Shtatë pyetje Kumbaros, mbi nxitimin dhe fshehjen e projektit

Partia Demokratike kërkon ndaljen urgjente të punimeve brenda mureve të lashtë të Butrintit, i mbrojtur aktualisht nga UNESKO si pasuri kulturore botërore. Sot, PD ka thirrur në një seancë dëgjimore ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, autore e dhënies së lejes së ndërtimit skandaloz që po shkatërron një nga pasuritë unike kombëtare shqiptare. Përmes një deklarate për mediat, deputetja e PD, Albana Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë në mënyrë urgjente punimet, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë rastin në fjalë. PD i bën thirrje qeverisë të ndalojë në mënyrë urgjente çdo lloj ndërtimi brenda Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, deri në sqarimin e plotë të të gjitha pretendimeve të ngritura nga profesionistët e fushës, shoqatat dhe media. PD i bën thirrje Prokurorisë të kryejë hetime të thelluara në lidhje me këtë ndërtim, i cili pretendohet që po shkatërron pjesë të vlerës e të kulturës shqiptare. Ne kemi kërkuar dëgjesë urgjente me ministren e Kulturës që do të mbahet nesër në orën 17:00 në Komisionin parlamentar të Medias dhe Kulturës. Dhe do të bëjmë transparencë të plotë për këtë rast skandaloz. Deri atëherë, ne përsërisim kërkesën që qeveria të ndërpresë menjëherë punimet që po bën brenda Parkut Arkoelogjik të Butrinit, pjesë e Trashëgimisë Botërore Kulturore”, tha Vokshi. Nga ana tjetër, ajo shprehu shqetësimin e PD për papërgjegjshmërinë totale të qeverisë dhe ministrisë përkatëse në shkatërrimin e pasurisë kombëtare. Ajo solli në vëmendjen e opinionit publik reagimin e përfaqësueses së UNESCO-s për ngjarjen skandaloze në Butrint sipas të cilës UNESCO nuk ka dijeni për një ndërtim të tillë e as nuk ka dhënë një leje ndërtimi në zonën e mbrojtur të Butrintit. “Prej disa ditësh, PD po ndjek me vëmendje e shqetësim debatin mbi disa ndërtime të lejuara nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbari, në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit. Butrinti është një nga qendrat më të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore të vendit, është vlerësuar si pasuri e Trashëgimisë së njerëzimit. Monumentet e shumta arkeologjike mijëvjeçare në këtë qytet antik për shkak të rolit në Thesarin e Kulturës Kombëtare, e bëjnë të jetë nën mbrojtjen e UNESCO-s që prej vitit 1992. Arkeologë e profesionistë të shquar të fushës, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kanë denoncuar me forcë mënyrën skandaloze të vendimeve të marra nga ministrja e Kulturës, në mungesën totale të transparencës, në një zonë ku ndërtimet pranë një muri prehistorik, që daton në shekullin 7 dhe 5 para Krishtit, janë kategorikisht të ndaluara. Procedura e dhënies së lejeve nga ana e Keshillit Kombëtar të Arkeologjisë e më pas nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (të dy të kryesuar nga ministrja vetë) janë në shkelje totale të ligjit, dhe janë dhënë për më pak se dy javë. Po sot, përfaqësuesja e UNESCO u shpreh se ky institucion nuk ka dhënë leje për një ndërhyrje të tillë, çka nxjerr zbuluar ministren Kumbaro”, tha Vokshi. Parku i Butrintit është rrethuar dhe nuk lejohet të futen as gazetarët dhe as qytetarë të thjeshtë. Në Park, futen vetëm kamionët me beton dhe tulla. Sipas banorëve të zonës, në mes të Parkut po ndërtohet një lokal me pronar nga Tirana. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit Antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Punëtorët kanë marrë urdhër për ta mbuluar me barriera jeshile vendin në mes të Parkut, ku tashmë janë hedhur themelet e betonit të lokalit. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.

Pyetjet

Cila është arsyeja e një nxitimi kaq të madh në aprovimin e vendimeve të institucioneve në varësi të ministrisë?
Pse ministria refuzon të bëjë publike planin, raportin përkatës së arkeologut që i paraprin çdo ndërhyrje në site të tilla arkeologjike?
Cili është projekti? Sa është kostoja? A ka zhvilluar tender ministria për zhvillimin e punimeve?
A janë bërë gërmimet e detyrueshme para hedhjes së llaçit e betonit?
Cila është pika konkrete ku do bëhet ndërhyrja?
Cili është destinacioni i ndërtimit, dhe kush do ta menaxhojë?
A do jetë një tjetër aferë që këtë herë do shkatërrojë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore të shqiptarisë për klientelën qeveritare?

Exit mobile version