“Shtrëngoni rripat”!

Pep Guardiola nuk bën lojëra fjalësh, në prezantimin e tij zyrtar te Manchester City, trajneri katalanas e pranon se kjo zgjedhje është bërë për t’i treguar një minorancë ende skeptike se sa vlen, dhe u bën me dije tifozëve të “Citizens” se duhet të vendosin rripat e sigurimit për një rrugëtim të çmendur. 45-vjeçari e pranoi konferenca e tij e parë në media e nervozoi, por ai shtoi se Anglia do të ndihmojë të nxjerrë në pah stilin e tij, ashtu siç ka bërë në Bundesliga dhe La Liga. I pyetur nëse do ta kërkojë suksesin me filozofinë e treguar te Barcelona dhe Bayerni, ai e pranoi se nuk do të ndryshojë strategji, pasi tashmë ai ka një filozofi të qartë që e identifikon.
“Te Barcelona kisha gjithçka, lojtarët më të mirë, një ekip që po rritej dhe një akademi që e njohja mirë. Ndërkohë, Bayerni më ndihmoi shumë me eksperiencën e madhe dhe gjithashtu do të isha shumë komod nëse do të qëndroja aty, por ky ishte momenti i duhur për të testuar sërish veten time. Njerëzit kanë kërkuar përherë shumë nga ekipet që kam drejtuar dhe mendoj se edhe këtu do të punojmë për të fituar trofe të shumtë. Ndoshta nuk është mirë të jetosh nën presion, por kjo është rruga që unë kam zgjedhur”, u shpreh Guardiola.
Në vijim, Guardiola bën një analizë më të detajuar, duke u ndalur te karakteristikat e futbollit anglez. “Mendoj se futbolli këtu është më fizik. Disa mendojnë se nuk është aspak mirë për futbollin një gjë e tillë, por unë nuk e mendoj kështu. Është një sfidë e madhe, sepse City nuk arrin të fitojë në vazhdimësi, por gjithçka do të varet nga këmbët e lojtarëve, të cilët janë në lartësinë e duhur të një klubi të madh”, tha ai.
Ish-trajneri i Barcelonës, që në “Etihad Stadium” zëvendësoi Manuel Pellegrini, fitoi tre tituj të Bundesligës me Bayern Munich, por nuk arriti që ta fitojë Ligën e Kampionëve. 45-vjeçari ka theksuar se, stili i tij i lojës mund të jetë triumfues në ligën ishullore. “Për këtë arsye jam këtu, për ta dëshmuar veten. Jam këtu për të treguar se mund të dominojmë. Kam pasur gjithçka tek Barcelona, dhe Bayern, por doja një sfidë të re”, ka deklaruar Guardiola.
Guardiola ka folur për herë të parë për projektin e tij tek anglezet dhe për lojtarët e rinj që ka në skuadër. Në një intervistë për ‘GazetaOlle’, Guardiola theksoi se është impresionuar me talentet që ka Manchester City, duke përfshirë edhe ‘yllin’ kosovar, Bersant Celina.
Në fund, Guardiola u pyet edhe për rivalitetin me Jose Mourinhon, por ai u përgjigj me diplomaci. “Zgjedhja ime nuk ka aspak lidhje me Mourinhon. Jose është një trajner i madh dhe ai do të më ndihmojë të arrij në një nivel tjetër. Ashtu si ai më kanë ndihmuar të rritem edhe shumë trajnerë të tjerë si Klopp e Tuchel”, përfundoi Guardiola. “Mua më pëlqen të punoj me lojtarët e rinj. Kam një kohë të shkurtër që jam këtu dhe po punoj edhe me lojtarët e ekipit të dytë. Unë me të vërtetë jam i impresionuar me ta”, deklaroi Guardiola.

Exit mobile version