Shënim/ Ilir Beqaj, treguesi i pavarësisë dhe i mbështetjes së SPAK-ut nga SHBA dhe BE

Ka një përpjekje absurde për të relativizuar goditjet që SPAK-u vazhdimisht i ka dhënë qeverisë së Edi Ramës.

Kryesisht ky skepticizëm mbillet në media nga ata që janë objekt i Prokurorisë së Posaçme.

Një gjë e tillë bëhet për të ngritur alibinë se SPAK-u është nën tutelën e pushtetit të Edi Ramës dhe goditjet e tij janë në orkestruara.

Është për të ardhur keq që një shoqëri e ka më të lehtë të besojë “konspiracinet” se sa faktet dhe të vërtetat.

Rasti i nisjes së hetimit dhe dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është në vazhdimësinë e asaj që Prokuroria e Posaçme, tashmë, është një mekanizëm mbi palët dhe një pushtet mbi status quo-n 30-vjeçare.

Për të rrëzuar alibinë e skeptikëve, mjafton të përmendet se Ilir Beqaj nuk është thjesht një bashkudhëtar i rrugës politike të Edi Ramës.

Ai është shumë më shumë se kaq.

Miqësia e Beqajt dhe Ramës është e hershme dhe ajo ka qenë përherë konstante, pa prishje, që prej viteve kur ata kanë luajtur basketboll me ekipin e Dinamos.

Beqaj ka qenë pjesë e ekipeve drejtuese dhe një ministër i rëndësishëm i qeverisë socialiste.

Është e paimagjinueshme një sulm i orkestruar nga Edi Rama për mikun e tij të hershëm.

Rasti i Ilir Beqajt është një tregues shpresëmadh që Prokuroria e Posaçme jo vetëm që nuk është nën ndikimin e pushtetit, por ajo është e vendosur për t’i shkuar aferave korruptive deri në fund.

Vlen të theksohet se tenderi i sterilizimit për të cilin hetohet ish-ministri Beqaj është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike./ RD

Exit mobile version