Shqiptarët trafikohen drejt Anglisë si tifozë

Policia e Venecias në bashkëpunim me atë të Veronas në Itali, ka nisur një operacion të gjerë kundër trafikut të qenieve njerëzore. Në hetime janë të përfshirë shtetas italianë, shqiptarë dhe britanikë, të cilët sipas Drejtorisë së Anti-mafia dhe Anti-terrorizimi të Venecias janë përgjegjës për transportin ilegal të emigratëve. Rreth 90 persona pjesë të dy grupeve të ndryshme, janë ndaluar nga karabinierët.
Këto të fundit mundësonin futjen në mënyrë ilegale të qindra shqiptarëve dhe kosovarëve në Britaninë e Madhe, duke përdorur porte dhe aeroporte të Italisë, Austrisë, Francës, Gjermanisë, Irlandës, Polonisë, Portugalisë dhe Spanjës.
Sipas informacioneve të dyja grupet kishin baza logjistike, në krahinën e Venetos (Treviso dhe Verona, në Londër dhe në Burrel.
Sipas hetimeve për të kaluar kufirin emigrantët shpesh përdornin karta identiteti të vjedhura në zyrat e komunave, apo të shitura nga të rinjtë italianë në këmbim të parave.
Por në disa raste, këto grupe për të futur në Britani grupe të mëdha emigrantësh organizonin grupime falso tifozësh për ndjekjen e ndeshjeve të futbollit, si në rastin e ndeshjes Manchester-Roma në 30 shtator 2014, ku emigrantët u kamufluan në Aeroportin e Nicës në Francë, me fanela të skuadrës italiane. Në fakt, largimi i shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe është rritur shumë muajt e fundit. Vetëm pak ditë më parë një grup prej 18 emigrantësh shqiptarë kanë rrezikuar mbytjen ndërsa gomonia me të cilin lundronin u mbyt në kanalin e La Manche.
Mësohet gjithashtu se autoritetet u vunë në dijeni për barkën që po mbytej vetëm nga telefonatat e familjarëve të të rrezikuarve. Emigrantët shqiptarë, mes të cilëve gjendeshin edhe dy shtetas britanikë, të cilët dyshohet se ishin trafikantë, lundronin me një barkë në kanalin që lidh Britaninë e Madhe me Francën. Emigrantët u çuan në Qytetin Dover, ku dhe po merren në pyetje nga oficerët e Forcës Kufitare Britanike.
Një ish-kryeinspektor i emigracionit dhe kufijve në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar se shumë njerëz mund të humbin jetën në këto brigje në përpjekje për të arritur në mënyrë ilegale rrugën drejt Mbretërisë së Bashkuar. John Vine ngriti shqetësimin e tij, pasi 18 shqiptarë dhe shtetas me kombësi britanike u shpëtuan në brigjet e Kent, mbrëmjen e së shtunës.
Zoti Vine, i cili ka qenë inspektor për kufijtë dhe emigracionin deri në vitin 2014 tha se ai prej shumë kohësh ka ngritur alarmin mbi këtë situatë, por çështjes asnjëherë nuk i është dhënë vëmendja e duhur. Ai gjithashtu nënvizon se, kalimi përmes këtij kanali është shumë i rrezikshëm dhe njerëzit që përpiqen të kalojnë përmes tij mund të rrezikojnë edhe jetën. Vine i tha BBC se, “Ne kemi parë tragjeditë që kanë ndodhur në Mesdhe. Unë jam një person që kam eksperiencë me detin, por me bindje kalimi përmes këtij kanali ka rreziqe, trafikimi i njerëzve përmes kësaj rruge vë në rrezik seriozisht jetët e tyre. Kjo gjë duhet ndalur”.

Exit mobile version