Carlo JEAN
Raportet midis Uashingtonit dhe Moskës nuk kanë qenë kurrë kaq të këqija sesa pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë. Evropa Perëndimore ka ndjekur me gjysmë zemre aleatin e saj të fuqishëm përtej oqeanit, nga ku vazhdon të varet për sigurinë e saj.
Ajo Lindore ka theksuar “proamerikanizmin” e saj, pasi vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’ia garantojnë. Të kuptohemi, ekziston një limit: asnjeri nuk synon që të shkatërrohet për të mbrojtur shtetet balltike. As vetë këto të fundit, që nuk duan të transformohen në një fushëbetejë bërthamore. Atëherë, çfarë të bëhet? Dukej se në Siri marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës qenë duke u përmirësuar. Ekziston midis dy fuqive të mëdha interesi i përbashkët për të shkatërruar Shtetin Islamik (IS) dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Por armëpushimi i sponsorizuar nga të dyja ka dështuar me shpejtësi. Moska ka mbetur rob i ndihmës ushtarake të dhënë Al-Asadit. Ambiciet e politikës së saj prej fuqie (të përfitojë nga dobësia strategjike e Obamës për të rifituar rangun e fuqisë botërore) kanë rezultuar tepër të forta për të pasur të drejtë nga interesa të tilla kontigjente. Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Në rast agresioni në Europën Lindore (fillimisht i kufizuar në Estoni e Letoni, ku jetojnë minoranca të konsiderueshme rusishtfolëse), janë të ndryshme opsionet e Uashingtonit, domethënë të NATO-s.
I pari: Eskalimi. Ai do të çonte me probabilitete të larta në përdorimin e armëve bërthamore. Ka pak të ngjarë që për vendet balltike Uashingtoni të rrezikojë, akoma më pak që NATO të planifikojë një përdorim të qëllimshëm të tyre. Vetë shtetet balltike do t’i kundërviheshin, shumë shtete europiane do të tërhiqeshin. Shkurajimi nuk mund të jetë i bazuar as mbi sistemet konvencionale të Prompt Global Strike, as mbi kërcënimin për të fundosur anijet ruse në Detin Balltik dhe në Detin e Zi.
I dyti: Një kundërofensivë. Praktikisht e pamundur në Europë përveçse në perspektivë të largët, duke pasur parasysh çarmatimin e ndodhur të anëtarëve europianë të NATO-s. Për një studim të kohëve të fundit të RAND Corporation, raportet e forcës në favor të Rusisë do të ishin 7:1 për tanket, 5:1 për mjetet e blinduara, 4:1 për artileritë, 5:1 për helikopterët luftarakë. Aeronautikat NATO nuk do të mund të rivendosnin një ekuilibër, duke pasur parasysh fuqinë e raketave të reja kundërajrore ruse, nga S-300 tek S-400. Raprezalja mund të kryhet në teatro periferikë: në Lindje të Mesme, me përdorimin e forcave tokësore dhe me bombardime masive të forcave të Al-Asad; ose në Ukrainë, me transferimin e armatimeve moderneve tek forcat e Kievit; ose akoma në vetë Rusinë, me një mbështetje më të madhe saudite ndaj Emiratit të Kaukazit dhe forcave islamike të Azisë Qendrore e të oblasteve me shumicë myslimane. Një iniciativë e tillë do të kishte shanse të mira arritjeje: myslimanët rusë, në pjesën më të madhe sunitë dhe me imamë të shkolluar në Arabinë Saudite, manifestojnë padurueshmëri në rritje ndaj mbështetjes së Moskës për Sirinë dhe Iranin shiit.
