Nga Imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit
“Shqipëria ka burime shumë të pasura natyrore, por megjithatë, pas rënies së diktaturës e pas 25 vitesh të demokracisë, vijojnë protestat dhe emigracioni”. Kështu shprehen ipeshkvijtë e Kishës katolike në thirrjen për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës, që vijon.
E për të gjetur një rrugë të drejtë, ku shqiptarët mund të ecin me krenarinë tradicionale kombëtare, pa u shkuar kurrë nëpër mend ta braktisin vendin, të cilin bota e njeh si “i shqiponjave”.
Duke vështruar realitetin shqiptar me syrin e Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, shikojmë në situatën e sotme të vendit, ndërthurjen e korrupsionit, me interesat ekonomike të një grushti njerëzish dhe me emigracionin në dalje. Vend i pasur me burime, Shqipëria – e edhe më “i pasur” me të varfër e të korruptuar.
E ky është një nga faktorët, që i shtyn banorët të kërkojnë të largohen nga vendi. Ndërsa ata, që janë larguar, të mos dëshirojnë të kthehen më në Atdhe, ku zakonisht i presin ankthshëm prindërit pleq, të vetmuar, e shtëpitë e braktisura që, me xhamat e thyer, të kujtojnë vendet ku kalojnë uragane shkatrrimtare të natyrës. Po nuk është natyra shkaktare e shkretimit.
E tanimë nuk mund të fajësojmë as diktaturën a pushtimet. Është uragani i korrupsionit, i përçarjes dhe i ndeshjes, që e pengon ecjen përpara. Ndërsa natyra shqiptare ofron një mori mundësish që, të mirëpërdorura në dobi të të gjithëve, do të krijonin kushtet për të jetuar më begatisht në Atdhe, se në viset e huaja, ku ndjehesh gjithnjë “i huaji”.
Po ikja nga vendi vijon. Është e pranishme deri ndër ëndrra. Sepse ku vijon të jetë i pranishëm korrupsioni e kriminaliteti, vijon të jetë i pranishëm edhe polarizimi i shoqërisë, vijojnë të ngrihen “rrokaqiej”, pranë e pranë shtëpive të vjetra, gjysëm të shembura; dyqane moderne – pranë e pranë mallrave, që shiten në rrugë të madhe, duke të kujtuar viset më të humbura të Afrikës.
E për gjithë këtë mënyrë, tashmë të papranueshme jetese, shumica e shqiptarëve vijon të tregojë me gisht klasat e kamura me një shpejtësi të rrufeshme, me rrugë edhe të paligjshme e të theksojë se kësaj situate mund t’i jepet fund vetëm duke e luftuar me të gjitha mjetet e deri në zhdukje të plotë, korrupsionin.
Për Kishën katolike, dëmet materiale të korrupsionit janë të pallogaritshme, por edhe më të mëdha janë dëmet shpirtërore. Në krye të tyre, humbja e plotë e besimit të popullsisë në institucionet e vendit të vet, pa bërë dallime ndërmjet pushtetarëve e opozitës.
“Ne – shkruajnë Ipeshkvijtë e Shqipërisë – duke u bazuar në doktrinën shoqërore të Kishës universale si dhe në traditën e Kishës katolike në Shqipëri, do të jemi gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë, që duan ta jetojnë të qetë të përditshmen e tyre, të çliruar nga sundimi i dhunës, i korrupsionit, i kriminalitetit, i papunësisë, i detyrimit për t’u larguar nga vendi në kërkim të kushteve më të mira. Këto janë problemet e mëdha, që pozita e opozita duhet t’i diskutojnë së bashku, për të gjetur zgjidhjet e duhura, duke kërkuar të mirën e përbashkët, që ka pëparësi mbi të mirën e partisë.
Ne jemi e do të jemi për një Shqipëri demokratike, ku institucionet respektohen e respektojnë popullin e ligjet dhe punojnë për të gjithë, e jo vetëm për pak njerëz”.