Sherefedin Shehu, projeksioni i dibranëve

Korab RUNJA

Sot dibranët kanë shansin për ta çliruar veten, të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre nga ai peng njëvjeçar, ngërçi e abuzimi prej interesave dhe monopoleve. Këtë shans atyre ua krijoi para së gjithash Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar që ajo kryeson, me përzgjedhjen e saj për t’ia besuar Sherefedin Shehut garën për kreun e Bashkisë së Dibrës.
Shumica e dibranëve, dhe veçanërisht elita intelektuale e Dibrës besojnë se ai e ka fituar tashmë këtë sfidë, pas një fushate elektorale ku spikatën kultura njerëzore, aftësitë drejtuese e bashkërenduese dhe vështrimi drejt së ardhmes.
Sherefedin Shehu është projeksioni i dibranëve. Ai do të fitojë, pasi në një muaj kontaktesh të drejpërdrejta, qytetarët e Peshkopisë, Maqellarës, Kastriotit, Brezhdanit e Tominit, Muhurrit, Luznisë e Selishtës, Çidhnës, Dardhës e Reçit, Lurës, Sllovës e Kalasë së Dodës, gjetën tek ai një dorë të dhembshur, një zemër të ndjeshme, një mendje të kthjellët dhe një inteligjencë të devotshme për t’i dhënë fund peisazhit acarues që shkaktoi qeverisja skandaloze dhe vetë skandali i ish-kryebashkiakut socialist Shukri Xhelili.
Që në fillim të fushatës, dibranët vlerësuan përcaktimin e kësaj kandidature si një prej vendimmarrjeve më të mençura të Partisë Demokratike që respekton qytetarinë e Dibrës dhe vlerat e rëndësishme njerëzore të të gjithë shqiptarëve. Kjo për faktin se, Sherefedin Shehu është një prej njerëzve të shumërespektuar ku janë bashkuar në mënyrën më të mirë aftësia e shquar profesionale dhe morali njerëzor më i mirë shqiptar. Edhe vendimi i tij vetiak për të pranuar për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Dibrës është një veprim që meriton respekt dhe mirënjohje, si nga Partia Demokratike dhe grupimi politik i qendrës së djathtë që ai përfaqëson, ashtu edhe nga qytetarët dibranë.
Sherefedin Shehu do të fitojë, sepse është i afërt dhe i respekton njerëzit. Ai është përzgjedhja e duhur në krye të Bashkisë së Dibrës. Karriera e tij e deritanishme politike dhe qeverisëse nuk ka nevojë të komentohet për nga sukseset dhe arritjet e shumta, por ajo që qëndron në themelin e të gjithave dhe që premton më shumë prej të gjithave, është përkushtimi dhe idealizmi i tij. Garanci për fitoren e tij të merituar më 11 shtator është gjithashtu dashuria me të cilën ai merr përsipër të kryejë punët publike. Në këtë garë, ai u shfaq plot energji, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e një konkurrence të fortë e të ndershme zgjedhore, për të bërë të mundur fitoren e tij. Ai arriti t’i bindë dibranët se këtë sfidë do ta fitojë, duke i sjellë kësisoj Dibrës një vizion të ri, i cili u ndërpre në vitin 2013. Ishin vërtetë bindëse dhe të argumentuara alternativat e tij në mbështetjen e sistemit të vaditjes në bujqësi për të cilën Dibra ka shumë nevojë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë rrugët, energjinë elektrike, ujin e pijshëm, që do të mundësojnë jo vetëm afrimin e fermerëve me tregun, por do krijojë dhe mundësi të mëdha për turizmin malor, për të cilin Dibra ka potenciale shumë të mëdha. Dhe ajo që është më kryesorja, Rruga e “Arbrit”, nga kryebashkiaku i ardhshëm demokrat konsiderohet si borxhi që PD u ka dibranëve dhe premton realizimin e këtij projekti.
Ndërsa rivalin e tij që në fillim e zuri paniku, duke ecur në “drejtimin e gabuar”, duke rënë pre e imazhit të tij korruptiv. Ai  mbart  imazhin e baltosur të Gjiknurit dhe si përfaqësues i forcës më të errët që ka njohur Dibra dhe Shqipëria, do të pësojë disfatën e radhës. Drejt saj e çon edhe origjina e tij, si biri i ish-sekretarit të dytë të Komitetit të PPSH-së Dibër, i cili, në kohën e tij lëshonte deri dhe broçkulla të tilla si: “Kapitalistët organizojnë kampionatin botëror të futbollit për të na penguar ne në realizimin e planit të nxjerrjes së kromit!” .
Dhe e gjithë fushata e tij qe e njeriut pa ide e vizion, duke u fukusuar vetëm te “hapja e derës së Bashkisë dhe spitalit”, që vetë ai dhe sëra e tij i kanë ndotur aq shumë, sa dibranëve të ndershëm e patriot u vjen ndot prej tij. Ata s’mund të votojnë sozinë e Shukriut, që i damkosi me njollën e “vrimës së brekëve”.
Dibranët janë më të motivuar se kurrë për t’ia rikthyer bashkinë Partisë Demokratike, e cila zgjodhi për ta drejtuar atë një nga zërat më të spikatur. Sherefedin Shehu është nga ata që më mirë se kushdo tjetër di të projektojë të ardhmen progresiste të Dibrës.
Nën drejtimin e Sherefedin Shehut, Bashkia e Dibrës do të përparojë me shpejtësi dhe do të rifitojë kohën e humbur nga shpërdorimi që i bëri e majta besimit të dibranëve. Rruga e “Arbrit” është më e pakta që zoti Sherefedin Shehu do të bëjë për Dibrën.
Në këtë garë zgjedhore për kreun e Bashkisë së Dibrës u përballen rishtaz dy filozofi krejt të ndryshme politike, ajo e së vërtetës dhe ndershmërisë të përfaqësuara nga e djathta dhe ajo e gënjeshtrës dhe amoralitetit të përfaqësuara nga e majta e politikës shqiptare. Nga kjo pikëpamje, zgjedhjet e datës 11 shtator për kryetarin e Bashkisë së Dibrës janë një rast i mrekullueshëm si për dibranët edhe për të gjithë shqiptarët për të treguar se ata vlerësojnë gjithnjë udhëheqjen e tyre nga njerëzit e aftë dhe të ndershëm. Sot, Dibra ka rastin e bukur që të jetë flamurtare e ndryshimit të madh politik që pritet prej zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga të gjithë shqiptarët dhe aleatët e tyre strategjikë.

Exit mobile version