I treti: Eskalimi ekonomik, në zanafillën e fazave më të nxehta të Luftës së Ftohtë. Moska nuk mund t’i rezistojë, është shumë më e dobët sesa në kohën e Bashkimit Sovjetik. Do të duhet të bllokohen eksportet e naftës nga Rusia, të minimizohen ato të gazit, të rivendoset kontrolli i teknologjive më të avancuara, strategjike dhe jo, të bllokohet aksesi i vendit në sistemin financiar ndërkombëtar, të ngrihen depozitat e rusëve në bankat perëndimore. Moska do të vihej përballë alternativës që të tërhiqej ose të bëhet partneri i vogël i Kinës.
I katërti: Pranimi i faktit të kryer (pushtimi rus i vendeve balltike). Do të ishte fundi i NATO-s dhe i besueshmërisë amerikane në botë, pse jo edhe fillimi i finlandizimit të Europës. Lituania dhe Polonia do të bëheshin objektivat e ardhshëm.
Pushtimi i provincave estoneze dhe letoneze, ku jetojnë minoranca të konsiderueshme ruse apo të Ukrainës për t’i bashkuar Moskës “Rusinë e re” të pushtuar nga caresha Katerinë, nuk mund të jetë i kufizuar. Shuma të mëdha do të ishin rreziqet e një reagimi perëndimor në periudhën afatmesme. Në Ukrainë, konflikti do të bëhej total. Rusia do të synonte që të rindërtonte një lidhje tokësore me Krimenë, tashmë pjesë e Federatës dhe do të pushtonte të gjithë anën bregdetare të Detit të Zi, përfshi Odesën, duke e ndarë pjesën tjetër të Ukrainës nga deti. Putini e kupton se tashmë i ka humbur ukrainasit dhe se afrimi i vendit me Perëndimin është i pakthyeshëm. Korridori bregdetar do të zgjatet deri në Transnistri, duke kërcënuar pavarësinë e Moldavisë. Edhe në Europën Lindore, Rusia nuk do të mund të ndalej. Do të duhej të kërcënonte Lituaninë dhe ndoshta edhe Poloninë, duke realizuar një lidhje tokësore me Kalingradin. Në dy samitet e fundit të NATO-s dhe në kryeqytetet e vendeve balltike, europiane qendrolindore dhe sot edhe skandinave, janë të shpeshta denoncimet e agresivitetit rus dhe preokupimet mbi shpërthimin e një lufte, si “hibride”, ashtu edhe konvencionale. Të gjithë studimet e kryera lidhur me këtë temë i atribuojnë Rusisë kapacitetin për të pushtuar ushtarakisht të dy shtetet balltike brenda pak ditësh. Gjeografia ua pengon mbrojtjen e drejtpërdrejtë, cilido qoftë entiteti i forcave NATO të rreshtuara aty.
Kështu, siguria e tyre mbetet e bazuar tek shkurajimi, domosdoshmërisht bërthamor, por e privuar nga mbrojtje të avancuara që u mundësojnë organeve të Aleancës të marrë vendime lidhur me si të reagojë ose jo. Për të qenë i vlefshëm, shkurajimi duhet të jetë i besueshëm. Një mbrojtje e avancuar, si ajo e Luftës së Ftohtë, themelore për çiftin euro–amerikan, nuk është e realizueshme. Në studimin e sipërpërmendur të RAND Corporation vlerësohet se janë të nevojshme 7 brigada vetëm për t’i dhënë NATO-s kohën e nevojshme që të vendosë. Në samitin atlantik të verës 2016 është vendosur që të rreshtohen 4 batalione, nga një për secilin prej tri shteteve balltike dhe i katërti në Poloni. Është pranuar se përdorimi i armëve bërthamore mund të bëhet i pashmangshëm. NATO ka vendosur që të bazohet mbi trip-wire deterrence: jo edhe aq pse beson në efikasitetin e saj, sesa prej mungesës së alternativave të vlefshme. Do të duhej të hartoheshin strategji më të besueshme, që nuk mundësojnë një shantazh bërthamor nga ana e Moskës në mbrojtje të sulmeve të kufizuara apo të agresioneve të kryera me strategjitë e luftës hibride, të eksperimentuara me sukses në Ukrainë. Ambiguiteti i tyre do të bënte të mundur një reagim të menjëhershëm të Aleancës, ndërhyrja e të cilës i nënshtrohet unanimitetit të Këshillit Atlantik. Aleanca është para së gjithash politike, jo ushtarake. Kështu që është e pamundur t’u kërkohet një vendim komandave ushtarake. Në rast emergjence, një vendim do të kishte të ngjarë të merrej nga vetë Shtetet e Bashkuara.
