Shtohet rivaliteti për Cikalleshin

Sokol Cikalleshi do të ketë një rivalitet shumë të fortë për të luajtur në formacionin e Istanbul Bashakshehir, pasi klubi turk vazhdon të përforcohet me emra të njohur. Nëse në janar klubi afroi Emanuel Adebajor dhe pastaj huazoi shqiptarin, tani Bashakshehir ka zgjedhur një tjetër emër të njohur për t’ia bashkuar skuadrës, duke shtuar rivalitetin në repartin e avancuar.
Klubi ka prezantuar sot si blerjen e re sulmuesin 30-vjeçar Mevlut Erdinç, i cili në të kaluarën ka luajtur për skuadra si PSG, Ren, St. Etien, Hanover apo Metz. Bashkë me të, sot, skuadrës turke iu bashkua edhe mesfushori i njohur zviceran, Gokhan Inler, i cili në sezonin e kaluar kishte qenë pjesë e Beshiktashit.
Me këto përforcime, duket qartësisht që Bashakshehir ka objektiva ambiciozë në mendje për sezonin e ri, ku merr pjesë për herë të parë në Ligën e Kampioneve. Por mbetet të mësohet se çfarë roli do të luajë Cikalleshi në planet e klubit, pasi sulmuesi shqiptar nuk dëshiron më të qëndrojë në stolin e rezervave, siç bëri një vit më parë.

Exit mobile version