Sovraniteti dhe integriteti

Enver Bytyçi

 

Paskal Milo më në fund, rreth të 70-ve, u shfaq sovran. Ndërsa Jozefina Topalli thjesht përsëriti qëndrimin e saj në kontinuitet sa i përket sovranitetit të vendit. Dallimi midis tyre është thelbësor, por kundërshtia është e njëjtë. Nuk do analizoj qëndrimet, sidomos të Jozit, e cila edhe në rastin e fundit nuk bëri kompromis me filozofinë e të djathtës që përfaqëson. Do ndalem te Prof. Paskali, se është dhe profesor dhe se praktika e filozofia e tij nuk ka qenë asnjëherë sovranizmi, madje as integriteti. Por Paskal Milo ka një meritë: Si himariot që është nuk ka thënë vetë kurrë se është grek. Ne të tjerët ia kemi thënë këtë kur ai lëshonte sovranitet e integritet në favor të Greqisë.

Sot zoti Milo pretendon se sovranitetin po na e shkelin ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin. Pse? Se ata të dy po marrin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të PD, PS e LSI. Dhe çfarë kërkojnë? Thjesht një ligj për Reformën në Drejtesi për Shqipërinë, për ne qytetarët shqiptarë. Milo tha se ambasadorët po shkelin vijën e kuqe, sikur ata të kishin ardhur në Shqipëri me tanke e topa dhe me autoritetin ushtarak t’i imponoheshin deputetëve shqiptarë. Pastaj tha se kjo nuk lejohet në një vend anëtar të NATO-s. Ndërkohë që anëtarësia në NATO e BE janë arsyet e intervenimit të dy ambasadorëve të nderuar.

Qenia në NATO është meritë e shqiptarëve dhe dy burrave të kohës, Xhorxh W. Bush dhe ish-kryeministrit Berisha. Nuk është meritë e Milos as e Ramës, as e Spartak Ngjelës që manipulojnë me ndërhyrjen amerikane dhe ligjin e Reformës në Drejtësi. Por ka edhe një raport midis sovranitetit dhe integritetit. Të dyja këto kanë një lidhje logjike. Sa më me integritet, dmth sa më e pakorruptuar dhe painkriminuar të jetë qeverisja, aq më shumë forcohet vendimmarrja shtetërore sovrane. Po ne jemi bërë të na qajnë e të na vajtojnë edhe pjesa afrikane joshtetformuese.

Çdo ditë gjykatat po japin vendime me të cilat dëshmohet se deputetët tanë janë hajdute, kusarë, trafikantë e vrasës. Madje “nuk mbajnë mend” kë kanë vrarë e çfarë trafiqesh kanë bërë. Betohen se nuk kanë shkelë ligjin e kur Gjykata ua provon, si në rastin e Kokëdhimës, ngrejnë kokën e mburren. Ky lloj integriteti politik, moral e shtetëror mund ta bëjë NATO-n të marrë vendim për vendosjen e pranisë ushtarake të saj neë Shqipëri, jo më të detyrojë Donald Lu-në të jetë i pranishëm në komisione e grupe parlamentare. Me këtë integritet qeverisjeje ne meritojmë të shpallemi protektorat, duke e kthyer vendin në situatën e periudhës së principatës së Princ Vidit. Edhe në këtë pike ndryshojnë reagimet e Jozefina Topallit e Paskal Milos. Ndryshe nga demokratja Topalli, demokrati social, Milo nuk e hodhi shashkën e Ramës për shkak të parimit të sovranitetit. Vija e kuqe që ai përmendi ishte presioni i radhës i kryeministrit antiglobslist, drejtuar ambasadorit amerikan. Ndërsa sovraniteti i Milos është kujdestari që oligarkia kriminale e këtij vendi të ruajë pasuritë, pushtetin e privilegjet e pjesëmarrjes në krim.

Exit mobile version