“Shteti i Baba Mondit – dhe rreziku që të duket më serioz se shteti i Edi Ramës”

Nga Desada Metaj

Një intervistë e Edi Ramës në median ndërkombëtare dhe një ide e vagullt për një “shtet brenda shtetit” kanë mjaftuar që narrativa e politikës së ditës të kthehet te “Vatikani” i Shqipërisë.

Disa të zellshëm kanë parë aty teori konspirative, ndërsa mendjet më të ftohta e kanë tallur këtë ide, që duket më shumë si reklamë për promovimin e turizmit shqiptar. Dhe nuk është ide e keqe, po të mendosh se në mes të Europës mund të gjesh një vend të rrethuar e të mbrojtur, me një tabelë ku shkruhet “shteti sovran i bektashinjve të gjithë botës.” Tirana nuk ofron asgjë për vizitorët e Shqipërisë. Një qytet pa muze, pa jetë kulturore, pa parqe, i ngarkuar me kulla dhe beton, ka nevojë për pak “ngjyra”. E sigurisht që Edi Rama nuk mund të mjaftohet vetëm me ngjyrosjen e fasadave. Tashmë si kryeministër, ai mund të krijojë një shtet në “5D” dhe ta ngjyrosë me të gjelbrën e Baba Mondit.

“Kjo nuk është një çështje pronësie, por një çështje shpirtërore,” deklaroi kryeministri në intervistën për *NYT*, edhe pse shpirtërorja e tij dhe e Baba Mondit, që projektohet si sovrani i mini-shtetit, janë të dyshimta, në mos të pakuptimta për shqiptarët që i njohin.

Aq sa shpirtërorja e Baba Mondit parashikon që shteti i konsideruar “islamik” do të ketë edhe alkool në përdorim. “Shteti i tij mysliman që shpresoj ta ndërtojë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit, që do të kontrollojë territorin, do të lejojë alkoolin, gratë të vishen si të duan dhe të mos vendosë rregulla të stilit të jetesës,” – tha Baba Mondi për *NYT*, duke përmendur edhe sipërfaqen prej 27 hektarësh që ka në dispozicion për këtë dëshirë të tij. Mjaftueshëm për të ndërtuar blloqe pallatesh dhe për të krijuar komoditetin e negociuar për një shtet që do të përfshihet në paketat turistike si joshje ekzotike islamike për europianët që vijnë vetëm njëherë në Shqipëri.

Nëse kjo ide dhe dëshirë e Edi Ramës realizohet apo jo, mbetet për t’u parë në ditët dhe muajt në vazhdim. Fakt është që, për të ftuar sa më shumë turistë – si segmenti i vetëm i ekonomisë që funksionon – kryeministri është gati të ndërtojë jo vetëm shtetin e bektashinjve, por edhe të shpikë kala për Skënderbeun apo malin e Zeusit.

Vetëm se do të ishte më e udhës që Baba Mondin ta linte të drejtonte teqenë e tij dhe të mos e përzinte me punë shtetërore. Sepse, ku i dihet, ndoshta shteti i Baba Mondit sfidon atë që ka ndërtuar Rama. Dhe, me gjasë, kreu i bektashinjve do të duket më serioz si shtetar sesa katoliku i pagëzuar Edi Rama.

Exit mobile version