Kushërinjtë e Saimir Tahirit, vëllezërit Habilajt në bashkëpunim me nipin e Valentina Leksajt, janë autorët kryesorë të gomones së kapur dje në brigjet e Barit të Italisë. Një sasi e madhe kanabis sativa është sekuestruar gjatë natës së kaluar në Bari. Mediat italiane shkruanin dje se, 1.2 ton kanabis sativa me vlerë 12 milionë euro janë gjetur në një gomone në brigjet e Puglias.
Sipas të dhënave të nxjerra nga vet efektivë të policisë mësohet se, gomonia e kapur dje nga autoritetet italiane është dërguar nga Habilajt në bashkëpunim me nipin e Valentina Leksajt, ndërsa po të njëjtat burime citojnë se kushërinjtë e Tahirit bashkë me nipin e Leskajt kanë plantacione të përbashkëta droge. Nipi i Valentina Leksajt, ka lidhje të afërta fisnore me drejtorin e Policisë Kuftare të Vlorës, Gëzim Zhupa, i cili bashkëpunon, duke u lehtësuar vëllezërve Habilaj rrugët e trafikut të drogës.
Pra, Habilajt të cilët zotërojnë të gjithë plantacionet e drogës në Qarkun e Vlorës, nuk veprojnë të vetëm në prodhimin, kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ata bashkëpunojnë ngushtë jo vetëm me Policinë e Shtetit e atë Kufitare, por edhe njerëz të tjerë të afërt me pushtetin, duke ndarë mes tyre paratë e drogës. Siç bëhet e ditur se, një nga personat e afërt bashkëpunëtorë të Habilajve është nipi i Valentina Leskjat, i cili është edhe kushëri me drejtorin e Policisë Kufitare të Vlorë, Gëzim Zhupa.
Nga ana e tij, Drejtori i Kufirit në Vlorë, Zhupa merr 40 mijë euro për transportin e 1 kuintali drogë. Ish-kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një polici, i cili konfirmon rrjetin e bashkëpunimit të habiljave me nipin e Leskajt, drejtorin e Policisë Kufitare Vlorë si dhe faktin se këta janë dhe autorët e gomones së kapur dje. “Përshëndetje doktor, ju bëj me dije se Artan Habilaj e Moisi Habilaj kushërinjtë e Sajmir Tahirit…në bashkëpunim me robin e Bato Llanaj, i cili është kushëriri i Gëezim Zhupës drejtorit të Policisë të Kufirit në Vlorë nga Salaria që është dhe nipi i deputetes Valentina Leskaj, në bashkëpunim këta persona në Selenicë kanë të mbjella 4 hektarë me hashash dhe mbajnë aty në çadra pa lëvizur 60 punëtorë…robi i Batos është vrasës person me precedent të rëndë kriminal..këta persona në bashkëpunim janë autorë të nisjes së gomones të kapur me 12 kuintalë hashash në Itali…gomonia e kapur është pronë e robit të Batos dhe e Habilajve dhe është nisur nga grykëderdhja e Semanit…hashashi i nisur me gomone është i gjithi i përpunuar në Selenicë në …me garanci të Gëzim Zhupës drejtorit të Kufirit…për çdo ngarkesë drejtori i Kufirit merr 40 mijë euro për kuintal..të hetojë Prokuroria këtë informacion, pasi policia merr paratë dhe është pjesë e trafikut…”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë. Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët. Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.
Gomonia e kapur në Bari me 1.2 ton drogë
Autoritetet italiane kishin vënë re një gomone që po lundronte me shpejtësi dhe ishin vënë në ndjekje të saj. Po ashtu në ndjekje të saj ishin vënë motovedetat e Guardia Di Financas si dhe anije të tjera që janë pjesë e operacionit “Triton” për shpëtimin e refugjatëve. Gomonia është gjetur e braktisur në breg, ndërsa mësohet se skafistët ishin larguar. Mediat italiane shkruajnë se gomonia me 1.2 ton kanabis ishte nisur nga brigjet e vendit tonë.
