Sherri në hapësirën publike si formë promovimi politik

Nga Roland Lami

Në media ka kohë që është konsoliduar modeli i sherrit në studio si kriter suksesi në sytë e moderatorit, të ftuarve, portaleve dhe një pjese të opinionit publik. Pjesë të fjalorit gjatë sherrit bëhen objekt klikimesh, komentesh dhe promovimesh të personave, jo për atë çfarë ishte temë qendrore, por për atë çfarë u zunë gjatë debatit.
Shpesh të ftuarit janë në garë kush e përmbush më mirë këtë rol. Sigurisht, më natyrshëm këtë rol e luajnë ata që nuk kanë gjë për të thënë, nuk kanë ndonjë filtër etik dhe nuk është se kanë ndonjë brengë ndërgjegjeje se si komentohen nga të tjerët që nuk ndajnë të njëjtin nivel formimi me ta. E rëndësishme për ta është të jenë në sytë e publikut. Postulati “shfaqu në media të ekzistosh” përbën moton e tyre.
Ky realitet është prezent në çdo fushë, por në politikë është më evident. Ka kohë që parlamenti, debatet nëpër studio janë një makth më vete. Mendimi ka kohë që ka ikur në drejtim të paditur.
Një pjesë e publikut, të lodhur nga kjo dhunë verbale mediatike, shpresojnë për alternativa të reja politike. Mirëpo, për fat të keq, të rinjtë në moshë dhe në lëvizje politike, në vend që të bëjnë diferencën me klasën e vjetër politike, futen në garë në fushën e tyre për t’i rivalizuar.
Në vend që mediokritetin e tyre ta konkurrojnë me ide dhe argumenta, bëhen pjesë e lojës së tyre me qëllim që t’u pëlqejnë mediokërve që kanë vite që i votojnë, duke harruar atë pjesë të shoqërisë që shpreson për të kundërtën dhe është gati t’i votojë.
Të rinjtë në politikë, në vend që të krijojnë imazhin e ndryshimit në sjellje dhe qëndrime, edhe në rast se kundërshtarët politikë i provokojnë, natyrshëm futen në role mediokriteti; përkundrazi, e marrin si sfidë për të treguar se edhe ata dinë shumë mirë ta bëjnë atë rol, madje në disa raste e bëjnë edhe me devotshmëri, duke u njëjtësuar në sytë e publikut si të ngjashëm me ta, për të mos thënë më keq se ata.
Sherri si formë komunikimi i një pjese të mirë të politikanëve me eksperiencë duhet edhe mirëkuptuar, sepse aq dinë dhe aq kuptojnë. Nëse ju heq sherrin, e sigurt që nuk dinë çfarë të thonë apo të bëjnë në atë profesion. Për ta, agresiviteti verbal është arma më e fortë e tyre. Pikërisht, të rinjtë e shkolluar mirë, që pretendojnë të sjellin një qasje të re në politikë, duhet ta bëjnë dallimin, duke e ekspozuar mediokritetin e tjetrit si të tejkaluar dhe që shoqëria ka nevojë për një qasje të re në politikë.
Mirëpo, në vend që të bëjnë këtë, zgjedhin që të konkurrojnë në fushën e mediokritetit, pasi kështu ka më shumë sukses në botën e masmedias dhe atë elektorale. Klikimi në portale, pasazhe, sherri në formë video bëhen virale dhe moderatori ka arsye më shumë të të ftojë përsëri, dhe një pjesë e elektoratit të identifikohet si i ngjashëm me ty. Në vend që t’i adresohesh pjesës racionale të shoqërisë dhe mediokritetit t’i japësh një mundësi të kuptojë që ka edhe mënyra të tjera komunikimi, bën të kundërtën. Pra, bëhesh si të tjerët pa bërë dallim. Futesh elektoralisht në fashën që partitë e vjetra kanë vite që e bëjnë, në vend që të eksplorosh fasha të tjera të braktisura ose të papërfaqësuara deri tani.
Shkurt, mos të habitemi që partitë e reja nuk kanë sukses në Shqipëri ndryshe nga çfarë ndodh në Perëndim. Kjo pasi sillen, mendojnë dhe komunikojnë si partitë e vjetra, madje në disa aspekte edhe më keq. Kjo qasje lë të papërfaqësuar fasha elektorale që duan ndryshim, duan një mendësi tjetër qeverisjeje, alternative politike dhe komunikimi.

Exit mobile version