Kanë mbetur pak ditë nga afati kur Presidenti Donald Trump dhe ligjvënësit duhet të arrijnë një kompromis për një marrëveshje për sigurinë e kufirit, e cila do të shmangte një tjetër mbyllje të qeverisë të premten që vjen. Disa ligjvënës kishin thënë se ishin optimistë që mund të arrihej një marrëveshje, megjithëse mbetej e paqartë nëse Presidenti Trump, do ta pranonte atë.
Por të dielën, Senatori Richard Shelby i cili kryeson grupin e republikanëve në negociatat për fondet për murin I tha Fox News-it se mendonte se “bisedimet kanë ngecur. Nuk kam besim qe do ta arrijmë” marrëveshjen”, tha ai.
Shefi e Personelit në detyrë i Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney tha në emisionet e mëngjesit të së dielës në televizionet amerikane se një mbyllje tjetër e qeverisë absolutisht nuk mund të përjashtohet. Zoti Mulvaney shtoi se Presidenti Trump do të bëjë çfarëdo të jetë e mundur ligjërisht për të siguruar murin. Siç njofton nga Kapitoli korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, komisioni dypartiak pritej të paraqiste një propozim kompromisi këtë javë që vjen.
Aeroporte të bllokuara, muzeume të mbyllura dhe punonjës të papaguar të qeverisë… Këto janë disa nga skenat e mbylljes së qeverisë që mund të përsëriten nëse Presidenti dhe Kongresi nuk arrijnë një marrëveshje për kërkesën e tij për murin kufitar.
“Tani është momenti që Kongresi t’i tregojë botës se Amerika është e përkushtuar t’i japë fund emigracionit të paligjshëm dhe për t’i lënë pa punë hijenat e paskrupullta, kartelet, trafikantët e drogës dhe të qenieve njerëzore”, u shpreh Presidenti Trump gjatë Fjalimit për Gjendjen e Vendit.
Presidenti Trump pranoi të miratojë një buxhet të përkohshëm të qeverisë për tre javë, deri më 15 shkurt, duke i dhënë kohë komisionit dypartiak të ligjvënësve për të gjetur një kompromis. Draft-marrëveshja duhet të miratohet gjithashtu nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, si dhe në vazhdim të dekretohet nga Presidenti.
“Nuk pres shumë nga ky komision pasi dëgjoj fjalë si ‘do të japim çfarë do, por jo murin’. Problemi është se nëse nuk na japin murin, nuk do të funksionojë”, deklaron Presidenti Trump.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka sinjalizuar se është e gatshme të mbështesë një buxhet për një lloj gardhi kufitar, për teknologjinë më të fundit dhe për më shumë personel në pikat e hyrjes kufitare. Por, demokratët qëndrojnë të bashkuar kundër buxhetit për një mur që dëshirohet nga mbështetësit e Presidentit Trump. Ky ka qenë edhe një premtim i tij i përsëritur që nga ditët e para të fushatës për zgjedhjet presidenciale.
“30% e bazës së tij qëndrojnë me të, por 70% e amerikanëve ende besojnë se emigracioni është një gjë e mirë për vendin. Njerëzit nuk besojnë se duhet të kemi një mur në kufirin jugor”, thotë Ligjvënësja demokrate, Pramila Jayapal.
Presidenti Trump ndoshta do të pranojë një kompromis për të shmangur opsionin jopopullor të mbylljes sërish të qeverisë, apo të shpalljes së emergjencës kombëtare në kufi për të siguruar buxhetin për murin.
“Presidenti ka thënë gjithashtu se ka përgjegjësinë për sigurinë e amerikanëve dhe nuk mendoj se dikush vë në pikëpyetje autoritetin e tij ligjor për të shpallur emergjencën kombëtare”, u shpreh Ligjvënësi Kevin McCarthy, udhëheqës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Shumë republikanë nuk dëshirojnë që Presidenti Trump të marrë këtë drejtim, pasi shpallja e emergjencës do të pasohej nga sfida të shumta ligjore ndaj autoritetit të Presidentit.
Sidoqoftë, ndërsa në horizont po afron gara presidenciale e vitit 2020, si demokratët ashtu edhe republikanët janë të ndërgjegjshëm për kostot politike të bërjes së lëshimeve për palën tjetër.