SHËNIM/ Pse disa duan ta thithin Lulzim Bashën në llumin e politikës së konfliktit?!

Basha

I fundit që pyeti se ku është Lulzim Basha, sepse nuk ka asnjë informacion për të, ishte Edi Rama.

Paradoksi nuk qëndronte te pyetja, por tek pjesëmarrësit, të cilët vetëm pak minuta më parë ishin ndarë nga tryeza e propozimeve të Lulzim Bashës për Reformën Zgjedhore, Vetingun në Politikë dhe Votën e Emigrantëve.

Përveç Ramës, përditë Lulzim Basha “provokohet” me një mal akuzash të paqena, shpifjesh, trillimesh, sajesash, gënjeshtrash, një mijë të zezash…, nga Sali Berisha dhe çirakët e tij politik dhe mediatik.

Duan ta fusin te “kurthi” i tyre, për të mos bërë asnjë diferencë, duke mos pasur asnjë ndryshim.

Të mbahet ndezur teatri i akuzave dhe i konfliktit.

Madje, ndonjëherë i kërkohet me forcë edhe nga “të tijët” të dalë, të reagojë, të sulmojë, të bëhet pjesë e “betejës” politike dhe mediatike, sepse vetëm kështu mund të sigurojë ekzistencën e tij.

Por, pavarësisht të gjithave, Basha ka preferuar t’i lërë vetëm në aktin e fundit teatral dhe të merret me njerëzit dhe ndërtimin e alternativës

Ka zgjedhur këtë mënyrë, jo sepse është duke fjetur gjumë, siç kanë qejf ta akuzojnë.

Ka zgjedhur një rrugë tjetër, ndofta më të vështirë, më të gjatë, por më të sigurt.

Nëpërmjet turit të tij në të gjithë Shqipërinë, përmes ristrukturimit të strukturave të PD-së, pas luftës vëllavrasëse dhe konfliktit të egër në bazë, Basha po fiton kohë.

Dhe koha në politikë është aleati më i madh, më i fortë, më i sigurt.

Ndërkohë që Berishës dhe Metës i ka mbaruar koha, për shkak të akuzave dhe përballjes së tyre të pashpresë me SPAK-un, Ramës i ka mbaruar vaji i kandilit, për shkak të konsumit dhe të korrupsionit galopant të gjithë strukturave kapilare të qeverisë, Basha kohën e ka të vetmin aleat të sigurt.

Ai nuk ngutet, sepse më mirë se kushdo tjetër Lulzim Basha e di që Trekëndëshi i Bermudës është i destinuar të shpërbëhet, gradualisht, por përfundimisht.

Prokuroria dhe Gjykata e posaçme janë mekanizma hiper politik, të cilët do të bëjnë punën e tyre, duke e thërmuar sistemin me të gjithë mbetjet e tij të politikës së vjetër 30-vjeçare.

Ndaj Basha nuk ka zgjedhur të bëhet pjesë e kësaj shfaqjeje që është e destinuar të përfundojë në shkërmoqjen e gurëve të mokrrës, por të ndërtojë një alternativë tjetër, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Sigurisht, që kjo rrugë e zgjedhur ka limitet e saj, mirëpo ka ende dhe pak kohë…

Dimri i politikës do bëjë të tijën, SPAK-u do t’i thërrmojë, pa kthim, pa dallim, pa kompromis.

Është e vetmja rrugë, s’ka tjetër….

Exit mobile version