Pse pikërisht ai? Sepse në një moment të caktuar të historisë një njeri i vetëm merr pushtetin dhe e ushtron në mënyrë despotike dhe pa kontroll? Gjenerata psikanalistësh kanë rrëmuar në biografitë e Hitlerit, Stalinit e Mussolinit në kërkim shenjash paralajmëruese apo psikopatish që u kanë shpëtuar diagnozave. Gjithçka e kotë. Tipari i vetëm i personalitetit që duket se kanë të përbashkët diktatorët e mëdhenj të Nëntëqindës nuk ka asgjë patologjike: është aftësia për të komunikuar. Të gjithë qenë oratorë brilantë, shprehnin pikëpamje të privuara nga sfumatura dhe projektonin zgjidhje të thjeshta ndaj problemeve komplekse të shoqërisë. Gjë që të çon në një konkluzion të natyrshëm: kërkimi për të kuptuar lindjen e regjimeve totalitare duke u përqendruar mbi personalitetin e diktatorit jo vetëm që është shterpë, por edhe deri diku mashtruese. “Të njohësh një tiran si të çmendur apo të devijuar dhe t’i atribuosh përgjegjësinë e plotë të asaj që ka ndodhur është komode: është koka e turkut klasike që i kënaq të gjithë”, paralajmëron Giovanni Foresti, psikanalist i Qendrës milaneze të Psikanalizës që ka studiuar thellësisht gjenezën e diktaturave. “Në realitet, diktatori është vetëm maja e ajsbergut, zëdhënësi i një ndjenje të përbashkët: midis diktatorit dhe popullit të tij ekziston një raport reciprociteti, për të cilin çmenduria e njërit transmetohet tek tjetri dhe anasjelltas”. Deri gjatë ekspozimeve më delirante dhe veprimeve më të habitshme të tyre, diktatorët duhen, dashurohen dhe mbështeten. Si ka mundësi?
Më i sëmuri. “Një refleksion i parë mund të vijë nga studimet e Wilfred Bion, psikanalist britanik që ka studiuar thellësisht dinamikat e grupit”, vëren Foresti. “Sipas Bion, një grup në vështirësi – siç mund të ketë qenë një popull i traumatizuar nga lufta dhe në mëshirën e krizës ekonomike – tenton që të zgjedhë spontanisht si lider anëtarin më të ‘sëmurë’ të tij”. Domethënë, nuk synon në personat më inteligjentë apo më të aftë, por tek ata më ekstremë, më të vendosur dhe pse jo, të çuditshëm, në gjendje që të konceptojnë idetë më të guximshme dhe t’i vënë në praktikë. Në thelb, duhet dikush i gatshëm që të “bëjë punën e pistë”. Me pak fjalë, diktatori nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe aq më pak gjeniale, është thjesht njeriu i duhur në momentin e duhur, ai që di të mishërojë dëshirat dhe aspiratat e fshehta të popullit të vet. Mussolini paraqitej si “njeriu i Hyjnisë”, Hitleri si “njeriu i dërguar nga fati”. Të dy gërshetuan gjendjet shpirtërore të bashkëkombasve të tyre dhe fituan pushtetin duke kalëruar mbi pakënaqësinë dhe krenarinë e plagosur të popullit të tyre, si dhe duke u paraqitur atyre një projekt optimist rilindjeje. Walter Langer, psikanalisti amerikan që në vitin 1943 mori detyrën që të hartojë një studim mbi personalitetin e Adolf Hitlerit, zbuloi se ai njeriu me mustaqe dhe me pamjen paksa si në jerm, në fillimet e karrierës së tij u përqesh nga intelektualët, të bindur se nuk mund ta zgjaste shumë. Domethënë, edhe kush kishte instrumentet për ta kuptuar e nënvlerësoi potencialin e tij. Nga ana tjetër, qenë ende të paeksploruara efektet e mjeteve të reja të komunikimit në dispozicion të propagandës: nga afresket e kishave dhe statujat nëpër sheshe ishte kaluar tek radioja dhe tek kinemaja, që lejonin të komunikohej në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë popullin. Siç ka nënvizuar filozofja gjermane Hannah Arendt “në mënyrë tipike diktatorët i drejtohen asaj pjese të shoqërisë që nuk del në votime, që nuk është shfaqur asnjëherë në skenën politike”. Praktikisht, “masa” ishte një bashkëbisedues i ri dhe i papjekur, që vepronte dhe arsyetonte si një individ i vetëm. Një individ paksa “budalla”.
