Maire ROWLAND
Bota perëndimore ka ngecur në mes të një “dhimbje koke” liberale. Marshimi drejt progresit, barazisë, tolerancës dhe diversitetit duket se ka arritur në stanjacion dhe tani, të gjithë po kafshojmë thonjtë me padurimin për të ditur se çfarë do të ndodhë më pas. Në grahmat e kësaj pasigurie kolektive, duket se tani është më e rëndësishme se kurrë që ata që besojnë në demokraci, të luftojnë për të mbrojtur vlerat dhe institucionet e saj.
Një element i rëndësishëm për një demokraci të funksionojë siç duhet, është një publik i informuar. Bota ka nevojë për shoqëritë ku qytetarët kanë akses në informacion të faktuar, në këndvështrime të ndryshme (për të lehtësuar zgjedhjen e liderëve) dhe ku po këta qytetarë e sfidojnë qeverinë e tyre në ato raste që mendojnë se ajo po vepron në kundërshtim me interesat publike. Ky është momenti kur media vigjilente luan rol jetik.
Është i kuptueshëm dyzimi i një gazetari për të ofruar gjithë këtë, kur shumë pjesë të tjera të shoqërisë nuk funksionojnë. Kujt i intereson liria e medias, kur çdo ditë ndeshesh me mungesën e energjisë elektrike apo kur biznesi yt po shkon në greminë nga taksat e larta? Por, historia e kohëve të fundit na ka mësuar se shtypja e medias mund të jetë një hap drejt shtypjes së popullit.
Shtypja e medias dhe regjimet autoritare
Një nga hapat e parë që një lider tipik autokratik merr për të çimentuar pozitën e tij në pushtet është trembja dhe kontrolli i medias. Milosheviç, Assad, Putin dhe Erdogan janë të gjithë udhëheqës autoritarë me qëllime të ndryshme, por me taktika të frikshme të ngjashme kur është fjala për të shtypur dhe kontrolluar median.
Në Turqi janë 81 gazetarë të burgosur nga gjithsej 259 gazetarëve të burgosur aktualisht në mbarë botën. Neveria e Erdoğanit për çdo zë opozitar mund të vërehet shumë lehtë nga çdokush. Ai ka urdhëruar policinë për të sulmuar agjencitë e lajmeve dhe vazhdimisht njollos emrat e atyre gazetarëve që guxojnë ta sfidojnë atë. Rusia nën drejtimin e Putin nuk ka qenë ndonjëherë bastion i pluralizmit mediatik dhe lirisë së shprehjes, por kontrolli dhe frika nga shteti është, në ditët e sotme, shumë më agresive krahasuar me pak vite më parë. Nën regjimet autoritare, gazetarët rregullisht përballen me burgosje dhe shpifje për shkrimet e tyre që mund të jenë sadopak kritike ndaj qeverive.
Metodat e kontrollit
Një taktikë e zakonshme për të ndalur rrjedhën e informimit është ta diskreditosh atë me çdo kusht. Kjo përfshin dhe mënyra për t’i bërë qytetarët të besojnë se kritikat janë sponsorizuar nga “agjentë të huaj” ose nga opozita. Qëllimi është që gazetarëve t’i vishen ngjyrat e militantëve politikë që nuk janë të besueshëm. Kjo taktikë dinake mund ta kthejë një media të tërë në një agjenci shpifjeje në 30 sekonda. Lexuesit do të kenë pak interes për të verifikuar burimet e informacionit apo besueshmërinë e gazetarëve. Faktet nuk kanë rëndësi për “burrin e fortë”.
Mënyrë tjetër për të garantuar se artikujt, që nuk lëvdojnë punën e liderëve e të miqve të tyre, nuk do ta shohin “dritën e diellit” është miratimi i një legjislacioni që rregullon median. Kjo është bërë zakonisht në mungesë të plotë transparence, me pak kundërshti, me proces të përshpejtuar dhe është miratuar përpara se dikush të mund të bërtasë “censurë”.
Në Siri. në vitin 2011, gjatë vitit të parë të kryengritjes, Presidenti Assad paturpësisht mashtroi qytetarët, duke miratuar një ligj të ri që në vështrim të parë, dukej si hap i rëndësishëm në drejtim të lirisë së medias. Ligji u miratua për të qetësuar ata që protestonin kundër arrestimit dhe dëbimit të gazetarëve vendas e të huaj që raportonin mbi kryengritjen. Ligji u hartua qëllimisht me terma të paqartë e kontradiktorë me njëri-tjetrin.
Ligji i lejonte gazetarëve akses në informacione për çështje publike dhe ndalonte ndalimin e arrestimin e gazetarëve investigativë. Por nga ana tjetër, ligji ndalonte mediat nga transmetimi i materialeve që mund të ndikonin në “unitetin dhe sigurinë kombëtarë” dhe ndalonte gazetarët të raportonin mbi aktivitetet ushtarake.
