E ndërsa Shqipëria i është dorëzuar pushtetit të flakëve, Kryeministri Edi Rama vijon prej një jave të freskohet në vilën luksoze qeveritare në Dhërmi. Në fakt e gjithë qeveria është me pushime. As kryeministri dhe asnjë ministër nuk ka reaguar as edhe një herë të vetme në lidhje me situatën në vend, ndonëse do të duhej të ishte shpallur që prej një muaji gjendja e emergjencës civile. Prej një muaji, Shqipëria nga veriu në jug është përfshirë nga zjarret masive, mijëra sipërfaqe pyjesh e kullotash janë bërë shkrumb e hi, ashtu si edhe mijëra sipërfaqe ullishtash, vreshtash, dru frutorë e kulturash bujqësore janë asgjësuar tërësisht.
Por flakët nuk po kërcënojnë vetëm sipërfaqet e pyjeve dhe kulturat bujqësore. Për shkak të përmave të mëdha të zjarreve, flakët po kërcënojnë seriozisht banesat dhe jetët njerëzore. Janë me dhjetëra rastet e ndihmës së kërkuar nga banorë të zonave të ndryshme, të cilët i drejtohen mediave për të kërkuar ndihmë, ndërsa qeveria vijon pushimet, inekzistente për të përmbushur detyrimet e saj.
Por ndërsa banorët thërrasin për ndihmë dhe apeli i tyre shkon në vesh të shurdhët, Rama vijon i qetë pushimet e tij luksoze në vilën qeveritare të restauruar tërësisht nën kujdesin e tij, pa e vrarë fare për situatën emergjente me të cilët po përballet vendi dhe banorët e zonave të prekura.
Edi Rama e ka rikonstruktuar vilën e pushimit duke e kthyer në një vilë në stil modern, me ngjyra të lehta dhe i ka shtuar edhe disa piktura, ndërsa duken karriget e markës Kartell, një prej më të njohurave për mobilimin e shtëpisë. Por ndërsa ka shpenzuar qindra mijëra euro për disa ditë pushime luksoze në Dhërmi, Rama ka zhdukur fondet e emergjencave civile duke lënë vendin të shkrumbohet derisa zjarret të shuhen vetë.
Dje, një zjarr i përmasave të mëdha rrezikoi disa familje në fshatin Trodhen në Bushkash. Banorë të zonës kanë ngritur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar, pasi flakët po u afroheshin shtëpive të tyre. Duke folur për “News 24”, një nga banorët thotë se nga zjarri rrezikohen jo vetëm banorët, por edhe disa stane në zonë dhe bagëtitë e tyre. Banorët e zonës bëjnë apel për ndihmë në “News24”, pasi deklaronin se ndihen tejet të rrezikuar, pasi flakët po u mbërrinin afër shtëpive. Ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë, ndaj banorët bëjnë apel që të dërgohen helikopterë për të shuar zjarrin.
Ndërkohë të gjitha qarqet e vendit vijojnë të vuajnë zgjerimin e vatrave të zjarrit. Shtabi i emergjencave civile ka ngritur duart lart duke deklaruar se e ka të pamundur të përballojë situatën duke kthyer sytë në drejtim të paditur.