Për prishjen e befasishme të 3 objekteve pasditen e sotme në zonën e ‘Selvisë’ kanë folur për FaxNews dy banorët të cilët janë edhe pronarët.
Sipas tyre, ata disponojnë leje ndërtimi dhe hipotekë për objektet e tyre, ndërkohë që prishja ka ndodhur pa asnjë dokument zyrtar apo lajmërim paraprak.
“Këto janë ndërtime me leje. Nuk na kanë lajmëruar fare. Qytetarët e ndryshëm na kanë marrë në telefon dhe na kanë thënë që po na prishin lokalin. Ne do të bëjmë kallzim penal ndaj Bashkisë së Tiranës që nesër në mëngjes. Nuk ka pasur asnjë lajmërim për këtë prishje, ndaj unë do të ndjek rrugën ligjore.
Ne jemi dy persona, të dy me leje ndërtimi, gjithçka e kemi në rregull. Vetëm ne na kanë prishur të tjerët jo”, deklaroi për Fax News Gani Kajtazi.
Ndërkohë një tjetër pronar ka kërcënuar edhe me vetëflijim.
“Ne disponojmë 2 biznese, me letra të rregullta, me tokë të blerë. Dhe vijnë na e prishin biznesin pa asnjë lajmërim pa asgjë. Nuk jemi njoftuar as për të hequr objektet brenda bizneseve.
Unë me atë jetoj. Jam dhe i sëmurë, nuk kam mënyrë tjetër jetese. Më kanë lajmëruar punëtorët. Më vjen më kollaj të fus duart në korrent, nuk di si të veproj. Edhe policët erdhën, por ata janë të njëanshëm”, tha Edmond Shllaku.