Shtëpia e pasqyrave të Kadaresë: ankthet e një titani letrar

Shënime për botimin në anglisht të librit “Kur sunduesit grinden”

Nga Bronwyn Scott-McCharen

Propozimi i fundit i Ismail Kadaresë në anglisht është një ndërthurje e një loje telefonike dhe hetimit të vendit të krimit. Krimi: një telefonatë e hamendësuar midis udhëheqësit të frikshëm sovjetik Jozef Stalin dhe shkrimtarit të famshëm Boris Pasternak, në të cilën Pasternaku ose mbështet me guxim ose mohon me frikë çdo lidhje me mikun dhe kolegun e tij shkrimtar, poetin e rrezikuar Osip Mandelshtam. Te “Një diktator telefonon”, Kadare është në rolin e hulumtuesit themelor i cili analizon dhe u rikthehet pareshtur këtyre tri minutave që në dukje janë shembull i luftës mijëravjeçare midis artistit dhe pushtetit tiran të cilit duhet t’i shërbejë.

Telefonata, e dhënë si gati mitike nga Kadare, ndodh në vitin 1934. Ngjarjet kryesore të jetës së Pasternakut – burgimi i të dashurës dhe muzës së tij Olga Ivinskaya, trajektorja e ankthshme e botimit të Doktor Zhivagos dhe përdorimi i tij si armë në Luftën e Ftohtë kulturore – ishin ende në të ardhmen. Kjo pjesë e biografisë së tij është shqyrtuar më parë në letërsi (Sekretet që kemi mbajtur nga Lara Prescott) dhe në botim joletrar i Peter Finn-it dhe Petra Couvée-s, Çështja ZhivagoKremlini, CIA dhe Beteja mbi një Libër të Ndaluar; libri i Anna Pasternakut, LaraHistoria e patreguar e dashurisë dhe frymëzimi për Doktor Zhivagon), por këndvështrimi i Kadaresë qëndron midis trillimit dhe joletrares. Në botën shqipfolëse, me titullin “Kur sunduesit grinden” u botua në vitin 2018 si ese, ndërsa përkthimi në anglisht tani është rititulluar dhe botuar si vepër artistike. Çfarë është reale dhe çfarë është trillim mbetet pyetje e vazhdueshme e provokuar nga jeta nën totalitarizëm, por ndoshta kalimi gjuhësor nga jo-letrarja te letrarja është më pak çështje metafore dhe më shumë çështje marketingu (jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, Kadare është i njohur më shumë si romancier). Por sa më shumë që Kadare flet për Pasternakun, Stalinin dhe Mandelshtamin, aq më shumë duket se flet për veten dhe pozitën e tij brenda regjimit stalinist të Enver Hoxhës në Shqipërinë e tij.

E parë prej kohësh si një çudi e Luftës së Ftohtë, e çuditshme edhe për standardet e komunizmit global dhe më gjerë vetë diktaturave, Shqipëria nën Hoxhën u izolua nga perëndimi kapitalist dhe nga pjesa tjetër e Lindjes socialiste shtetërore. Shqipëria u nda për herë të parë nga Jugosllavia e Titos në vitin 1948 – Tito, ndryshe nga Pasternaku, mëtohej se nuk i kishte zbutur fjalët në letërkëmbimin me Stalinin – më pas u nda nga Bashkimi Sovjetik i Hrushovit në vitin 1961, duke e quajtur tokën e Leninit si jo aq sa duhej marksiste dhe më në fund me Republikën popullore të Kinës, pasi kjo e fundit filloi flirtin e saj të ngadaltë me Shtetet e Bashkuara në vitet 1970. Në fillim të viteve 1980, Shqipëria qëndronte e vetme, një ishull shembullor i marksizëm-leninizmit në një det dekadence borgjeze dhe tradhtie revizioniste.

Regjimi i Hoxhës u karakterizua gjithashtu nga paranoja e tij qesharake, por vdekjeprurëse, e shembullzuar nga vdekja misterioze e krahut të djathtë të Hoxhës, Mehmet Shehut, e letrarizuar hollësisht nga Kadare në romanin Pasardhësi (2003). Në një vend ku edhe i besuari më i afërt i diktatorit nuk ishte i sigurt nga vetëvrasja e diktuar nga shteti, si mund të lulëzonte arti dhe kultura? Si mundi kjo mbretëri eremite e mes – shekullit të nxirrte shkrimtarë dhe poetë? Si i krijoi Kadareja disa nga veprat e tij më të mira – Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963), Kronikë në gur,  Pallati i ëndrrave (1981) ndër të tjera – në kushte të tilla?

