Nga zaptimi i gjithë bregdetit të Durrësit, përvetësimit të Hotel “Vollgës”, ndërtimi i një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, përvetësimi i sipërfaqeve të trojeve në kodrën mbretërore, të tjera të dhëna hedhin dritë mbi njw listw edhe më të gjatë pronash të zotëruara nga Emiljano Shullazi. Bëhet fjalë për biznese,prona e troje tw cilat ai ua ka zhvatur biznesmenëve të ndryshëm përmes kërcënimeve dhe presioneve me jetë.
Ish-kryeministri Berisha publikoi dje të dhëna të reja të denoncuara nga qytetarë në lidhje me pronat e Shullazit, të cilat kanë të bëjnë pronësinë e një karburanti në Rrugën e “Kavajës”, “Veliaj” përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit. Pronë truall rreth 3000 mijë m2 në rrugën “Vangjel Noti” pas karburant Eldes si dhe së fundmi ai është pajisur edhe me një leje ndërtimi funksionale. Berisha bën të ditur se Shullazi i ka marrë këto prona duke kërcënuar kryeregjistruesit e Tiranës dhe Durrësit dhe se Rama ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve.
“Dokumentet për pronësinë e Hotel “Vollgës” i ka firmosur duke i vënë revolen në kokë kryeregjistruesve të Durrësit dhe Tiranës. Kryeregjistruesi i Tiranës ka njoftuar për këtë akt Edvin Shullazin, por ai i ka e lënë në mëshirë të fatit të LSI duke i thënë mos më ngatërro me këto probleme!” shkruan Berisha në reagimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit bëhet e ditur mënyra se si Shullazi u zhvaste bizneset biznesmenëve.
“Mirëmbrëma z.Berisha! Më duhet t’ju bëj me dije edhe dy grabitje me forcë të dy pasurive në Tiranë të Shullazit&co: 1. Karburantin te Rruga e ‘Kavajës’, ‘Veliaj’ përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit, të zotin e ka detyruar që t’ia shesë dhe i ka dhënë në dorë, kesh 500 000€!!!! 2. Prona tokë, truall te sheshi ‘Shqiponja’, kryqëzimi i rrugës ‘Dritan Hoxha’ me rrugën ‘Vangjel Noti’, është një karburant aty, Elda, pas tij rreth 3000 metër katror, pa asnjë lekë! I kërkuan që ta shiste, jo i tha ai, pastaj ia morën me forcë, pa asnjë lekë! Është folur se ka marrë edhe një leje ndërtimi, multifunksionale!” thuhet në denoncimin e qytetarit.
“Për regjistrimin e pronës në Durrës, Shullazi bashkë me një tjetër ka hyrë në zyrën e kryeregjistruesit Ilirjan Muho, duke e kërcënuar me armë pistoletë. Iliriani ka njoftuar direkt Kryeministrin Rama, i cili i ka thënë se je i LSI dhe unë nuk ndërhyj në çështje të Hipotekës. Këto thuaja Ilirit! Disa ditë më vonë, pasi prona nuk po regjistrohej i ka dalë përpara tek Stadiumi ‘Dinamo’, duke i ndaluar makinën me forcë dhe duke i rënë me shpulla e ka kërcënuar sërish me jetë. Pasi ka ndodhur gjithë kjo është regjistruar prona. Dhe në fund e ka pështy. Të uroj çdo të mirë e Zoti të bekoftë, me shumë respekt nga Lapraka” bëhet e ditur në denoncimin e qytetarit. Lista e pronave të Shullazit të zhvatura përmes kërcënimeve me jetë është e gjatë.
Në qytetin e Durrësit, përveç pronësisë së Hotel “Vollgës”, Shullazi kohët e fundit ka marrë një leje të firmosur nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit. Por krahas kësaj leje, Shullazi ka marrë pothuajse nën zaptim gjithë bregdetin e Durrësit përmes pesë kompanive të tij për të menaxhuar sezonin turistik, ndërsa ka marrë në pronësi gjithashtu edhe një territor rreth kodrës mbretërore.
Arben Shahini