Sa para qarkullon tregu i librit në Shqipëri?

Në emisionin “Money” në Euronews Albania, u analizua këtë të shtunë fusha e botimeve të librit, sa lexojnë shqiptarët dhe sa ata shpenzojnë në këtë fushë.

Tregu i librit qakullon sot rreth 18 milionë euro. Shtëpia botuese me të ardhurat më të mëdha referon xhiro 3 mln euro, ose 17% të qarkullimit të përgjithshëm. Ndërkohë, në listën e gjatë të shtëpive botuese, vetëm 4 të parat, marrin gjysmën e të ardhurave që grumbullon ky treg dhe të dhënat sugjerojnë se xhiron më të lartë e kanë ato biznese të cilat botojnë kryesisht libra dhe materiale shkollore. Ndërkohë, tregu i librit duket të jetë më i disiplinuar me bilancet që deklarohen dhe më i lehtësuar nga politika e taksave.

Kryetar i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, deklaroi për Money: “Unë mund t’ju them situatën që është tani, sepse në këto periudha ka pasur ndryshime të gjithë sistemit fiskal, jo vetëm të librit. Tani kemi një sistem fiskal qëmund ta quaj të pranueshëm, me një TVSH normale, 6% për shitjet, 20% mbiprodhimin e librit që printojmë, kemi tatim-fitimin 15%, tatimin mbi të ardhurat. Kemi një situate normale, në mendimin tim”.

Shkrimtarja Flutura Açka apeloi që të hiqet çdo barrierë doganore, Shqipëri-Kosovë, pasi ku qarkullon libri, qarkullon gjuha.

“Mos harroni sa përpjekje u bënë për të hequr doganën e librave për të bërë një rregullim mes Kosovës. Aty ku është vula mbi librin duhet të hiqet sepse qarkullon kultura dhe gjuha. Të hiqen kufizimet. Mos harrojmë një moment u vendos TVSH, e pastaj u hoq. Këto janë lëvizje të pamendura. Nuk ka nevojë libri për eksperimente”, tha Açka.

TVSH e shitjes së librit është reduktuar nga 20 në 6% nga viti 2019, por shumica dërrmuese e kostos së tij përbëhen nga shërbime që nuk i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, të tilla si komisioni i librarit, zakonisht 25-30% e çmimit të shitjes, kostoja e përkthimit apo e të drejtës së autorit, e redaktimit apo korrektimit, 30-40% të tjera dhe në fund, kostoja e shtypshkrimit, e cila varion në 20-30% të çmimit të shitjes.

Ndërkohë botuesja Vasilika Tafa i bëri apel qeverisë që të ketë një vëmendje të shtuar ndaj letërsisë shqipe.

“A ka mundësi që qeveria të japë fonde? Po. Unë do të citoja të fondet që jep Ministria e Kulturës dhe do përmend fondet për mbështetjen e letërsisë shqipe. Unë si biznes do shes ato libra që shiten. Kur flitet për qeverinë, ka dy raste, dhe jo çdo botues mund të meritojë financa publike, por vëmendje të shtuar duhet të ketë letërsia shqipe”, tha ajo.

Exit mobile version