Elseid Hysaj ka kryer stërvitjen e parë sezonale nën urdhrat e trajnerit Maurizio Sarri. Pas ushtrimeve atletike me skuadrën, mbrojtësi shqiptar ishte pjesë e përgatitjeve taktike të mbrojtjes së rreshtuar me katër lojtarë. Fillimisht ai qëndroi në krahun e majtë, rol të cilin e mbuloi edhe në javët e para të aventurës te Napoli, ndërsa më pas u kthye në pozicionin e tij të preferuar në krahun e djathtë të repartit difensiv.
E ndërsa Hysaj ka nisur përgatitjet me intensitet të plotë për sezonin e ri, menaxheri i tij, Mario Giuffredi, sqaroi situatën rreth rinovimit të kontratës së kuqeziut. Sipas menaxherit, takimi me drejtuesit e Napolit për rinovimin e kontratës do të realizohet të enjten ose të premten. Megjithatë, Giuffredi sqaroi se “aty do të zhvillohen vetëm bisedime rreth marrëveshjes, por jo firma në kontratën e re”.
Përfaqësuesi i Hysajt i cilësoi negociatat të thjeshta, nëse të gjithë do të jenë në sinkron, duke pranuar rritjen dhe vlerën aktuale të futbollistit të lindur në Shkodër. Firma në kontratë do të hidhet vetëm pasi palët e përfshira do të arrijnë një pikë takimi mes kërkesës dhe ofertës, ndërsa menaxheri i Hysajt u shpreh i gatshëm të pranojë një klauzolë të mundshme për klubet që dëshirojnë ta blejnë përpara fundit të marrëveshjes. Sipas tij, “kjo është një formulë e favorshme edhe për vetë mbrojtësin”, sepse në këtë mënyrë “i paraprihet punës së viteve në vijim, duke vendosur një çmim për lojtarin”.