Shkërdhatizimi i Politikës

Nga Ermal Peçi

Dikur, politika kishte një farë solemniteti. Edhe hipokrizia kishte klas. Sot, në Shqipëri, ka mbetur vetëm shfaqja: një spektakël i turpshëm, ku normat më elementare janë bërë relike dhe kush ulëret më fort, merr skenën.

Kryeministri, me lehtësinë e një artisti pop, i sugjeron fëmijëve të kërkojnë në Google fotot e tij lakuriq. Në një vend tjetër, kjo do të mjaftonte për një protestë kombëtare. Në Shqipëri? Thjesht një episod tjetër i serialit të përditshëm të banalitetit.

Nga ana tjetër, opozita, në përpjekje për të qenë “më popullore”, vë në skenë një “fenomen” të rrjeteve sociale. Në mitingun e Korçës, Ilir Vrenozi, pa asnjë kompleks, e quan kryeministrin “shkërdhatë”, ndërsa deputetët e PD-së zgërdhihen si në një dasmë ku krushqit janë dehur para darkës.

Nëse dikush kishte ende iluzione se politika është arena e ideve dhe dinjitetit, mjaftonte një shikim në atë miting për të kuptuar të kundërtën: gara nuk bëhet më për ide, por për fyerjen më origjinale. Politika jonë është kthyer në një reality show të rrangut më të ulët.

Por ky banalitet nuk është as spontan, as i rastësishëm. Është një plan i ftohtë dhe i qëllimshëm.
Nga njëra anë, Edi Rama, mjeshtër i spektaklit dhe i shpërqendrimit, e di mirë: sa më shumë të flitet për fotot, batutat dhe skandalet të tilla, aq më pak do të flitet për SPAK-un, për aferat dhe korrupsionin. Nga ana tjetër, Sali Berisha, mjeshtër i përplasjes dhe përçarjes, e di po aq mirë: një fushatë e mbushur me sharje dhe figura qesharake është mënyra më e mirë për të mbajtur militantët të ndezur në urrejtje, në vend që të reflektojnë mbi dosjet përvëluese që rëndojnë mbi të.

Në fund, me stile të ndryshme, por me të njëjtën dinakëri, Rama dhe Berisha e kanë shndërruar politikën shqiptare në një pistë gare banaliteti, ku fiton kush ofron më shumë zhurmë dhe më pak përgjegjësi.
Sepse në një shoqëri të lodhur dhe të keqinformuar, ai që bën më shumë zhurmë, sundon.

Qytetarët? Një pjesë, e lodhur dhe e zhgënjyer, ka mësuar të jetojë me shprehjen fataliste: “ça të bësh, këta jemi”. Një pjesë tjetër, më e re dhe më cinike, e sheh këtë si argëtim: kush shan më bukur, fiton më shumë klikime. Ndërsa ata pak që ende ëndërrojnë një politikë normale, e kalojnë këtë spektakël siç kalohet një film i keq: me turp që ishin aty për ta parë.

Në këtë vend, dikur lëvrohej fjala, sot lëvrohet sharja. Dikur kërkohej logjika, sot kërkohet klikimi. Dhe intelektualët — ata që në një shoqëri normale do të ishin fenerë — sot janë ose pjesë e spektaklit, ose shikojnë nga dritarja me indiferencë dhe të strukur nga frika.

Shkërdhatizimi i politikës nuk ndodhi brenda natës. Ishte një proces i gjatë, i heshtur, dhe i pranuar me buzëqeshje të lodhura nga një shoqëri që ngatërroi banalitetin me afërsinë popullore dhe ulërimën me përfaqësimin.

Ndaj dhe çdo ditë, pa e kuptuar, zbresim një kat më poshtë — jo vetëm në etikë, por edhe në ëndrra.

Exit mobile version