Si dhunohen të miturit në burgun e Shënkollit

Të miturit në burgun e Shënkollit, dhunohen fizikisht nga të burgosurit e tjerë në moshë madhore dhe autoritetet e këtij burgu nuk marrin asnjë masë për ta parandaluar një fenomen të tillë. Denoncimi bëhet nga Aurora Guska, avokatja e një të mituri nga Kukësi, e cila thotë se ka njohur dhe autoritetet e burgut me situatën që i kanë deklaruar se marrin vetëm masa mjekësore për të miturit që dhunohen. “Dhuna e ushtruar u paraqit dhe para psikologes, e cila në asnjë rast nuk e mohoi rastin, por u shpreh se ne kemi marrë masa mjekësore lidhur me dhunën e ushtruar. Dhuna ishte ushtruar jo vetëm gjatë ditës në momentet e ajrimit, duke u grushtuar djali 17-vjeçar, i cili është në masë sigurie “arrest me burg” për një grindje që ka pasur me të atin”, shprehet avokatja Aurora Guska.
Guska shton se, të miturit që vuajnë dënimet në këtë burg qëndrojnë në të njëjtat ambiente me të burgosurit e tjerë më të rritur, të cilët i dhunojnë. “Aty na u bë prezente që nuk ishte rasti i vetëm i këtij të paraburgosuri, por ishte një rast tjetër i një djali nga Hasi, që kishte ardhur nga aty me shenja të dukshme dhune, mavijosje. Pyetjes time se, pse nuk i bëni prezente këto raste të dhunës, ata u përgjigjën se ne kemi frikë, sepse sa të dalim në ajrim do të ushtrojnë dhunë”, thotë avokatja.
Avokatja, duke u nisur nga fenomene të tilla, i kërkon Prokurorive që për të miturit, të cilët kryejnë vepra penale jo të rënda, të mos jepen masa sigurie “Arrest me burg”, por dënime alternative, pasi dhuna që ushtrohet në këto institucione shkakton trauma. “Në raste të lehta, jo të kryerjes së veprave të rënda penale, nuk duhet të aplikohet dhe të kërkohet masa e sigurimit arrest me burg, duhet të jepen masa ndëshkuese, edukuese, në mënyrë të tillë që këto vepra penale të ndëshkohen me alternativa të dënimit”, përfundon avokatja Guska.
Fenomenin e dhunës ndaj të miturve në burgje dhe shtimin e rasteve e ka raportuar gjatë fundvitit të shkuar edhe Avokati i Popullit dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, ku u bë e ditur se të burgosurit rrinin në ambiente të përbashkëta dhe se, keqtrajtimet ishin të theksuara, sidomos në burgun e Shënkollit.

Exit mobile version