Me Kadarenë, i cili mbetet i njohur në mbarë botën si shkrimtar shqiptar, është thuajse e pamundur të ndash jetën nga arti. Si i tillë, kalimi nga jo-letrarja te letrarja në Një diktator telefonon që bëhet në përkthim është i dukshëm, i pritshëm, ndoshta edhe i mirëpritur; çdo diskutim i librit do të përfshijë dhe duhet të përfshijë në mënyrë të pashmangshme detaje nga biografia e vetë autorit. Në kohën e Hoxhës, biografia – sfondi klasor i familjes së dikujt si shfrytëzues ose i shfrytëzuar nën rendin e vjetër – ishte themeli i shoqërisë pa klasa. Një biografi e mirë, së bashku me anëtarësimin në parti, të jepte privilegjin e një pune me status të lartë, një diplomë universitare dhe qëndrimin në kryeqytetin e Tiranës, ndërsa një biografi e keqe nënkuptonte një jetë në zgrip, në mos me burgim të përjetshëm ose dëbimin në mërgim të brendshëm në një zonë të largët. Por si e ndriçon biografia e Kadaresë, si në kuptimin hoxhist ashtu edhe në kuptimin bashkëkohor të fjalës, pikëpamjen e tij për Bashkimin Sovjetik në vitin 1934? Dhe çfarë na thotë për Një diktator telefonon?

Komunizmi i Evropës Qendrore dhe Lindore i shekullit të 20-të prirej të krijonte dhe eksportonte një shkrimtar shumë të veçantë: mashkull në gjini dhe mashkullor në stilin dhe këndvështrimin letrar, statusi i të cilit brenda sistemit nuk ishte kurrë aq i qartë sa do të donte audienca perëndimore. Shkrimtarë që nuk ishin as disidentë të dehur nga moralizmi dhe as zëdhënës kulturor të regjimit. Ky panteon i letrarëve kryesorë të Lindjes me Perde të Hekurt, me biografi të ndërlikuar dhe bibliografi mbresëlënëse, përfshin Milan Kunderën e ndarë nga jeta kohët e fundit, Boris Pasternakun dhe vetë Kadarenë. Kandidatura e përhershme për Nobelin është një tjetër karakteristikë e përbashkët e këtij grupi, megjithëse ndryshe nga Kundera dhe Kadare, Pasternakut në fakt iu dha çmimi i madh në vitin 1958. Megjithatë, fitorja ishte jetëshkurtër, pasi Pasternakut iu bë presion i famshëm nga Bashkimi Sovjetik për të refuzuar çmimin; vetëm në vitin 1989 i biri përfundimisht e pranoi në emër të tij. Duke reflektuar mbi reagimin ndaj Nobelit të Pasternakut nga shokët e tij studentë në Institutin Gorki të Moskës, Kadare shkruan: Shumica e studentëve, teksa ulërinin në kor për të denoncuar çmimin, nuk ëndërronin gjë tjetër veçse ta fitonin atë. Megjithatë, pyetja nuk ishte për ata, por për veten time. A duhet të them se çmimi Nobel nuk më kishte shkuar kurrë në mendje? Sigurisht që jo. E kisha menduar shpesh, por sidomos vite më vonë kur u pëshpërit se unë vetë. . . mund të isha në atë listë.

Çështja nuk kishte të bënte me ta, por me mua. E njëjta gjë mund të thuhet për Një diktator telefonon. Si në botime edhe në jetë, Kadareja është edhe Pasternaku shqiptar edhe Mandelshtami shqiptar, njëkohësisht i mbrojtur dhe i dënuar nga regjimi i Hoxhës. Telefonata tri-minutëshe e Stalinit dhe Pasternakut zbulon një anë të kësaj marrëdhënieje mes këtyre “monarkëve të dyfishtë”, siç thotë Kadare, që edhe kundërshton edhe plotëson presionin dhe persekutimin me të cilin u përball Pasternaku gjatë gjithë karrierës së tij. Një telefonatë nga vetë Stalini në vend të një vizite të befasishme nga policia sektrete nënkupton një shkallë të caktuar pranimi – ose të paktën tolerancë – për Pasternakun nga autoritetet sovjetike, një butësi që pesëmbëdhjetë vjet më vonë do të shihte Olga Ivinskaya-n të përfundonte në gulag, në vend të tij. Kadare, po kështu, pranon se ka marrë të paktën një telefonatë lavdëruese nga Hoxha; ndoshta kjo shpjegon idengulitjen e tij prej dekadash pas temës që i jep titullin librit. “Rrallëherë është thënë dhe shkruar kaq shumë për një bisedë telefonike”, shkruan Kadare: mëse e vërtetë.