Edhe pse ligji pretendonte se mbronte gazetarët, nëse një shkrim fliste për ndonjë aktivitet që dëmtonte sado pak Assadin apo regjimin e tij, autoritetet kishin legjitimitet të plotë për ta bërë të heshtte gazetarin, me justifikimin se po “rrezikon unitetin kombëtar”. Kjo taktikë krijoi një ndjenjë frike tek gazetarët. U ndal raportimi nga frika e hakmarrjes dhe shumë gazetarë u larguan nga vendi. Assadi arriti të krijojë një makinë gjigante propagande, duke kontrolluar dy transmetuesit shtetërorë dhe mediat private që ndoqën vijën e partisë.
Ligji i ri i propozuar në Shqipëri
Ajo ç’ka thamë më sipër është arsyeja se përse ligjet për media, në veçanti, megjithëse mund të duken të padëmshme në pamje të parë, duhet të shqyrtohen e diskutohen gjatë përpara se të miratohen. Në Shqipëri, ligji i ri i propozuar për regjistrimin përpara zgjedhjeve e të gjithë portaleve elektronike në Bordin e Monitorimit të Medias mund të duket si i padëmshëm.
Deputeti Taulant Balla, kryeministri Rama dhe qeveria mund ta justifikojnë ligjin me rritje të objektivitetit dhe paanësisë gjatë periudhës kaotike e të tensionuar të fushatës zgjedhore. Agjencitë e lajmeve duhet të jenë përgjegjëse për përmbajtjen e lajmeve që publikojnë dhe gazetarët duhet të mbajnë përgjegjësi për faktet që pretendojnë. Të gjithë këto janë elementë të rëndësishëm për t’i dhënë fund një epoke me lajme të rreme e ndërhyrje politike.
Megjithatë, ne duhet të shohim me kujdes dhe motivet e qeverisë për të miratuar një ligj që mund të mbyllë agjenci lajmesh apo portale të ndryshme online.
Raporti për Lirinë e Medias i vitit 2015, hartuar nga Freedom House, e konsideron median në Shqipëri si “pjesërisht të lirë”. Raporti kritikon mungesën e transparencës në lidhje me pronësinë e medias dhe ndikimin e njerëzve të fuqishëm të biznesit dhe politikanëve në mediat kryesore. Shënimi i vetëm me nota pozitive për median shqiptare ishte pikërisht për disa nga blogjet e mediat online: “disa blogje dhe media elektronike ofrojnë një qasje të pavarur dhe ndryshe nga media kryesore”.
Kur kjo media elektronike është vlerësuar nga një organ i pavarur i specializuar në monitorimin e mediave në gjithë botën, përse qeveria propozon një ligj që mund të kufizojë lirinë e të çojë deri në mbylljen e tyre?
Sipas projektligjit, dërguar BIRN, faqet e paregjistruara që transmetojnë “propagandë zgjedhore” do të mbyllen. Më pas shkruhet se “ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pa kontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të pa regjistruara, të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”.
Paqartësia e projektligjit është shqetësuese. Përveç paqartësisë se çfarë është një portal elektronik, nga drafti i ligjit nuk kuptohet se çfarë do të thotë “propagandë zgjedhore”. A do të thotë kjo se lajmet me fakte dhe argumente që janë kritike ndaj partisë në pushtet janë duke shkelur ligjin? Po opinionet dhe blogjet që mund të japin një pikëpamje jo shumë lëvduese për ndonjë politikan a do të klasifikohen tek propaganda?
Interneti i ka lejuar, ditët e sotme, agjencive të pavarura të lajmeve të arrijnë një numër më të madh shikuesish pa pasur nevojën të shpenzojnë shuma marramendëse parash. Është e rëndësishme të mbrosh pikëpamjet e ndryshme sot, kur mbi shumë media të mëdha po ushtrohet presion për të ndryshuar vijën editoriale bazuar në interesat financiare apo politike të pronarëve të tyre.
Ka shumë gjasa që ato që janë pro këtij ligji, do të thonë se ashtu si në SHBA ku agjenci “lajmesh të rreme” ndikuan sjelljen e votuesve në zgjedhjet presidenciale, qeveria ka për detyrë të godasë këto burime false përpara se të shkaktojnë probleme në Shqipëri. Por ka një diferencë të madhe mes mediave që përfitojnë nga shkrimi i lajmeve me në qendër histori skandaloze e të fryra dhe mediave elektronike që publikojnë artikujt me fakte, me burime fakti të cituara dhe të besueshme.
Ligji i propozuar mund të përdoret të lyer me katran me të njëjtën furçë, si ata që shkruajnë lajme bombastike të rreme, ashtu dhe ata që japin një këndvështrim të ndryshëm e kritik nga mediat e mëdha. Siç e thekson dhe Jonathan Albright në “The Guardian”, ky lloj filtrimi është “me shumë gjasa për të shkulur e për të hequr qafe këndvështime që janë në konflikt me interesat e klasës sunduese”.
Mundësia që qeveria mund të përdorë këtë ligj konfuz për të bllokuar mediat që janë më pak të këndshme e miqësore me partinë e tyre politike është e frikshme. Që një shtet demokratik të funksionojë ka nevojë për një media të fuqishme e kritike, që të sigurohet se informacioni apo vendimet që kanë ndikim në shoqëri të jetë i vërtetë, i diskutueshëm dhe i debatueshëm gjerësisht. Distanca nga demokracia në autokraci është më e vogël nga sa ne mendojmë, e çdo hap pengon lirinë e medias është një hap në drejtimin e gabuar.