Modifikimi i status kuosë territorial pas Lufte të Ftohtë, i ndodhur me aneksimin e Krimesë, e ka kthyer NATO-n në rolin fillestar të saj: mbrojtjen kolektive të shteteve anëtare. Ndoshta në fillimin e viteve Nëntëdhjetë do të kishte qenë e mundur të krijohej një hapësirë paneuropiane e sigurisë. Sipas shumave, zgjerimet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian në Lindje e kanë bërë të mundur: më 1991, 80 për qind e rusëve kishin një mendim të favorshëm për Shtetet e Bashkuara; sot është 20 për qind. E konsideroj jo krejtësisht të besueshëm një vizion të tillë. Bashkimi Sovjetik ishte copëzuar përpara zgjerimeve; George H.W. Bush ka shkuar në Ukrainë në qershor të 1991 për të kërkuar që ta bindte të hiqte dorë prej shkëputjes nga Rusia, që e konsideronte thelbësore për stabilitetin euraziatik e global. Nuk ia arriti dhe Bashkimi Sovjetik u copëzua në Tahkent në dhjetor të 1991. Pasoi një periudhë konfuze që nuk degjeneroi në shkëputje apo luftëra civile të tjera sidomos prej patriotizmit dhe ndjenjës së detyrës të oficerëve rusë. Por oreksi vjen duke ngrënë. Ka mundësi që Uashingtoni nuk ka besuar kurrë në shpirtin e Pratica di Mare: me propozime të reja të zgjerimit të NATO-s, me denoncimin e Traktatit të ABM-së dhe revolucionet me ngjyra e ka poshtëruar Rusinë deri në pikën që ia ka provokuar reagimin. Putini e ka konsoliduar pushtetin e vet të brendshëm me patriotizmin dhe me ringritjen e krenarisë ruse. Realizimi i tij është bashkuar me një kapacitet strategjik të madh. Kjo e fundit ka mbizotëruar ndaj joefikasitetit strategjik të pavendosmërive të Barack Obama. Putini ka vepruar përpara tij disa herë, duke e kapur në befasi. E mbështet opinioni publik, i kënaqur që ka gjetur një lider që shëron poshtërimet e pësuara.
Kështu, gjeopolitika është kthyer në qendër të historisë. Globalizimi dhe multilateralizmi, edhe në formën e tij të rajonalizmit, janë në krizë. Është rishfaqja e politikës tradicionale të forcës: forca ushtarake vlen akoma. Konfliktet nuk përfshijnë më as vetëm shtetet e dobëta, as kanë të bëjnë me kërcënime joshtetërorë, si terrorizmi apo pirateria. Mund të përfshijnë drejtpërsëdrejti fuqitë e mëdha. Dy zonat më të rrezikshme për konfliktualitetin e ri: istmi pontoballtikas dhe Deti i Kinës Jugore. Një konflikt në zona të tilla nuk mund të mbesë i kufizuar. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë vizione të ndryshme ndaj të ardhmes së sistemit ndërkombëtar. Moska dhe Pekini nuk pranojnë më rregullat që pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë diktuar nga Shtetet e Bashkuara, hegjemon global. Për Europën, përdorimi i forcës nuk është më vetëm një opsion. Qeveritë e saj nuk mund të vendosin më nëse të ndërhyjnë ose jo në bazë të konveniencave të momentit. Planifikimi i mbrojtjes nuk mund të finalizohet më thjesht në furnizimin e diplomacisë, instrumentet ushtarake me të cilat të transmetojë “sinjale”, siç ka ndodhur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë me operacionet jashtë zone në luftën globale kundër terrorit. Kanë qenë distraksione të kushtueshme dhe joefikase, sidomos në Lindje të Mesme. Kështu, nevojitet që të rimendohet strategjia e planifikimi i forcave të armatosura dhe ridhënie besueshmëri shkurajimit, por pa ekzagjeruar që të mos bihet në spiralen perverse të një gare të re armatimi.