Njeriu masë. “Senatores boni viri, senatus mala bestia”, thoshin romakët e lashtë. Nëse senatorët e marrë individualisht janë njerëz të zotë, Senati në tërësinë e tij është një “kafshë e keqe”. Pse? “Infektimi emotiv i të tjerëve redukton aftësitë kritike dhe shpërgjegjëson”, shpjegon Elena Toto, psikoterapeute eksperte në dinamikat e grupit, “aq sa secili prej nesh, në brendësi të grupit, bëhet më lehtësisht pre e instinkteve: boll të shikosh se çfarë ndodh nëpër stadiume të dielave”. E kuptoi edhe mendimtari francez Gustav le Bon, i cili në vitin 1895 dërgoi për shtyp “Psikologjia e turmave”, libër që u bë shpejt një tekst i shenjtë për aspirantët diktatorë. Ata që lexuan Le Bon qenë patjetër Hitleri, Stalini e Mussolini (që deklaroi se ishte një admirues i tij), me shumë gjasa edhe Franco. Sipas analizës së Le Bon (që i kishte parasysh mirë tepritë e dhunës të arritura nga turmat gjatë Revolucionit francez) masa është më “primordiale” sesa individi, arsyeton më shumë me bark sesa me kokë, drejtohet nga emocionet më shumë sesa nga mendimi kritik. Mbi këto baza, Le Bon konkludonte se shoqëritë demokratike do të karakterizoheshin pashmangshmërisht nga mediokriteti. Pikërisht sepse masa, prej natyrës së saj, tenton ndaj regresionit, më mirë të kontrollohet e të drejtohet nga një njeri i vetëm që ruan një individualitet të dorë. Ja pse, sipas Le Bon, turmat preferojnë tiranët në vend të krerëve të mirë: duan një figurë autoritare në gjendje të shkaktojë frikë, por edhe respekt, të cilit t’i delegojnë çdo përgjegjësi.
Pesha e lirisë. Duket se diktatorët kanë vënë thesar me teoritë (sot kontradiktore) të Le Bon. Hitleri shkroi në “Mein Kampf”: “Masat nuk dinë se çfarë të bëjnë me lirinë dhe duke dashur t’u mbajnë peshën, ndjehen si të braktisura. Ato admirojnë vetëm forcën, brutalitetin, janë të gatshme që të nënshtrohen”. Stalini ishte i të njëjtit mendim: “Liria? Vetëm ata që kanë iluzione dhe janë të fortë jetojnë në këtë besim. Por njerëzimi është i dobët dhe ka nevojë për bukë dhe autoritet”. Gjithmonë Hannah Arendt vërente se “regjimet totalitare karakterizohen nga pak programe konkrete dhe nga një thirrje e vazhdueshme ndaj bindjes”. Në kulmin e pushtetit Hitleri refuzonte të fliste për programin e vet politik (pa e abroguar zyrtarisht). Idem Stalini, që vazhdoi ta zhveshë doktrinën marksiste nga përmbajtja, duke adoptuar qasje që e kundërshtonin hapur. Me filozofinë e aktivizmit, Mussolini vendoste gjithçka në momentin historik dhe “se nuk e vriste mendjen” për programet, copëra letre të kota. Koncept tjetër i theksuar vazhdimisht ishte pagabueshmëria e kreut (në Itali: “Duçja ka gjithmonë të drejtë!”), që e rriste pushtetin e kushtëzimit dhe mundësonte të justifikohej çdo jokoherencë: diktatorët mund të ndryshonin rrënjësisht ide, derisa të mohonin atë që vetë ata e kishin afirmuar me krenari më parë.
Urrejtje dhe dashuri. Një mjet i përkohshëm i adoptuar për të forcuar kohezionin e turmës ishte krijimi dhe në mënyrën më të prerë të mundshme i një armiku. Hitleri arrin t’i bindë të gjithë se hebrenjtë qenë armiqtë e natyrshëm të “arianëve” (një koncept shkencërisht i privuar nga kuptimi, por përdorimi instrumental i shkencës është një karakteristikë tjetër e diktaturave). Stalini e spastroi partinë e tij nga rivalët potencialë (përfshi miq dhe të afërm) duke i akuzuar se ishin “armiq të popullit” dhe se komplotonin kundër tij. Nga ana tjetër, frika se mos goditen prapa krahëve është tipike e tiranëve. Ciceroni rrëfente sesi Dionisi, tirani i Sirakuzës, “prej etjes së tij të padrejtë për pushtet kishte hyrë në burg vetë. Bile, për të mos ia besuar qafën e tij një berberi, u mësoi vajzave të tij që ta rruanin dhe ta qethnin. E megjithatë, kur tashmë qenë të rritura, e largoi hekurin nga këto dhe vendosi që t’ia digjnin mjekrën dhe flokët me lëvozhga arrash të ndezura”. Por raporti që lidh turmën me diktatorin është para së gjithash një raport dashurie. “Sipas Sigmund Freud, tirani është një surrogat i figurës atërore ideale, që ja kanë frikën, por prej të cilit ndjehen të mbrojtur”, vazhdon Foresti. “Janine Chasseguet-Smirgel, psikanaliste franceze, shkon më tej: më shumë se atë të babait autoritar, diktatori evokon figurën – shumë më të fuqishme – të nënës posesive”. Hitleri krijonte një klimë “shkrirjeje” me popullin e tij duke i promovuar apelin mistik dhe primitive të gjakut dhe të tokës (Blut und Boden). Të njëjtin efekt ngjallnin disiplina, ecja me të njëjtin ritëm, uniforma e njëjtë për të gjithë, një simbol dhe një përshëndetje me të cilin të identifikohesh. Ndjenja e simbiozës u mundëson mendimeve që të qarkullojnë, të infektohen reciprokisht, të kenë një efikasitet më të madh. Mekanizmi biologjik në bazë është sot e mirënjohur dhe quhet “neurone pasqyrë”: është tendenca natyrale për të imituar dhe për t’u pasqyruar tek të tjerët. Evolucioni e ka favorizuar, sepse mundëson që të mëson të qëndrosh në botë, të integrohesh në bërthamën sociale dhe deri të dashurojë. Dhe diktatorët më të fortë janë mbi të gjitha të dashur nga njerëzit.
