Shtyhet rinovimi i Hysajt, menaxheri: Qëndron te Napoli

Shtyhet rinovimi i kontratës së Elseid Hysajt te Napoli. Takimi i parashikuar të zhvillohej të mërkurën, u spostua për një tjetër ditë, për arsye që nuk lidhen me vullnetin e mbrojtësit kuqezi apo klubit të Serisë A.
Pavarësisht shtyrjes, shkodrani do të firmosë rinovimin për një vit të kontratës. Qëndrimi i tij në “San Paolo” do të zgjatet deri në vitin 2021, ndërsa do të përfitojë edhe një përmirësim të dukshëm të të ardhurave, pasi është shndërruar në një titullar të pazëvendësueshëm te Napoli.
Për të konfirmuar se Elseid Hysaj do të vazhdojë aventurën në skuadër, shërbeu edhe deklarata e menaxherit të futbollistit, Mario Giuffredi. Sipas përfaqësuesit të shkodranit, Hysaj do të qëndrojë 100 për qind te Napoli. “Nuk na nxiton asgjë dhe po punojmë me qetësi. Nuk ekzistojnë dyshime rreth Elseidit. Hysaj do të qëndrojë 100 për qind te Napoli”, tha ai.
Në deklaratat e tij, menaxheri i mbrojtësit kuqezi theksoi se nga rinovimi i kontratës do të mbeten të kënaqur edhe klubi e tifozët e Napolit, por edhe futbollisti “që është i lumtur tek të kaltërit”.
Fjalë që transmetojnë qetësi në radhët e skuadrës së Serisë A, që megjithë punën për rinovimin e kontratës së Hysajt, nuk injorojnë zërat e merkatos. Së fundmi për shqiptarin është interesuar edhe Chelsea i Antonio Conte-s dhe me një ofertë të kënaqshme financiare, Napoli mund të vendoste ta shiste lojtarin në Premier League-n angleze.

Exit mobile version