13 versionet e telefonatës – variacionet për një temë – zbulojnë po aq shumë për Pasternakun, Stalinin dhe Mandelshtamin sa edhe për Kadarenë dhe Hoxhën. Për Kadarenë, kjo telefonatë është më shumë se një telefonatë, por një betejë e të barabartëve.  “Një gjeni artistik ka pushtet”, thotë ai ndërsa mendon për burimet dhe përdorimin e këtij pushteti përpara se të pyesë lexuesit dhe veten: “Kush ishte në dorën e kujt?”

 Tiranët ngrihen dhe bien, por poetët jetojnë përjetësisht është ndoshta mesazhi që dëshiron të përçojë “Një diktator telefonon”, por është një mesazh shumë i çuditshëm dhe klishe për të shpjeguar marrëdhënien midis artistit dhe shtetit totalitar në të gjithë ndërlikueshmërinë e vet, Ne e shohim herë pas here këtë ndërlikim kur Kadare thotë se Pasternaku ishte “vetë… tirani i vërtetë”. A është kjo thjesht një pohim i boshët i trimërisë shtiracake përballë shtypjes? Apo nënkupton disa ujdi faustiane që të gjithë njerëzit, përfshirë artistët, duhet të bëjnë me shtetin për të siguruar mbijetesën e tyre të vazhdueshme? Jo vetëm që Kadare ishte shkrimtar aktiv nën regjimin më të ashpër komunist të Evropës, por ai ishte një shkrimtar i famshëm, i ngritur në lartësi letrare nga të cilat nuk ka rënë kurrë që atëherë. Ndoshta talenti i Kadaresë si shkrimtar ia zbuti zemrën e ngurtë Hoxhës, por vetëm talenti artistik nuk mund të shpjegojë mbijetesën e tij si person publik ashtu edhe si qytetar privat në komunizëm.

“A mund ta gjunjëzojë tirani poetin?” pyet Kadareja për Stalinin, duke nënkuptuar edhe Hoxhën. “A mund ta rrëzojë?” Tashmë në moshën 87-vjeçare, Kadare ka mbijetuar ndaj Hoxhës në shumë mënyra; fituesi në luftën mes tyre është i qartë. Prapëseprapë, kalimi me kujdes i Kadaresë nga pozita e shkrimtarit të shquar në një terren të pasigurt gjatë kohës së Hoxhës te ajo e titanit të sotëm të letërsisë ndërkombëtare është një kalim i mbushur me pyetje që ndoshta nuk do të marrin kurrë përgjigje, sekrete që do të jetojnë më gjatë se vetë Kadareja. Edhe pse herë pas here ka një vështrim të drejtpërdrejtë në veten e brendshme të Kadaresë – “Edhe unë do ta duroja atë udhëtim të frikshëm nëpër dritë dhe errësirë, të përzier si në të gjitha keqkuptimet e mëdha” – në pjesën më të madhe Kadare parapëlqen të flasë përmes trinitetit të Pasternakut, Stalinit dhe Mandelshtam, njëlloj si çdo personazh i krijuar prej tij.

“Kujtesa njerëzore”, shkruan Kadare, “nuk i ka trajtuar me butësi poetët e mëdhenj”. Duke mos lënë mënjanë Nobelin, duket se si Shqipëria dhe bota e kanë trajtuar mirë Kadarenë dhe kanë siguruar vendin e tij në panteonin global të shkrimtarëve të mëdhenj. Por pasiguria mësyn edhe ata që janë në krye. Një diktator telefonon, është, kësisoj, një shprehje e anktheve ekzistenciale të një titani letrar në moshë të vonë, një vepër që kërkon të kontekstualizojë, ndonëse tërthorazi, trashëgiminë e tij artistike dhe politike.

Përktheu: Granit Zela

Exit mobile version