Operacioni u krye nga njësitë e Departamentit të Operacioneve Aerodetare të Barit, i cili lufton trafikimin e paligjshëm me anë të detit drejt Puglias, në bashkëpunim me Grupin Aerodetar të Tarantos të specializuar në operacionet me rreze të gjatë, dhe qendra lokale e koordinimit për operacionin “Triton” e Agjencisë europiane Frontex.
Të enjten në mbrëmje, një gomone e madhe, disa milje larg brigjeve të Molas në Bari, u vu re nga mekanizmi mbikëqyrës, i cili zbatohet çdo ditë nga Policia Financiare për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës, fenomene të cilat, siç tregohet nga lajmi i fundit, për fat të keq janë duke u rishfaqur. Autoritetet e Policisë Financiare dyshuan mbi sjelljen e dyshimtë të gomones, e cila vinte prej së largu, drejt bregut puliez, me shpejtësi të lartë.
Disa anije patrullimi, pra, iu afruan për të bërë një kontroll më të plotë policor, por, në përgjigje, skafistët në bordin e gomones së fuqishme, në të cilën dallohej ngarkesa me mbështjellës që zakonisht përmban marijuanë, rritën shpejtësinë në një përpjekje për t’i shpëtuar policisë. Financierët, u vunë në ndjekje të mjetit që po arratisej, ku ata që ishin në bord për të siguruar një avantazh më të madh, hidhnin në det sasi të madhe të drogës.
Trafikantët, duke përjashtuar çdo mundësi shpëtimi në det të hapur, me shpejtësi të lartë iu afruan shumë pranë bregut, duke prekur tokën pranë Cala Corvino, pranë Monopoli, duke u zhdukur në drejtim të panjohur. Pavarësisht nga errësira, kërkimet në drejtim të trafikantëve të arratisur vazhduan në terren, në afërsi të pikës së zbarkimit, për disa orë, por me rezultate negative.
Kërkime të tjera janë në vazhdim në një rreze më të gjerë. Në det u gjetën më shumë se 80 paketa që përmbajnë në total më shumë se 1.2 ton marijuanë, e cila në këtë rast nëse do të kishte ardhur në sheshet e shpërndarjes, organizatës kriminale do t’i kishte sjellë më shumë se 12 milionë euro fitime. Droga dhe gomonia rreth 10 metra e gjatë dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm nga 350 kuaj secili, u vunë nën sekuestro.
Ky episod konfirmon se organizatat kriminale zgjedhin gjithnjë e më shumë stinën e verës për të intensifikuar trafikimin e paligjshëm, duke përfituar nga rasti për t’u përzier me rrjedhjen intensive të anijeve, të cilat dynden në detin puliez.
Vetëm gjatë këtij muaji janë sekuestruar mbi 3 ton drogë dhe armë nga Shqipëria në Itali. Më 30 qershor u sekuestruan mbi 365 kg kanabis dhe armë në një gomone në bregdetin italian afër brindizit u identifikua një gomone e dyshimtë, që kishte në bord një sasi lënde narkotike. Pas konstatimit në det të gomones, ngjyrë portokalli, rreth 6 metra, nisi aksioni i Guardia di Financës. Ndjekja policore në një det të trazuar, zgjati rreth 7 orë, ku u angazhuan helikopteri gjerman “Super Puma” i agjencisë FRONTEX, një helikopter dhe një avion i Guardia di Financës, si dhe disa motoskafë të Policisë Kufitare italiane.
Trafikantët hodhën në det ngarkesën e drogës, të futur në 10 thasë me peshë totale 365 kg, gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar policisë, si dhe dy armë, një kallashnikov dhe një pistoletë si dhe disa fishekë. E gjithë ngarkesa narkotike, kanabis sativa dhe armët u gjetën në hapësirën detare italiane afër Brindizit dhe u sekuestruan.
A.Shahini