Diktatori? Për njerëzit e lashtë ishte një punë me afat. Fjala diktator (nga latinishtja dictator) në kulturën e lashtë romake kishte një domethënie ushtarake. Bëhej fjalë për një figurë të lindur pas fundit të monarkisë ose, sipas disave, në shekullin V BC si kundërpërgjigje ndaj vështirësive për të bërë dakord me njëri-tjetrin konsujt e Republikës, shpesh të përçarë nga rivalitete dhe diatriba. I zgjedhur fillimisht midis ish-konsujve (dhe nga viti 356 BC edhe midis përfaqësuesve të plebës), nga fundi i shekullit III BC diktatori u bë një post i zgjedhshëm, të cilit i besohej në momente vështirësie. Diktatori ishte mbi të gjithë magjistratët (por jo mbi ligjin) dhe qëndronte në post jo më shumë se 6 muaj. Por Jul Cezari, në vitin 47 BC u shpall diktator i përjetshëm. Pas vdekjes së tij, posti u abrogua.
Alla grekçe. Kurse tiranët grekë qenë më të ngjashëm me diktatorët modernë. Të përhapur sidomos në Magna Grecia, në fillim (shekulli V BC) qenë krerë ushtarakë që garantonin sigurinë e qytet–shtetit. Qe ky rasti i Dionisit të Sirakuzës (tiran midis viteve 405 e 367 BC) despot – model i lashtësisë. Midis athinasve, tirania shikohej si një degjenerim i monarkisë. Në fakt konsiderohej një formë despotizmi oriental, i ngjashëm me absolutizmin e mbretërve persianë, të cilëve u kundërvihej qeveria asemblare tipike e Athinës klasike.
Kështu flisnin diktatorët
Ja rregullat për një të folur bindëse, të nxjerra nga analiza e diskutimeve të diktatorëve të mëdhenj.
– Mëshimi më shumë mbi ndjenjat sesa mbi arsyen: më mirë pasioni sesa koherenca. Në fund të fundit, fjala “dashuri” është përdorur shumë në diktatura (Mussolini: “Do të doja që një ditë italianët të dinin të kujtonin se para së gjithash i kam dashur”).
– Përhapja e shpresave religjioze, politike dhe sociale: nevoja për të besuar është një forcë arkaike e njeriut.
– Të qëndruarit besnik ndaj traditës së baballarëve. Turmat janë konservatore dhe u frikësohen risive.
– Krijimi i një besimi të pakushtëzuar tek kryetari, për sa është i pagabueshëm: “Duçja ka gjithmonë të drejtë!”.
– Dhënia e një imazhi fitimtar të vetes, të sigurtë në vetvete. Dukja është më e rëndësishme sesa substanca.
– Përdorimi i miteve, që kanë një forcë bindëse më të madhe pasi lëvizin vetëdijen dhe shmangin konfrontimin me realitetin. Hitleri i bëri apel mitit të racës ariane, Mussolini atij të romanizmit perandorak.
– Falsifikimi i realitetit në mënyrë funksionale, me qëllim që të bëhet e pamundur ndarja e të vërtetës nga falsja. Në diskutimet e tij Stalini përhapte ide (false) konspiracionesh kundër revolucionit që ftonin të bëheshin denoncime anonime. Joseph Goebbels, ministër i Propagandës i Rajhut të Tretë, teorizonte se “çdo gënjeshtër, në qoftë se përsëritet shpesh, do të transformohet gradualisht në të vërtetë”.
– Nxitja e pjesëmarrjes dhe e emulacionit. Hitleri thoshte: “Vepro në mënyrë të atillë që sikur Fyhreri ta shikonte, do ta miratonte veprimin tënd”.
– Përdorimi i shpeshtë i fjalës “popull”. Eliminohet kështu ndjenja e individualitetit implicit në shprehje të tilla si “qytetarët” apo “personat”.
– Përdorimi i sloganeve, aksiomave, pohimeve të mprehta që shprehin siguri, jo deduksione. Të famshëm sloganet fashiste: “Të marshosh për të mos u dergjur!”, “Të besosh, të bindesh, të luftosh”.
– Përsëritja e të njëjta koncepteve: “Propaganda efikase duhet të kufizohet në pak kryefjalë të përsëritura me breshëri pa ndërprerje”, shkruante Hitler.
– Përdorimi i parashikimeve dhe profecive për t’ju drejtuar aspiratës njerëzore në një botë në të cilën gjithçka është e kuptueshme, e qartë, e parashikueshme.
(Nga Storica)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA