Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i është drejtuar me anë të një letre Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së, ku i bën të ditur planin për krijimin e strategjisë së anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë në union. Kjo strategji do të jetë gati deri në fund të vitit 2018-të, me një perspektivë të anëtarësimit të Beogradit dhe Podgoricës në vitin 2025. Në një nga dhjetë prioritetet e “Rrugës drejt një bashkimi më të madh, më të fortë dhe më demokratik”, Serbia dhe Mali i Zi përmenden si kandidatet kryesore të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE. Fokusi kryesor që do të kenë këto vende në rrugën e anëtarësimit është sundimi i ligjit, të drejtat themelore, lufta ndaj korrupsionit dhe stabiliteti në rajon. Ky plan strategjik i Juncker i përshtatet atij të komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili ka deklaruar më herët se Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet e Ballkanit më pranë BE-së. Sa i përket Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës, këto shtete nuk përmenden fare në strategjinë e anëtarësimit të Juncker-Hahn. Nëse Serbia do të jetë anëtare e BE-së më 2025-ën, ndoshta shqiptarët duhet të presin 2030-ën për të qenë pjesë e Europës së bashkuar, 13 vite nga sot dhe 40 vite nga 1990-ta. Komisioni Evropian po planifikon të krijojë “Startegjinë për anëtarësimin e suksesshëm të Serbisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2018, me një perspektivë të qartë për anëtarësim të plotë në BE më 2025. Në një nga 10 prioritetet e “Hartës për një Bashkim më të fortë, më të bashkuar dhe më demoratik” Serbia dhe Mali i Zi përmenden si kandidatët kryesorë në Ballkanin Perëndimor për t’ju bashkuar Bashkimit Evropian, dhe duhet krijuar një strategji për to. Njësoj ka deklaruar edhe komisioneri për Zgjerimin e BE, Johannes Hahn më 12 korrik 2017 në një intervistë për “Deutsche Welle” në fund të takimit informal të kryeministrave të Ballkanit. Komisoneri Hahn u shpreh se BE po zhvillon negociata momentalisht vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa vendet e tjera, përfshirë dhe Shqipëria, janë ende shumë larg. Deklaratat e Komisionerit Hahn u mbështetën edhe nga eurodeputeti David McAllister, një prej negociatorëve mes Kryeministrit Rama e kreut të PD Basha, i cili në një intervistë për “Deutsche Welle” në korrik të 2017 u shpreh se aktualisht më pranë negociatave me BE janë Mali i Zi dhe Serbia, vendet e tjera kanë ende shumë punë për të bërë. Deklaratat e përfaqësuesve të BE-së bien ndesh me propagandën e Kryeministrit, i cili duke e ditur se BE nuk do të hapë bisedimet për anëtarësim ka filluar fajësimin e politikave të BE-së. Në seancën e parë të Kuvendit më 11 shtator ai u shpreh se: Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë, pastaj është temë për diskutim, çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë bëjmë ne më mirë. Po kthehem pak pas dhe po ju kujtoj që ecuria me 5 prioritetet ishte e tillë që nga komisioni u vendos si pikë fundore, reforma kushtetuese në drejtësi për të hapur negociatat. Reforma kushtetuese në drejtësi kaloi, negociatat nuk u hapën. Pastaj u vu vettingu. Vettingu kaloi dhe sigurisht pritet implementimi i vettingut, por kjo është si ta marrësh, sepse implementimi i vettingut ka nisur. Rezultatet e para do të vijnë shumë shpejt, por nëse për arsyet e veta Bashkimi Europian do të kërkojë më shumë kohë, atëherë mund të vazhdojë të thotë, ‘vazhdoni thellohuni, thellohuni, me implementimin’. Ne e dimë mirë këtë ‘thellohuni’ se çfarë do të thotë”.