Nga Erblin Vukaj
Një pallat 14-katësh pritet të ngrihet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Ismail Qemali” në ish-Bllok duke vijuar tjetërsimin urban të hapësirave të kësaj zone.
Projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, kulla parashikohet t’i zërë vendin godinës trekatëshe ku aktualisht ka një filial Banka Kombëtare Tregtare. Ajo është konceptuar si godinë banimi dhe shërbimesh ku dy katet e para do të jenë me fasadë xhami për biznese.
Kulla parashikon 5 kate parking nëntokë dhe dy katet e fundit apartament të tipit “attic-duplex”. Projekti ka marrë lejen e zhvillimit në tetor të vitit 2023 dhe pritet të kalojë për leje ndërtimi.
Porositës dhe zhvillues paraqitet kompania “Domus Group” e Adrian Hajros, i cili me profesion është arkitekt.
“Domus Group” po zhvillon në krahun tjetër të së njëjtit kryqëzim “binjakun” e “Cube of Blloku” – godinë 10-katëshe e projektuar gjithashtu nga Boeri, – që quhet “Domus Cube”.
Versioni i parë i “Cube of Blloku” u zhvillua në periudhën 2017-2023 nga “Invest Society” e sipërmarrësve Dajlan Avdia, Glendi Abdi dhe Edison Hatellari, të cilët e quajtën “Godina Polifunksionale Evropiane Blloku”. Koncepti fillestar që mori lejen e zhvillimit parashikonte 8 kate lartësi.
“Cube of Blloku” aktualisht quhet “Rainbow Center”. Kjo godinë u ngrit mbi lokalin e njohur “Bar Rovena”, trualli i të cilit në vitin 2015 u ble në mënyrë të diskutueshme nga ish-deputetët sipërmarrës Tom Doshi e Ndriçim Babasi.
Asokohe artistja Rovena Dilo ngriti pretendimet se ish-ligjvënësit e përfituan pronën “me ndërhyrje” dhe “dokumente të falsifikuara”.
Ngjashëm me vlera arkitektonike dhe historike janë dhe të ashtuquajturat “Pallatet e Xhenios” një bllok me të paktën katër ndërtesa tre-katër katëshe ngritur fillim-viteve 40-të.
Historiku i zonës ku po ndërtohet
Zona – e njohur sot si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.
Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.
Fillimisht atje u vendosën familje oficerësh italianë, më tej nëpunës, zyrtarë dhe sipërmarrës të kohës së monarkisë.
Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.
Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe./Citizens.al