Dy ambasadorët amerikanë në Tiranë dhe Kosovë kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Ramës, i cili kërcënonte Bashkimin Europian se, në rast se do të mbyllte dyert, atëherë gjithçka mund të ndodhë në Ballkan, duke paralajmëruar edhe një bashkim të Shqipërisë me Kosovën.
Deklarata shantazhuese solli reagime të ndryshme në Bruksel, ku BE foli me një gjuhë më diplomatike qortimi ndaj Ramës dhe Thaçit. E kundërta me deklaratën e lëshuar nga dy ambasadorët. Deklarata ishte e njëjta dhe e konsideron Ramën si një faktor që po pengon stabilitetin në rajon. Kjo mund të konsiderohet si një nga deklaratat më të ashpra për Departamentin e Shtetit ndaj kreut të qeverisë në Tiranë. Identifikimi i Ramës si një rrezik për stabilitetin e rajonit nënkupton marrjen e së një sërë masash për eliminimin e këtij rreziku. Paralajmërimi i parë ka ardhur dje përmes deklaratës së dy ambasadorëve amerikanë në Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa reagime të tjera pritet të formulohen politikisht gjatë ditëve të ardhshme.
Ambasadori amerikan në Shqipëri ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për hedhjen e mundësisë për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse të dyja vendet ndihen të refuzuara nga Bashkimi Europian.
“Qeveria amerikane mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi kundër çdo diskutimi të pakujdesshëm për bashkim. Ai pengon stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane për të dyja vendet”, tha Lu për BIRN.
Në një intervistë për “Politico” në Europë të publikuar më 18 prill, Rama tha se nëse dyert e Europës mbylleshin për Ballkanin Perëndimor, do të shfaqeshin bashkime më të vogla, si bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.
Rama këmbënguli se kjo nuk ishte ajo që ai dëshironte, por shtoi se nëse BE-ja dështonte të integronte Ballkanin, gjithçka mund të ndodhë.
“E vetmja mënyrë për të mbajtur Ballkanin në këtë frymë paqësore dhe bashkëpunuese… është të mbahet e hapur rruga e BE-së… Askush nuk do të donte të kthehej nga vetja dhe të kërkonte për bashkime më të vogla, të gjithë do të pëlqenin të bashkoheshin në unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë sigurisht unione të vogla mund të ndodhin”, tha Rama.
Më 19 prill deklarata e Ramës u pasua nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shprehu zemërim mbi atë që e quajti “mungesë të vizionit të BE-së ndaj rajonit”. “E kam thënë edhe në vitin 2013 dhe e përsëris tani: nëse BE-ja i mbyll dyert Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në të njëjtën hapësirë, që më vonë të integrohen në familjen europiane”, tha Thaçi.
Deklaratat e Ramës dhe Thaçit kanë zemëruar disa në Serbi, ku politikanët i dënuan ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Serbia ende pretendon se, Kosova është pjesë e territorit të saj. Ish-provinca shpalli pavarësinë në 2008. Shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur këtë, por Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera nuk e kanë përqafuar ende pavarësinë e vendit.
Delawie: Po minoni qëndrueshmërinë në rajon
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i ka cilësuar deklaratat për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, si të “pakujdesshme”.“Qeveria amerikane e mbështet sovranitetin edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne jemi kundër bisedave të pakujdesshme për bashkim dhe të reagimeve të tepruara ndaj deklaratave të tilla, të cilat minojnë qëndrueshmërinë në rajon”, tha Delawie në një deklaratë për Radion “Evropa e Lirë”.
Reagimi u bë pas një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin “Politico”, në të cilën tha se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë, “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon atëherë unionet e vogla mund të ndodhin”.
Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios “Evropa e Lirë” se, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.
Kryeminstri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje, siç i ka cilësuar, përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, që të mos dalin në opinion me deklarata për nevojën që të gjithë shqiptarët e rajonit të krijojnë shtetin e përbashkët, nëse ndalet procesi i integrimeve evropiane, ka transmetuar “Beta”.
“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë.
Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Maja Kocijançiq, i tha Radios “Evropa e Lirë” se, “Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë dhe për këtë punohet së bashku me partnerët në rajon, mbi parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”.
Arben SHAHINI