Shoqëria Civile nis protestat kundër plehrave më 1 tetor

Dy muaj më parë, Maroku refuzoi pas protestave popullore, importimin e një ngarkese prej rreth 2 500 tonë mbetjesh nga Italia.
Këto mbetje do t’i sjellin në Shqipëri.
Aleanca kundër Importit të Plehrave paralajmëron marshime dhe protesta në qytetet e vendit më datë 1 tetor.
AKIP hedh poshtë pretendimin e Kryeministrit se ligji i miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë “është ndryshe” nga ligji i vitit 2011.
Në disa nga qytetet e vendit aktivistët kanë shkruar emrat e deputetëve, të cilët e votuan ligjin nëpër koshat e plehrave.
Aktivistët nga Shkodra, Elbasani, Saranda dhe Tirana, por edhe nga rrethe të tjera po bëhen bashkë dhe me qytetarët për të marrë pjesë në marshim kundër importit të plehrave në vend.
AKIP ka publikuar në Facebook disa foto për të treguar nivelin e ndotjes nga riciklimi i plehrave.
“Kjo është pamja e fshatit Vrion në Sarandë, ku ndodhet një fabrikë plastmasi. Dhe ky është tymi që del nga djegia. Nxirrini vetë konkluzionet e broçkullave që thotë Shalsi dhe Kryeministri në lidhje me mosrrezikshmërinë e ndotjes nga fabrikat e riciklimit”.
Mazhoranca thotë se janë vetëm 4 mbetje, por sipas AKIP dhjetëra të tjera janë të padeklaruara.
“Aleanca kundër Importit të Plehrave denoncon fushatën dezinformuese të Kryeministrit Edi Rama dhe të segmenteve mediatike ndaj tij mbi çështjen e ligjit për lejimin e importit të plehrave dhe dëshiron të sqarojë opinionin publik se i konsideron deklaratat e Kryeministrit gënjeshtra. Sa i përket plehrave të krijuara nga riciklimi i plehrave të importuara, AKIP i sugjeron Kryeministrit Rama të vizitojë brigjet e lumit Shkumbin për të parë malin me plehra të lëna pas nga kompania ‘Kurum’, e cila prej vitesh vijon të importojë skrap për të lënë pas ndotje dhe plehra. AKIP hedh poshtë gjithashtu pretendimin e Kryeministrit se ligji i miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë ‘është ndryshe’ nga ligji i vitit 2011.
Në fakt, ligji është po i njëjtë. Në lidhje me pretendimin e Kryeministrit se ligji është kërkesë e BE-së, AKIP thekson se nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë kërkesë speficike nga ana e Bashkimit Europian për të detyruar Shqipërinë të importojë plehra. Në të gjitha raportet e progresit, të cilat përgatiten çdo vit nga ana e Komisionit Europian, çështja e ndalimit të importit të plehrave nuk është ngritur kurrë si shqetësim nga ana e Komisionit dhe për rrjedhojë, ky argument nuk vlen. Rregullat e Bashkimit Europian me të vërtetë lejojnë importin apo eksportin e lirë të mbetjeve, por lejojnë gjithashtu dhe nxisin të gjitha vendet anëtare që të menaxhojnë mbetjet e tyre sa më pranë vendit ku krijohen dhe lejojnë çdo vend anëtar që për shkak të kushteve të caktuara teknologjike të ndalojnë importin e mbetjeve apo të nxisin importin e tyre sipas nevojës dhe interesit. AKIP këshillon Kryeministrin të mos fyejë kritikët dhe kundërshtarët e importit të plehrave, pasi fyerje të tilla vështirë se do t’i bëjnë plehrat që ai ka vendosur të importojë, më të pastra dhe më pak ndotëse”.

Exit mobile version