Shefi i policisë së Kamzës që doli në përgjimet e BILD, kunati i prokurorit të dosjes “184”

Nga Boldnews.al

Sali Skura, shefi i Komisariatit 5 në kohën e përgjimeve të dosjes “184” të vjedhjes së votave në Dibër e në vijim, rezulton se ka bërë përpjekje policore për bllokimin e qytetarëve që jetonin përkohësisht në Kamëz për të votuar në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016.

Në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, Sali Skura është përgjuar duke i raportuar një zyrtari të lartë të Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi, i cili, siç duket, ishte “koordinator” i Partisë Socialiste për vjedhjen/tjetërsimin e votave në Dibër.

Nga disa verifikime të kryera nga “Boldnews.al” rezulton se Sali Skura është kunati (burri i motrës) së një prej prokurorëve të dosjes hetimore “184” (dhe asaj me nr. 339), Vladimir Mara.

Pikërisht, ky detaj shpjegon shumë gjëra se përse dosja “184” qëndron prej më shumë se një viti në dorën e Vladimir Marës dhe kolegut të tij, Dritan Prenci, të cilët, me urdhër të shefes së tyre, Donika Prela, kanë bllokuar hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit.

Pak ditë më parë, prokurorët e dosjes “339” dhe “184”, ndër të cilët edhe Vladimir Mara, nxorën urdhërin për mos-publikimin e akteve hetimore, pas daljes së përgjimeve në gazetën “Bild” e më tej në median shqiptare.

Në atë urdhër, prokurorët e treguan veten të shqetësuar për ‘sekretin hetimor. Por, duket se e vërteta ka qenë larg asaj që u paraqit si “ligjore dhe etike”.

Prokurori Vladimir Mara, në urdhërin për mos-publikim, mesa duket ka pasur shqetësim që të mos dalin në publik edhe përgjimet e kunatit të tij, Sali Skura.

Përgjimet e fundit duket se e kanë kompromentuar së tepërmi rolin e prokurorit Mara në hetimin e dosjes “184”, por edhe “339”, të cilat kanë në fokus të dyja vjedhjet që zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste u kanë bërë zgjedhjeve lokale në Dibër, në vitin 2016, si edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në Durrës e qytete të Shqipërisë.

Përgjimet e publikuara nga “Bild” po shumëfishojnë skandalet me vjedhjet e votave nga “Rilindja”, si edhe (mos)hetimin e tyre nga prokuroria e drejtuar nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.

Donika Prela, mikesha e Arta Markut, e vendosur në krye të Krimeve të Rënda në kundërshtim flagrant me ligjin, është impenjuar në bllokimin e hetimeve për dosjen “339” dhe “184”.

Tashmë zbulohet edhe detaji që caktimi i prokurorit Vladimir Mara në këtë dosje nuk ka qenë rastësore. Ai, njëlloj si shefet e tij, Marku e Prela, ka interesa të drejtëpërdrejta për bllokimin e hetimeve për dosjet më të nxehta të momentit.

Nëse hetimet për dosjen 184 do të avanconin siç duhet, atëherë prokurori Mara do të ishte i detyruar të firmoste urdhër-arrestin për burrin e motrës së tij, zyrtarin e lartë të policisë, Sali Skura.

Rasti i prokurorit Mara është i dyti i zbuluar gjatë orëve të fundit nga “Boldnews.al”, ku zyrtarë të rëndësishëm të Prokurorisë kanë lidhje me personat e përgjuar në kuadër të dosjes “184”.

Më parë, “BN” raportoi se drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Cami (Keshi) ka lidhje të afërta me Arben Keshin, zyrtarin e lartë të Ministrisë së Brendshme, i cili del në përgjimet e dosjes “184” duke folur me Edi Ramën e zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste.

Përgjimet e publikuara nga “Bild” po krijojnë panoramën e plotë se përse, jo vetëm “Rilindja”, por edhe prokuroria nuk ka as vullnetin minimal për të zbardhur dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore autorët politikë të masakrave zgjedhore në Dibër, Durrës e në qytete të tjera.

 

 

Exit mobile version