Nga Prof. Dr. Kastriot Islami
25 vjet Parlament pluralist demokratik janë edhe shumë por edhe pak për të ndërtuar një demokraci perëndimore, liberale dhe funksionale. Demokraci pluraliste parlamentare. Shtet ligjor. Rend e siguri në respekt të të drejtave të njeriut. Drejtësi profesionale e të paanshme. Për t’u anëtarësuar në NATO dhe qenë kandidat për në BE.
Tranzicioni 25-vjeçar shqiptar është karakterizuar nga lufta e ashpër politike, më shumë për pushtet sesa për parimet e demokracisë, vendosjen e shtetit ligjor, drejtësinë e pavarur, e madje në ndonjë rast ka vendosur në plan të dytë edhe çështjet madhore të integrimit. Megjithatë politika e jashtme, konstruktive ka qenë e pa cenuar nga ndarjet partiake po ashtu edhe çështja madhore e Kosovës.
2016 e pakrahasueshme me 1991. Në varësi të këndvështrimit, shpesh duken të paimagjinueshme arritjet dhe situata aktuale duket e pakrahasueshme me atë të para vitit 1990. Shpesh duket se jemi ende shumë larg asaj që kemi ëndërruar apo ku edhe madje dje apo sot synojmë të shkojmë. Empirikisht të gjithë bien dakord se, shpejtësia dhe cilësia e tranzicionit shqiptar mund të kishin qenë ndryshe, pra shpejtësia më e madhe dhe cilësia më e lartë. Kurse përgjigjet e pyetjeve përse këto dy kërkesa nuk janë realizuar, në shumicën e rasteve janë subjektive, jo fort të thelluara, dhe të pastudiuara integralisht.
Shumica nuk janë nostalgjikë për para 1990. Situata aktualisht është e pakrahasueshme me para 1990 dhe kjo as që duhet vënë në diskutim. Ata që kanë jetuar para 1990 ju duket sot sikur kanë jetuar në dy planete të ndryshme dhe në dy shekuj shumë larg njëri-tjetrit. Besoj shumica dërmuese nuk ka fare nostalgji për para 1990 ndonëse reminishenca, metoda a sjellje autoritare, të kamufluara me veshje “kontemporane” mbeten ende një rrezik potencial për zhvendosjen drejt sistemeve autoritare të pakicës, që mund të ishte kryesisht oligarkike apo diçka tjetër, shpresoj të paktën jo fetare. Natyrisht një pjesë mbetet ende nostalgjike për ndonjë aspekt, por më shumë kjo është emocionale sesa e shpjegueshme racionalisht dhe lidhet ose me paaftësinë për t’u integruar në kushtet e demokracisë e të ekonomisë së tregut ose me ndonjë një “rehati” personale para 1990.
Shembuj të shumtë të ndryshimeve të mëdha 2016-1991. Mund të jepen shembuj të shumtë për ta provuar ndryshimin e madh. Parlamenti pluralist as që mund të krahasohet me Parlamentin monist, në çdo aspekt. Kushtetuta jo e jo. Ligjet që gjithashatu prej disa vitesh përafrohen me kërkesat europiane janë të pakrahasueshme me ato të para vitit 1990, ndonëse zbatimi i ligjit dhe vendosja e shtetit ligjor lëngojnë ende diku më shumë e diku më pak. Insitucionet e pas 1990 gjithnjë e më shumë të ngjashme me ato të vendeve të BE dhe NATO as që mund të krahasohen me ato të sistemit komunist. Funksionimi i tyre as që bëhet fjalë. Angazhimi dhe roli i Parlamentit në aktivitete ndërkombëtare parlamentare është në mënyrë të paimagjinueshme i pakrahasueshëm me ato të para 1990. Kështu mund të vazhdohet me politiken e jashtme e diplomacinë parlamentare. Rolin e kontributit në rajon. Rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA, Gjermani, Britani, Vatikan, Greqi, e tjerë, të ndërprera para 1990. Kërkesa, anëtarësimi dhe kontributi në NATO janë arritje historike, ndërkohë që para 1990 ajo konsiderohej armike. Progresi drejt BE s’ishte as ëndërr para 1990, ndërkohë që distanca prej saj është shkurtuar ndjeshëm.
