Te Torino kanë nisur të bëjnë analizën e afrimit më të fundit në këtë merkato vere, Arlind Ajetit. E kush më mirë se Gianni De Biasi, e njeh mbrojtësin 22-vjeçar, i cili spikati me Shqipërinë në Euro 2016. Trajneri i kuqezinjve, i kontaktuar nga mediat italiane thekson se, torinezët me Ajetin kanë bërë një goditje të rëndësishme.
“Në Europianin e Francës ka luajtur dy ndeshje dhe mund të them se ka shkëlqyer. Jam i bindur se paraqet të ardhmen e Shqipërisë. Ajeti është një djalë interesant, shprehet fillimisht De Biasi. Është i datëlindjes 1993 dhe mund të rritet shumë si futbollist.
Më tej, De Biasi tregon dhe pikat më të forta të qendërmbrojtësit. “Është shumë i zoti për t’i paraprirë në ndërhyrje kundërshtarit e sidomos në dyluftimet ajrore. Mund të jetë një vlerë e shtuar edhe në goditjet standarde. Di të mbrojë mirë, por është i rrezikshëm edhe në lojën sulmuese”. Por 60-vjeçari nuk ngurron të thotë edhe pikat e dobëta, nëse mund t’i quajmë kështu, të Ajetit.
“E vetmja dobësi, absolutisht që mund të zgjidhet, është që kalon shumë shpejt në vetkënaqësi për atë që bën. Ka nevojë për mbështetje që të japë maksimumin dhe ndonjë këshillë nga ana e Mihajloviç do t’i bëntë shumë mirë”, u shpreh De Biasi.
Në fund, De Biasi deklaron se drejtuesit e Torinos kanë bërë një lëvizje të zgjuar me Ajetin, që për nga karakteristikat, është një futbollist që i përshtatet filozofisë së klubit. Aq më tepër që nuk ka kushtuar asnjë qindarkë.
Të enjten, mbrojtësi i kombëtares shqiptare kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe mediat italiane shkruajnë se kontrata e tij me klubin do të jetë 3-vjeçare me të drejtë zgjatjeje edhe për 2 vite të tjera. Sipas tyre, 22-vjeçari, i cili është dhe blerja e parë e klubit për trajnerit serb Mihajloviç, pritet të marrë 500 mijë euro në sezon.
Debutimi i Ajetit në Serinë A, ishte më 6 janar të këtij viti në ndeshjen Sasuolo-Frosinone ku shënoi dhe një gol për ekipin e tij. Në Euro 2016, Ajeti luajti në sfidën ndaj Francë dhe Rumanisë dhe në këtë të fundit, ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Në skuadrën e tij të re, mediat shkruajnë se Ajeti do të veshë fanellën me numrin 93, viti i tij i lindjes.