Kryeministri shqiptar Edi Rama bëri të ditur se parlamenti do të miratojë të ashtuquajturën ‘paketa anti-shpifje’ më 19 dhjetor.
Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ/IFJ) mbështetën thirrjet e degës së tyre në Shqipëri (APJA) për të hequr dorë nga dy projektligjet që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe të medias.
Nëse miratohen, amendamentet e Ligjit për Median Audiovizuale dhe të Ligjit për Komunikimin Elektronik do t’u jepnin organeve qeveritare-Autoriteti Shqiptar i Medias (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)-fuqinë për të bllokuar në çast faqet e medias online dhe për të vendosur gjoba të larta për çdo shkelje të dinjitetit e privatësisë. Ndryshimet në ligje do të sillnin edhe kërkesa të detyrueshme regjistrimi për median online.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA) paralajmëron se këto ligje të reja do t’u jepnin organeve rregullatore ‘kompetenca thuajse gjyqësori’.
Ndonëse organet janë të pavarura me ligj, nuk ka garanci se në praktikë do të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Frika për mungesën e pavarësisë dhe gjobat e larta të vendosura pa kontroll gjyqësor janë ndër parashikimet shqetësuese të nënvizuara nga OSBE në raportin ligjor të publikuar më 9 dhjetor. Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir, paralajmëroi se ‘gjoba të tilla mund të çojnë në mbylljen e medias dhe shihen si presion indirekt’.
Në një deklaratë të përbashkët, EFJ dhe gjashtë organizata për lirinë e shtypit paralajmëruan se ‘propozimet nuk janë në linjë me praktikat më të mira për rregullore të brendshme dhe do të kenë impakt të kundërt në lirinë e shprehjes në Shqipëri’.
‘Ne kemi nevojë për rregullore të brendshme, jo rregullore shtetërore për median online’, thotë Mimoza Koçiu. ‘Shqipëria ka mjaftueshëm ligje për rregullimin e çështjeve të tilla, gjykatat kanë dhënë vendime në të shkuarën.
Ne refuzojmë çdo ligj që parashikon kërkesa regjistrime dhe iu jep rregullatorëve fuqinë për të bllokuar median elektronike dhe për të vendosur gjoba. Ne kërkojmë tërheqjen e projektligjeve’.