Mirëqenia e rritur në mënyrë të konsiderueshme. Rritja e të ardhurave për frymë nga 200-300 dollarë në 1990 është rritur në rreth 4500 dollarë për frymë aktualisht pra 20 herë ështe e paimagjinueshme. Paga mesatare nga 600 lekë në muaj në 30 mijë lekë në muaj, pra rreth 50 herë, një rritje e paimagjinueshme, ndërkohë që çmimet janë rritur me ritme më të ulta, të themi çmimi i bukës është rritur nga 4 lekë në 50 lekë pra vetëm 10 herë. E tjerë e tjerë. Natyrisht, shqiptarët nuk janë të kënaqur…Dhe gishti drejtohet në shumicën e rasteve drejtohet te politika dhe më konkretisht te qeveria e më tej te Parlamenti. Sepse rritja ekonomike nuk është shoqëruar me rritje të mirëqenies… për shkak të korrupsionit, papunësisë, varfërisë ende të larta dhe polarizimit të konsiderueshëm. Dhe qytetarëve nuk ju duket se është bërë ajo që duhet për interesin publik.
Përse kjo mospërputhje mes arritjeve të pakrahasueshme dhe perceptimit publik? Mendoj se ka shumë arsye, por dy arsye janë kryesore. Së pari, pritshmëria e të gjitheve në 1990, mesa analizojmë sot realitetin, rezulton të ketë qenë shumë më e lartë pra jo realiste, siç duket në atë kohë. Së dyti, rruga për të arritur te “standardet europiane” në demokraci, ekonomi, të ardhura të përgjithshme apo për frymë, mirëqenie, arsim, shëndetësi, duket ende shumë larg. Vetëm një parametër, të ardhurat nominale për frymë në Shqipëri janë 4500 dollarë për frymë dhe në 28 vendet e BE janë mesatarisht rreth 36 mijë dollarë, pra ne ndodhemi në nivelin e 12 për qind të mesatares së të ardhurave për frymë të 28 vendeve të BE, ndërkohë që 15 shtete kryesore të BE janë mbi këtë mesatare dhe Bullgaria në pozicionin më të ulët është me rreth 20 për qind.
E kaluara, varfëria e korrupsioni, përcaktuan shpejtësinë e cilësinë e tranzicionit. Si mund të shpjegohen këto perceptime apo realitete? Arsyet janë disa. Së pari, e kaluara jonë mesa duket rezulton një pengesë e keqllogaritur në 1991, për pritshmëritë në të ardhmen, ky parameter duket ka luajtur një rol në cilësinë dhe ecurinë e procesit të tranzicionit 25-vjeçar. Shqipëria vlerësohet vendi me komunizmin më të egër dhe vendi më i izoluar i kontitentit. Së dyti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet vendi më i varfër i kontinentit dhe në të gjithë studimet ky është një parametër që përcakton shpejtësinë e cilësinë e progresit demokratik. Së treti, një vend i mbyllur e me tradita të ulta demokracie, me hapjen e vendit ndaj demokracisë dhe ekonomisë së tregut ka shfaqur shenja të avancuara të korrupsionit, krimit e trafiqeve, të një lufte politike të ashpër për pushtet, duke përcaktuar trajektoren jo vetëm me ngjitje të ngadaltë, por edhe me ulje e ngritje të këtij procesi të tranzicionit demokratik.
