Shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe amendamentet e Ergysit

Rama dëshmoi dje një tërbim publik kur paralajmëroi marrjen e hakut për Koço Kokëdhimën. Për sivëllaun e tij që humbi mandatin e deputetit pse përfitonte fonde publike në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, Rama kërcënoi me shkrirje të Gjykatës Kushtetuese. I vetmi që e ka të sigurtë vendin në këtë gjykatë është kunati i Xhafës, Berberi që bëri një piruetë të paparë juridike për të nxjerrë – megjithëse pa sukses – të palagur Koçon.

Për të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, Rama ka kërcënimin mafioz “për këtë më duhet Reforma në Drejtësi”. Që në variantet e para të socialistëve, Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja të sistemit që synohet të krijohen, ishin strukturuar për t’i dhënë pushtet Ramës për të bërë gjueti shtrigash në politikë dhe në drejtësi. Pavarësisht se reforma ka kaluar nëpër duar ekspertësh të huaj dhe është konsultuar dy herë me Komisionin e Venecias, Rama nuk e fsheh bindjen e tij se kjo reformë i jep nesër pushtetin e dëshiruar të ndëshkojë çdo prokuror dhe gjykatës që i ka prekur Koço Kokëdhimën, Frrokët, Roshin, Prengën dhe tufën e madhe të kriminelëve dhe të korruptuarve me të cilën ai qeveris prej tre vitesh.

Aktualisht nga mënyra se si plasin në komisionin e posaçëm parlamentar amendamentet “alla Rama” të draftit të reformës, duket se eksperti më i madh i kësaj reforme ka dalë Ergysi, furnitori i kokainës së Kryeministrit. Të rikthesh si pjesë të reformës dhe për më tepër si përmirësim të draftit, një ndryshim kushtetues që hedh në kosh ligjin e dekriminalizimit për të lënë të paprekur në politikë dhe në të gjitha sferat e pushtetit banditët, vrasësit, trafikantët dhe të korruptuarit është si të thuash se nesër kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet Emiljano Shullazi, Parlamenti dhe qeveria do të mbushen me të dënuarit e përjetshëm, krerët e bandave famëkeqe.

Reformën në Drejtësi shqiptarët e duan që të largojnë Koçot nga grabitja e parave dhe pasurive publike, të largojnë Prengët nga Parlamenti, Saimirët nga qeveria, Roshët nga bashkitë, Gazmendët nga policia dhe administrata. Reforma në Drejtësi synon të largojë kapobandën që është Kryeministër, t’i presë çdo mundësi, hapësirë për të kërcënuar qytetarë a gjykatës dhe ta ndëshkojë lirisht për krimet e pafundme që ka bërë që nga dita e parë që ka shkelur në zyrat e shtetit.

Reforma në Drejtësi duhet të jetë një hakmarrje, por kurrë e Kryeministrit me popullin dhe me kundërshtarët e tij. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë hakmarrje ndaj Ramës dhe të gjithë atyre që e kanë përdorur çdo orë të ditës dhe çdo pozicion publik për t’u pasuruar, duke mjeruar populllin dhe vrarë shpresat në këtë vend.

Shumë prej nesh prisnin dje që Rama, të ishte të paktën në nivelin e dhembjes së Koços dhe të mos kalonte publikisht në krizat e tij mendore. Por Koço është thjesht një prej humbjeve që po përjeton ky Kryeministër i zhytur në krime dhe korrupsion. Janë të paktën 11 parlamentarë të shumicës që preken nga dekriminalizimi dhe dekusarizimi, janë me qindra në administratë dhe polici që kanë lënë dhe do të lënë detyrën me plotësimin e formularëve, janë Frrokët dhe Shullazët në qeli, është Prenga që e liroi skuadra e berberëve të drejtësisë, por e burgos dekriminalizimi, janë organizatat kriminale që po goditen dhe tonelatat e drogës që po sekuestrohen nga partnerët tanë perëndimorë. Ka një koalicion të madh shqiptar dhe ndërkombëtar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe ndaj Rama ndjehet i sulmuar, i kërcënuar dhe pa shpresë. Ndaj Reformë në Drejtësi është ajo që i rikthen dhe ia mban Koçot dhe banditët e tjerë në Parlament dhe qeveri, ndaj dhe amendamentet i bën ekspert Ergysi.

Exit mobile version