Europianët duhet të braktisin besimin e verbër në mbrojtjen e nënës Amerikë. Si gjë të parë duhet të rikuperojnë një kulturë strategjike. Nuk duhet më ta marrin për të mirëqenë se një konflikt i madh në Europë nuk mund të shpërthejë. Sigurisht, sot është e pamundur, por planifikimi i forcave duhet të mbështetet mbi skenarin më të keq, për të shmangur pikërisht ndodhjen. Një konflikt midis NATO-s dhe Rusisë nuk do të ndodhte në boshllëk. Do të ishte pashmangshmërisht i lidhur me asetet gjeopolitike globale, në mënyrë të veçantë me sistemin Azi–Paqësor dhe me ekonominë botërore. Kina do të avantazhohej, duke përfituar nga dobësimi kontekstual i Rusisë dhe i Shteteve të Bashkuara.
Sot Kontinenti i Vjetër është një “profet i çarmatosur”. Për më tepër, është i përçarë midis shteteve të ndryshme që paraqesin pika të dobëta të ndryshme – jo vetëm strategjike, por edhe psikologjike – ndaj Rusisë. Të mërzit pjesa tjetër e botës me deklaratat retorike të saj lidhur me meritat e të drejtave të njeriut, të paqes, të demokracisë dhe të kapitalizmit liberal. Mendon se modeli dhe parimet e tij janë më morale sesa ato të të tjerëve dhe që, për pasojë, janë të destinuar domosdoshmërisht që të ndahen nga pjesa tjetër e botës. Ka humbur kuptimi i historisë, në të cilin kanë mbizotëruar gjithmonë jo të mirët dhe të drejtët, por të fuqishmit dhe realistët. Shpirti i samitit në Pratica di Mare është zhdukur krejtësisht. Moska ka në zhvillim një program armatimi të madh. Kapacitetet strategjike të Putinit përbëjnë një shumëfishues thelbësor të fuqisë së tij. Situata strategjike e Europës Qendrolindore dhe balltike është kritike. Për momentin, siguria e istmit pontoballtikas garantohet nga Shtetet e Bashkuara, të preokupuara – siç qe në Paqen e Versajës gjeopolitikani dhe diplomati anglez Halford Mackinder – të ndajnë me shtetet e Antantës së Vogël popullsitë gjermanike dhe ato sllave. Sot Uashingtoni kërkon që të shmangë atë që quhet Gjerusi, domethënë bashkimin e teknologjisë të Gjermanisë me resurset natyrore ruse. Impenjimi amerikan ka limite të rënda në rastin e një Blitzkrieg rus, por do të kishte efikasitet si strategjik, ashtu edhe ekonomik në periudhë afatmesme. Rusia nuk i ka në fakt as resurset për një luftë të zgjatur apo për një Luftë të Ftohtë të re, as ekonominë që mund t’i rezistojë një lufte ekonomike amerikane. Do të bëhej një vasale e Kinës, duke rënë nga shiu në breshër.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara përjetojnë një krizë në politikën e jashtme të tyre, dështake gjatë dy presidencave të Barack Obama. Ka pushuar bipartizanllëku që kishte karakterizuar Luftën e Ftohtë, në bazë të besueshmërisë strategjike dhe për pasojë, të lidershipit të Uashingtonit. Megjithëse duke u varur si më parë nga garancitë e sigurisë së tij, aleatët nuk i besojnë më Amerikës. Donald Trump e ka rritur një perceptim të tillë. Moska kërkon ta shfrytëzojë dobësinë e lidhjeve transatlantike dhe ndëreuropiane për t’i dobësuar të dy organizatat që i gjykon si armiqësore, NATO-n dhe Bashkimin