Shqiptarët jo fort të kënaqur… Nga një bilanc i suksese/arritjeve dhe mosarritjeve/dështimeve e deri krizave pas 25 vjetësh, Shqipëria, një vend komunist, madje stalinist klasifikohet një demokraci hibride, ndonëse anëtare e NATO dhe kandidate e BE. A janë të kënaqur shqiptarët? As emocionalisht dhe as racionalisht nuk duken të jenë të kenaqur. Disa arrijnë të vendosin në një analizë racionale të kaluarën, potencialet, arritjet dhe dështimet, duke u përpjekur të përcaktojnë një vlerësim më realist e një qasje më optimiste për të ardhmen. Disa të tjerë, rezultojnë pas 25 vjetësh, më pak optimistë dhe deri-diku të pashpresë, dhe për rrjedhojë duan të largohen nga vendi. Shqipëria është ndoshta vendi që ka prodhuar më shumë emigrantë në këto 25 vjet nga të gjithë vendet e Europës Qendore e Lindore, kryesisht për shkak të së kaluarës, por edhe për shkak të perceptimeve jo fort pozitive e deri pesimiste gjatë tranzicionit.
Parlamenti ka degraduar këto vitet e fundit. Mendoj se ka një parametër që ka pësuar regres; dhe këtë “përfundim” do ta evokoj më shumë për ta përcaktuar si një nga sfidat e ardhshme të demokracisë shqiptare e natyrisht të Parlamentit shqiptar. Po krijohet bindja, gati-gati e palëkundur, dhe kjo jo vetëm si perceptim apo si emocion, por edhe si realitet apo bindje racionale se cilësia e Parlamentit ka degraduar. Parlamenti është më pak cilësor. Me deputetë më pak të arsimuar. Me deputetë që kanë rekorde të dyshimta madje deri kriminale. Me deputetë që vijnë nga pozicione “lukrative”, pasuria e të cilëve është realizuar me mënyra të dyshimta përmes përfitimeve antiligjore nga asetet shtetërore apo publike. Deputetë përfaqësues të interesave apo lidhjeve të pashëndetshme politikë-biznes-media, duke qenë në konflikt interesi me shtetin ligjor, interesin publik dhe parimet e demokracisë.
Shqipëria ka devijuar nga rruga e demokracisë liberale. Shqipëria, si një nga vendet e Ballkanit, por edhe të Europës Lindore po përcaktohet kolektivisht me pothuajse të gjithë vendet ish-komuniste për devijim nga rruga drejt demokracisë liberale perëndimore. Përcaktimin më të saktë të këtij rreziku të interesave të korrupsionit e të oligarkisë që nëpërkëmbin aspiratat e qytetarëve si dhe të pasojave të këtij dizorientimi e ka përcaktuar Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Pasojat më të mëdha do të ishin tre: 1) largim nga rruga e demokracisë liberale, 2) krijimi i hapësirave për penetrimin e faktorëve të tretë, anti-perëndim, anti-NATO, anti-SHBA e anti BE, pra anti-familjes ku jemi apo duam të shkojmë apo anti objektivave të partnerëve tanë strategjike, 3) vënien në rrezik të sovranitetit dhe integritetit të vendit.
Sfida më e madhe e Shqipërisë, një demokraci ende e cilësuar hibride, e cila ndodhet në një udhëkryq me dy mundësi është i) drejt demokracisë liberale e perëndimore apo ii) drejt një regjimi autoritar të një pakice korruptive, oligarkike apo diçka tjetr, e ngjashme me disa nga modelet tashmë të mirënjohura në rajon apo më gjërë. Ky do të jetë vendimi më i rëndësishëm shqiptar, ndoshta po aq historik sa në 1912 dhe 1991, për të ruajtur orientimin e demokracisë liberale e perëndimore. Kjo do të ishte rruga e natyrshme dhe që me siguri do ta mbështesnin shumica e qytetarëve, jo vetëm në sondazhe, por edhe me veprimet e sakrificat e tyre, si dhe një pjesë e politikanëve e intelektualëve patriotë që duan më shumë vendin sesa pushtetin. Nuk është e lehtë, duket e komplikuar, por është plotësisht e mundur të përballohet me sukses kjo sfidë. Unë ende besoj fuqimisht…