshe. Unë mendoj se ligji për dekriminalizimin i ka dhënë mandatin dhe autoritetin institucioneve shqiptare që të këmbëngulin që njerëzit që garojnë për pozicione publike të mos kenë të kaluar kriminale, qofshin ata në Këshillin Bashkiak apo kryetarë, apo deputetë. Dhe ky është një hap i madh përpara për Shqipërinë dhe diçka për të cilën njerëzit e zakonshëm në Shqipëri kanë luftuar dhe e duan për Shqipërinë”, shprehet ambasadori Lu.

Exit mobile version