Europian. Një çimpenjim amerikan nuk do t’i nxisë europianët që ta marrin seriozisht sigurinë e tyre. Në fakt, do t’i nxisë që të ankohen. Për fat, Putini është i vetëdijshëm për forcën potenciale të Shteteve të Bashkuara, si ushtarake, ashtu edhe ekonomike. Nga ana tjetër, Rusia paraqet pika të dobëta që ia frenojnë ambiciet. Putini i njeh mirë dhe e di se triumfi ndaj Perëndimit nuk mund të bazohet mbi një strategji të drejtpërdrejtë. Më shumë të ngjarë ka përdorimi i luftës hibride, sidomos në provincat rusishtfolëse të Estonisë e të Letonisë. Një strategji e tillë e bën të vështirë perceptimin e një agresioni dhe mund të shfrytëzojë kështu përçarjet e Perëndimit, duke i penguar një reagim të përbashkët dhe të vrullshëm. NATO vlerëson se Riga dhe Talini mund të pushtohen brenda 36-60 orëve. Vetëm Lituania mund ta zgjasë rezistencën e saj duke ju drejtuar taktikave të mbrojtjes operative në thellësi, të bëra të mundura nga rifutja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Thembra kryesore e Akilit që ka Rusia është ekonomia. Kërcënimi me luftë ekonomike, njëlloj me armët bërthamore (përdorimi i të cilave është pak i besueshëm në rast agresioni të shpejtë e të kufizuar), përfaqëson themelin e shkurajimit perëndimor në favor të shteteve balltike. Por në to nuk janë në lojë interesa jetike të Shteteve të Bashkuara. Për pasojë, çdo lloj mase që do të adoptonte NATO nuk mund ta shmangë faktin e kryer të pushtimit të tyre. Në rast konflikti me NATO-n do të ishin gjithsesi popullsitë sllave të Rusisë ato që do të pësonin humbjet më të mëdha. Do të modifikoheshin kështu raportet aktuale etno–demografike në favor të atyre qendraziatike dhe islamike. Një element i mëtejshëm ky që vepron si frenues për Moskën. Në thelb, Rusia gëzon një superioritet strategjik afatshkurtër, por në rast se konflikti do të zgjatej, do të tejkalohej nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë situatë strategjike të saj është e ngjashme me atë të Gjermanisë në dy konfliktet botërore. I pamundur kështu është përdorimi i qëllimshëm i forcës. Moska duhet të kryejë sulme të befasishme dhe të realizojë me shpejtësi objektiva definitivë që e shtyjnë Perëndimin të shmangë një eskalim. Por kjo është e pamundur, duke pasur parasysh ndarjen ekzistuese midis Europës dhe Amerikës. Aksione të kufizuara në shtetet balltike nuk mund ta shmangin kështu një luftë të zgjatur. Strategët e Kremlinit janë ndoshta të vetëdijshëm dhe e gjykojnë rrezikun të papranueshëm. Në Europën balltike dhe në Poloni, NATO mund të bëjë gjumë të ëmbël.
(Carlo Jean është Gjeneral Korparmate, President i Centro Studi di Geopolitica Economica, Pedagog në Università Guglielmo Marconi, Link Campus University. Ka qenë Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Francesco Cossiga. Ka qenë President i Centro Alti Studi per la Difesa. Ka qenë Përfaqësues Personal i Presidentit në ushtrim të OSBE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Dayton në Bosnje–Hercegovinë, Kroaci dhe Republikën Federale Jugosllave).
Përgatiti:
ARMIN TIRANA