SHËNIM/ Çfarë tregon lëshimi në sulm i Tritanit nga Berisha për grupin e Gaz Bardhit?

Ndonëse në dukje gjithçka rrjedh normalisht në grupin e deputetëve të “Rithemelimit”, është e qartë se ajo qetësi është e rreme.

Gjithsekush aty pret t’i ngul thikën atij që ka përballë ‘për dy aspra’ akses politik më shumë.

Kjo është kultura politike që ka mbjellë Berisha në 32 vite.

Ajo me të cilën ai ka sunduar në Partinë Demokratike, shpeshherë pa rival përballë.

Duke mos lejuar asnjë pemë të rritet në oborrin e tij, asnjë lule të lulëzojë në kopshtin e tij.

Vetëm ai të mbretërojë si lis i gjatë.

Berisha i kurorëzuar në “Fronin” e Asgjësë dhe të gjithë poshtë tij në betejë të përgjakshme të Hiçit.

Po ashtu, tashmë është e qartë se kush i nxirrte bisedat e mbledhjeve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në media, duke dashur që nëpërmjet tyre të promovonin ambiciet e sëmura.

Nëse e kanë bërë historikisht me Bashën një gjë të tillë, Berisha nuk mund t’ua tolerojë më dhe po u tregon vendin dhe atë se çfarë janë në të vërtetë.

Lëshimi në sulm i besnikut historik të tij, Tritan Shehut, nuk ishte rrufe në qiell të hapur.

Dihet që Tritani ka folur gjithmonë me fjalët dhe gojën e Berishës, ka dëgjuar përherë ato që Saliu ka dashur të dëgjojë dhe ka sulmuar gjithmonë ata që Doktori ka dashur të sulmohen.

Ka një detaj të hershëm të mjekut të mirënjohur Shahin Kadare në këtë drejtim, por këtu nuk është as vendi as momenti.

Por si i etiketoi Berisha nëpërmjet gojës së Tritanit deputetët Bardhi, Salianji, Gjekmarkaj etj.?

“Skutha…ndyrësi…primitivë…burracak…brumbuj frikacakë…që janë mësuar vetëm të zvarriten…nga balta ku janë zhytur kërkojnë të pickojnë më lart..”

Ky nuk është thjesht përfytyrimi i Tritanit për ta, por i Berishës për grupin e tyre.

Pavarësisht lojës së deputetëve të Gaz Bardhit, Sali Berisha di të përçojë mesazhe në shumë mënyra.

Paralajmërimi i fundit për ta ishte ky nëpërmjet deputetit të moçëm Tritan Shehu.

2 dhjetori po afron, ndaj grupi i Bardhit, Salianjit dhe të tjerëve duhet të zgjedhin: të bashkohen me Berishën, duke u asimiluar përfundimisht apo të vijojnë me lojën e derisotme dhe pas kësaj date të bëhen objekt i “qenëve të sulmit” të Doktorit.

Duket si një lëvizje e detyrueshme:

Berisha pranon tezën e artikuluar nga Basha për herë të parë, që të çojë në Kushtetuese marrëveshjen Rama-Meloni, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e grupit të deputetëve të Bardhit, njëkohësisht u jep atyre edhe një shans për t’iu bashkuar mbledhjes së Këshillit Kombëtar të thirrur prej tij në 2 dhjetor.

Të shkojnë, mbarojnë politikisht, sepse Berisha ka mundur t’i thithë plotësisht në gjanën e tij të pashpresë politike.

Të mos shkojnë, marrëdhënia e tyre me grupin e Berishës merr fund, çka i bën ata të ngjashëm me Kujtim Gjuzin dhe Selami Jeniçerin e sesionit të mëparshëm parlamentar.

Nga 2 dhjetori na ndajnë shumë pak ditë.

Gjithsekush do të korr, atë që vetë ka mbjell…

Exit mobile version